Monday, September 13, 2021

Një karrige gjinekologjike për politikanët tanë

 Hamdi Nuhiju

A e keni provuar ta kaloni kufirin ilegalisht dhe të kapeni nga policia? Keni dëgjuar për karrigen gjinekologjike e cila përdoret në stacionin policor gjatë kontrollit në kufi?

Mënyra e transportimit të lëndëve narkotike është aq e sofistikuar saqë shpesh herë në kufi nuk gjendet rrugë se si të zbulohet. Por karrigeje gjinekologjike është ilaç ose bar juridik dhe sanksionues për personat që tentojnë për të fshehur gjëra.

Specialistët të dyshuarin e ulin në karrigen gjinekologjike, i veshin disa doreza dhe fillojnë kontrollin detal.

Në karrigen gjinekologjike ulen të dyshuarit për hajni të ndryshme të cilët tentojnë që në mënyrë ilegale ta kalojnë kufirin administrativ të një shteti. Në atë karrige ndjehen rehat specialistët e fushës, pasi që me sa më pak mund zbulojnë gjërat që tentohen të mbulohen. Aq hall të madh kanë disa hajna që gjërat e vjedhura tentojnë t`i fshehin aty ku nuk fshihen.

Në karrigen gjinekologjike ulesh edhe nëse i ke mbi 100 kg, nuk pyetesh ti për këtë vendim, por vendos policia kufitare. Realisht vendos faji për të cilin dyshohesh, ose më saktësisht rruga që ke zgjedhur.

Nëse njëherë e provon karrigen gjinekologjike ndoshta ke dëshirë ta provosh përsëri dhe përsëri dhe përsëri deri në pafundësi. Ulja në karrigen gjinekologjike të shndërrohet në ves dhe pastaj të krijohet një mit në shoqëri për personin e dashuruar pas këtyre karrigeve.

Karriget gjinekologjike funksionin e saj fillestar e kanë për gratë shtatzëna me qëllim që sa më lehtë të kryhet kontrolli i tyre që të ruhet shëndeti i nënës dhe foshnjës e cila pritet të vije në këtë botë. Po ashtu, specialist të caktuar e kanë paraparë përdorimin e saj edhe për zbulimin e hajnive të ndryshme.

Zgjedhjet lokale janë afër. Ata do të mbahen me 17 tetor të vitit 2021. Në zgjedhje janë duke garuar mijëra politikan të përdorshëm dhe të papërdorshëm. Në to po garojnë për herë të parë shumë politikan të rinj, të cilët ndoshta edhe nuk e meritojnë të ulen në karrigen gjinekologjike. Pasi që ende nuk janë sprovuar! Edhe pse, realisht gjërat shikohen në bazë të qëllimit. Nëse qëllimi është ndryshimi për të mirë, edhe politikani për atë qëllim do të shpërblehet. Por nëse qëllimi është që politikani hajn të shkoje për të ardhur politikani tjetër hajn, karrigeje gjinekologjike do të ishte mjet ideal për to.

Cilin politikan të pozitës ose opozitës e kishe ulur në karrigen gjinekologjike?

Me pas pasur në dorë ti dekorimin e kabinetit qeveritar dhe furnizimin e saj me karrige, a i kishe ndërruar të gjitha karriget e ministrave me karrige gjinekologjike?

 

Saturday, September 11, 2021

Çorapet e bardha-kravatën e kuqe !

 Hamdi Nuhiju

Sot në kalendar data është 11 shtator. Është data e fundit e dorëzimit të listave për këshilltar komunal për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen me 17 tetor të vitit 2021.

Sot është festë si e Zeusit në malin Olimp. Është një ditë Arife kur të rinjtë, të rejat, fëmijët pastrohen në mënyrë të përgjithshme para festës së madhe të Bajramit.

Sot politikani i lagjes është i lumtur sikur ditën kur e dashura i tha: PO! Është ditë e ngjashme me ditën kur Omer Khajami shkroi vargjet e famshme për femrat dhe alkoolin.

