Hamdi Nuhiju
Në Republikën e Maqedonisë Veriore ka nisur procesi i regjistrimit të
popullsisë, njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme në këtë shtet, qysh prej pavarësimit
të saj në vitin 1991. Në këtë proces janë të përfshirë të gjitha subjektet
politike shqiptare e maqedonase, organizatat religjioze, krerë shtetesh e
organizatash jo qeveritare. VMRO-DPMNE-ja opozitare ka lënë shtegun hapur duke
mbledhur nënshkrime nëpër sheshe për të bojkotuar regjistrimin e popullsisë. Theksi i VMRO-DPMNE-së në lidhje me bojkotimin
e regjistrimit të popullsisë po vihet te falsifikimi. Sipas tyre po përgatitet një
falsifikim masiv që do të jetë në dëm të maqedonasve e në dobi të shqiptarëve.
Disa herë si në kor krerët e shtetit e kanë përmendur formulën se
regjistrimi i popullsisë është një operacion statistikor i cili nuk ka asgjë të
përbashkët me politikën. Por, edhe lexuesi fillestar i ngjarjeve politike e di
se mbi numra është ndërtuar multikulturalizmi në këtë shtet si dhe të drejtat e
obligimet qytetare. Është e habitshme, por numrat dhe përqindja në Maqedoninë e
Veriut tregon se sa mund të përfitosh prej buxhetit të shtetit. Disa herë,
akademikët shqiptar në këtë shtet, si Izet Zeqiri, Abdylmenaf Bexheti etj, kanë
publikuar të dhëna dhe informacione ku tregojnë për disproporcionin në shpërndarjen
e drejtë të buxhetit, si dhe të dhëna për mbushjen e buxhetit nga remitencat që
kryesisht vijnë prej mërgatës shqiptare.
Regjistrimi i popullsisë sipas definicionit as në shtetet etnikisht të
pastra nuk mund të jetë operacion statistikor. Po një operacion që do t`i
ndihmonte institucioneve të shtetit të ndërtonin politika dhe strategji
zhvillimore për të ardhmen. Përmes regjistrimit të popullsisë kuptojmë se sa
jemi dhe ku jemi të shpërndarë, si dhe në këtë mënyrë edhe i kuptojmë emergjencat
të cilat duhet të na shqetësojnë.
Sikur regjistrimi i popullsisë të ishte operacion vetëm statistikor,
VMRO-DPMNE-ja opozitare nuk kishte nevojë të shqetësohej për falsifikimin e
mundshëm dhe as që kishte nevojë të përmendte favoret dhe disfavoret e mundshme
që do të dilnin prej saj.
Megjithatë, mërgata shqiptare ka nisur të mobilizohet. Kryeministri më i
votuar shqiptar në Republikën e Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje drejt mërgatës
shqiptare për t`u regjistruar, duke e quajtur këtë operacion si tejet të rëndësishëm
për gjenezën tonë kombëtare.
Në medie është raportuar disa herë për probleme me të cilat po përballet mërgata
jonë në lidhje me regjistrimin i cili po bëhet në faqen e hapur për këtë qëllim.
Data e fundit e regjistrimit të mërgatës është 21 prill i vitit 2021. Ndërsa regjistrimi
i popullsisë në Maqedoninë e Veriut, brenda territorit të saj, nis nga 1 prilli
dhe përfundon me 21 prill të vitit 2021.
Për të mënjanuar pengesat dhe dal në ndihmë mërgatës shqiptare, Albin Kurti
dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë vënë në dispozicion qendrat e saj në diasporë. Jo
vetëm ai, por edhe subjektet politike shqiptare si dhe organizatat religjioze janë
vënë në dispozicion për t`i ndihmuar mërgatës tonë që të tejkalojnë problemet
teknike dhe të kryejnë procesin e regjistrimit.
Ajo që po bie në sy kohëve të fundit është një lloj krenarie e numrit të
madh të mërgatës e cila deri në këto momente është regjistruar. Individ dhe
grupe të caktuara po krenohen se thirrja drejtuar mërgatës shqiptare për t`u
regjistruar po shkon në vendin e duhur dhe gjërat janë duke ecur ashtu si
duhet.
Ajo ku unë dhe këto grupe duhet ta vemi theksin në lidhje me këtë temë është
pyetja: a duhet të krenohemi me numrin e madh të mërgatës? Kush i detyroi ato njerëz
të ikin nga Maqedonia? Maqedonasit, lufta, apo paaftësia e pushtetarëve tanë për
të zgjidhur problemet esenciale të shqiptarëve?
Dhe pyetja tjetër e cila është ende më e rëndësishme se e para, a e ndali
pandemia Kovid 19 zbrazjen e mëtutjeshme të lagjeve, fshatrave, komunave e
qyteteve shqiptare?