Në një ditë si sot, Mexhnuni u dashurua në Lejlën, Murakami e përfundoi veprën “Vrasja e komandantit”, Sterjo Spasse e kuptoi se “Pse” është fillimi dhe mbarimi i çështjes.

Si sot ka qenë dita kur në shkollë të mesme në lëndën “Letërsi dhe gjuhë shqipe” politikani i lagjes së katundit e patë mësuar tregimin rumun “Shoku im MITU”.

Si sot ka qenë dita kur Elon Musk ka zhvilluar intelegjencën artificiale dhe ka krijuar idenë e krijimit të trurit artificial. Tomas Edison pas mijëra dështimeve në eksperimente, ka qenë një ditë e ngjashme me ditën e sodit kur ja ka qëlluar!

Karl Marks në një ditë të ngjashme me të sodit ka përfunduar së lexuari “ Mukadimma ” të Ibën Haldunit dhe iu është krijuar ideja e shkrimit të veprës “Kapitali”.

Madona në një ditë të ngjashme me të sodit ka krijuar idenë e lansimit të këngës “Frozen”.

Zigmund Frojd shkruan për “ Totemin dhe tabunë ” dhe si pasqyrohen këto dy fenomene te popujt primitiv. Është rrjedhë e familjes së tij mendja gjeniale si e Eduard Berneys, njërit prej mjeshtërve të komunikimit strategjik në tërë botën i cili nisi dy kampanja të suksesshme. Kampanjën për të nxitur femrat për të pirë duhan dhe kampanjën për t`i ndaluar femrat për të pirë duhan! Data ka qenë e ndryshme, por dita ka qenë si e sodit kur ka punuar i njëjti në këtë ide të kundërt.

Në një ditë të ngjashme me të sodit, Alija Izetbegoviq për shkak të shkrimit të librit “Deklarata islame” burgoset në burgjet famëkeqe jugosllave.

11 shtatori i vitit 2001 ishte dita kur në SHBA u rrëzuan dy kullat binjake. Por të kthehemi nga e para.

Politikani i lagjes së katundit sot është i lumtur! Kuvendi i nëndegës dhe degës ka vendosur që ai të qëndroj në listën e partisë, pa marr parasysh numrin. Për të nuk ka rëndësi numri se ku qëndron, por mënyra se si ka vendosur Kuvendi.

Për t`u dukur më serioz para shokëve sot ai ka veshur çorapet e bardha dhe kravatën e kuqe. 

Friday, September 10, 2021

Chunga Llunga politikani i sodit

 Hamdi Nuhiju

 

Chunga Llunga çamçakëzat janë më karakteristikat dhe më të lirat në treg. Me 5 denar blen një pako me 5 çamçakëza, me 5 çamçakëza prej 1 denarëve kënaq 5 politikan.

Pesë deputet të pozitës me pesë çamçakëza Chunga Llunga bëjnë mrekulli! Përfundimisht kanë vendosur që t`i heqin lugët e makiatos prej goje.

Chunga Llunga ka shije të ndryshme dhe karakteristike për dallim prej çamçakëzave tjera. Në garën e çamçakëzave janë futur edhe deputetët e opozitës.

Deputeti A me deputetin B ishin vënë bast se kush do të bëjë tupanin më të madh prej çamçakëzave Chunga Llunga. Ishte krijuar Komisioni për Vlerësimin e garës, e në të kishin marr pjesë deputet të pozitës së bashku me të opozitës. Në tërësi buxhetit të shtetit ky Komision për vlerësimin e garës së Chunga Llungave i kishte kushtuar 20.000.000 denar!

Deputeti A u dëshpërua nga gara, nuk e pranoi rezultatin e humbjes. Ajo që i kishin dhënë për të provuar nuk ishte Chunga Llunga, por çamçakëz më i shtrenjtë!

Dikush politikanët i kishte vlerësuar me pampersat. Dihet saktësisht rroli i pampersave dhe sipas tij politikanët e kryejnë funksionin e njëjtë. Përdoren dhe hidhen në mbeturina. Realisht definicioni më i saktë i politikanit të sotëm ose që i afrohet definicionit më të saktë, është çamçakëzi. Gjatë tërë kohës e mban në gojë derisa t`i largohet era e çamçakëzit, pastaj e hedh!

Realisht politikani i sodit po e sheh votuesin si një çamçakëz Chunga Llunga, po e përdorë deri në vjeljen e votës, pastaj po e hedh!

Politikani i sodit aktivistin e thjeshtë po e trajton si një çamçakëz.

Politikani i sodit po e ndërton shtëpinë e tij mbi bazën e çamçakëzave. Ura e komunikimit të tij me njerëzit është çamçakëz. Qyrret e qan si fëmijë derisa t`ia japin një çamçakëz, e mbush gojën dhe fillon të shkumoj me të deri në momentin kur e hedh!

Por votuesi i zgjedhjeve lokale të vitit 2021 dallon shumë prej votuesit e zgjedhjeve lokale të vitit 2017. Ky dallim konsiston në ikjen prej tregut. Tha, ka humb si faksi! Ose, ku ke humb si faksi! E dini një periudhë brendi i çamçakëzave Chunga Llunga nuk ishte në treg. Pat humbur si faksi.

Politikanët e sodit janë si çamçakëzat Chunga Llunga. Derisa kanë erë do t`i mbajmë në gojë, do të shkumojmë me to, pastaj kur t`i largohet era i hedhim. Kështu duhet të veprojmë ne njerëzit e thjeshtë, kjo është rruga më e saktë e suksesit të votuesit. Nëse nuk e zgjedhim këtë rrugë do të ketë pasoja të vazhdueshme mbi ne.

 

Wednesday, September 8, 2021

Zotri kryetar a po mi then dy vo

 Hamdi Nuhiju

Aktivisti i devotshëm ka rënë mbrëmë në gjumë me idenë se do të zgjohet herët në mëngjes për të fërguar dy vezë dhe për t`u nisur me zell në Kongresin e Partisë. Për ta shpëtuar buxhetin e partisë ai i ka ndërmarr të gjitha masat e nevojshme duke u kujdesur për vet-ushqyerjen dhe duke kursyer në maksimum partinë dhe deputetët e saj që marrin rroga modeste mbi 1000 euro. Në Gjermani rrogat janë më të larta se të deputetëve tanë, tha në veti aktivisti duke e zhytur veten në idenë e kursimtarit.

U zgjua herët para se të thërras ezani i sabahut, edhe pse gjatë kohë nuk ka shkuar në xhami, kësaj here e vendosi që të shkoj në xhami para hoxhës. Hoxha me një shikim të habitshëm e pa aktivistin e zellshëm dhe nisi t`i bëj përllogaritjet: pse ky sot erdhi në xhami, kur thuaja gati një vit  ka që nuk është parë këndej pari?!

Me t`u kthyer në shtëpi, pas namazit të sabahut vijon zhgënjimi, vezë nuk ka! Ka harruar të blej edhe pse gruaja e porositi tre e katër herë. Frizi bosh, barku bosh. Si t`ia bëj në këtë kohë të hershme. Mendoi e mendoi, por nuk gjeti ndonjë zgjidhje. Me atë mendim doli me vrap nga shtëpia për të pritur taksitë për deri në kryeqytet dhe pastaj prej në kryeqytet me autobus për në qytetin ku mbahej Kongresi i Partisë.

Rrugës për në kryeqytet me taksistët lokal, aktivisti po e dëgjon një zhurmë dhe një erë: shkllup, zhgllup, hante me zell hamburgerin e tij një student! Zorrët filluan që t`i bëjnë zhgrr, por misioni i aktivistit është më i madh se zorrët e tij, ai e përmbajti veten.

Taksisti udhëtarët në kryeqytet i la dy kilometra larg autobusëve. Aktivisti e pagoi biletën dhe u nis me vrap në drejtim të autobusëve. Filloi të lodhej, të djersitej, e mundonte ideja se pse ka dal nga shtëpia i pa ushqyer.

Në stacionin e autobusëve duhej që të priste 50 minuta, derisa të niset për në qytetin ku mbahej Kongresi i Partisë. Çka të shihte anësh? Disa fëmijë duke pirë lëngje të ndryshme dhe duke ngrënë ëmbëlsira, gra duke pirë ujë, punëtor duke ngrënë tost, shoferët e autobusëve duke pirë kafet e tyre. U mundua t`i ikë atij mendimi, por vështirë! Disi e përmbajti veten, hipi në autobus dhe arriti në vendin ku duhej që të mbahej Kongresi.

Filluan punimet e Kongresit! Filluan fjalimet, një e nga një, kongresi zgjaste në pafundësi, ndërsa zorrët e aktivistit të devotshëm vetëm se hidhnin valle. Pas pesë orëve, kaluan në votime. U zgjodh kryetari i ri i partisë! Nga salla dëgjoheshin duartrokitje, kryetari i ri e mori fjalën falënderuese. I dha zor dhe e zgjati fjalimin 23 minutave. Pas përfundimit të fjalimit, iu drejtua të pranishmëve, a ka dikush të thotë diçka?

Aktivisti i devotshëm e ngriti dorën dhe u ngrit edhe në këmbë që ta shohin të gjithë: unë o kryetar.

Urdhëro, i thanë!

Zotri kryetar, vazhdoi aktivisti, a po mi then dy vo?

Monday, September 6, 2021

Tre zall një ciment-slogani i këtyre zgjedhjeve

 Hamdi Nuhiju

Një batutë të cilën e lexova sot më bëri që të qesh dhe do të mundohem që lexuesve t`ua përcjell përmes frymës së zgjedhjeve lokale që do të mbahen me 17 tetor të këtij viti.

Dy psikiatër janë ulur në një urë të lartë në të cilën kanë kaluar shumë turist. Njëri prej tyre tha:- Gjithmonë thua se je psikiatër më i mirë se unë. Nëse mund që të bindësh tre nga këto turist që të kërcejnë nga ura dhe të lëndohen, atëherë do ta jap dorën dhe do ta pranoj se je më i shkathët se unë.

Tjetri e ka pranuar. Ai me kujdes i ka vështruar njerëzit përreth, iu afruar njërit dhe i ka thënë:

-T i je amerikan, apo? Njeriu ka pohuar. Ka vazhduar psikiatri. A e di se je i bankrotuar, kartela kreditore të është bllokuar, shtëpia dhe vetura të janë konfiskuar nga banka?

-Atëherë pse më duhet jeta?- ka thënë amerikani dhe ka kërcyer nga ura.

Psikiatri ka shikuar anash dhe ka zgjedhur personin e dytë.

- Ti je francez, apo? A e di se gruaja jote është duke shkuar me shokun tënd më të mirë, ndërsa dashnorja ka gjetur tjetër?

- Atëherë nuk kam pse jetoj!, ka thënë francezi dhe ka kërcyer nga ura. Psikiatri iu është afruar viktimës së tretë dhe i ka thënë: Ti je nga Maqedonia e Veriut apo? Po, është përgjigjur viktima. A e di se nga kjo urë ndalohet që të kërcehet? Dhe kështu përfundon batuta të cilën e kam lexuar në gjuhën maqedonase, por nis versioni i ri i zgjedhjeve lokale të vitit 2021.

E shoh që të gjitha subjektet politike shqiptare kanë nisur që t`i ndezin motorët e tyre për t`u futur në garën e zgjedhjeve lokale. Partitë politike shqiptare veçse promovuan edhe premtimet e tyre kryesore.

E blerta, hajnia, investimet, infrastruktura, korrupsioni, zhvillimi, janë termet më të përdorura gjatë kësaj periudhe kohore.

U shpalosën edhe disa slogane interesante nga disa subjekte politike shqiptare dhe maqedonase. Slogane të cilat disa i bëjnë të qeshin, të tjerët të zgërdhihen e të tjerët të mbushen me mllef për shpresat e vëna kot në idenë se një ditë do të bëhet mirë.

Një esnaf i Kumanovës një ditë më pat rrëfyer amanetin e gjyshit që ia ka lënë babait të tij:

- Biri im, mos u largo nga Kumanova, sepse një ditë do të bëhet mirë.

Këtë amanet, babai i tij ia ka përcjell esnafit, ndërsa esnafi i cili për momentin është detyruar që të shpërngulet në mërgim për një jetesë më të mirë, birit të tij gjatë pushimit në vendlindje i tha:

- Biri im, ik sa më larg nga Kumanova, sepse këtu asnjëherë nuk bëhet mirë.

Slogani i detyruar i këtyre zgjedhjeve për të gjitha subjektet politike shqiptare do të ishte:

- Tri zall një ciment, për një jetesë më të mirë në Gjermani. Por për t`i ikur kësaj ideje pesimiste dhe mjaft zhgënjyese që përshkruan realitetin e dhimbshëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duhet që subjektet politike shqiptare seriozisht të interesohen për çdo shqiptarë të këtij vendi, pa marr parasysh ngjyrimin e tij politik.

 

Saturday, September 4, 2021

Hajdut e të gjitha partive bashkohuni, erdhën zgjedhjet

 Hamdi Nuhiju

Të nderuar hajdut! Ups, të nderuar thash? Po, ashtu the! Vazhdojmë.... Të nderuar hajdut, ju e dini se kanë ardhur ditë të vështira për ne. Është rritur inflacioni i hajdutëve. Nuk ka mbetur më terren i pastër pa hajdut. Ka ardhur koha që ta krijojmë sindikatën tonë! Jemi në bisedime me të gjitha strukturat partiake që ta ndërtojmë edhe një Universitet të hajdutëve për ta vazhduar misionin tonë për të vjedhur sa më shumë!

Shokë dhe shoqe hajdut. Morali i punës tonë qëndron në manipulimin dhe gënjeshtrën. Sa më shumë që manipulojmë dhe gënjejmë aq më të mëdha gjasat i kemi për të fituar. Misioni jonë nis me pak e qysh prej në kafe. Nëse nuk jemi në gjendje që lugën e makiatos t`ia vjedhim shokut të partisë, ne nuk jemi të qëndrueshëm në këtë mision fisnik.

Shokut të partisë duhet që t`ia shesim gomat e veturës për 20 % më shtrenjtë. Por për të arritur në këtë nivel duhet kohë, mjeshtëri dhe finesë në përpunimin e teorive të manipulimeve dhe gënjeshtrës. Sa më të moralshëm që paraqitemi në biseda aq më mirë është.

Nuk guxon asnjë hajdut në këtë mision fisnik që të flas kundër xhamisë. Tash janë zgjedhjet dhe ndoshta ndonjëherë edhe duhet të bëjmë ndonjë fotografi me imamin e lagjes.

Të nderuar hajdut, jeni dëshmitar që kanë filluar të rrallohen zgjedhjet. Sa më pak zgjedhje, aq më keq për neve. Në teorinë e numrave duhet që të jemi ekspert. Duhet ta dimë saktë se sa radhë me dru ka në oborr nënkryetari i degës. Po ashtu duhet ta kuptojmë edhe pse radha e fundit me dru nuk është stabile dhe pse mungojnë tre dru? Nëse nuk i dimë këto përgjigje është vështirë për ne për të vjedhur.

A ke vjedhur sot ndonjë shok, a ke folur diçka prapa shpine, a i ke bërë matematika për interesa të grigjës tënde? Nëse nuk i ke bërë këto, ti je i pamoralshëm, nuk je hajdut!!!

A e ke shitur interesin e partisë për interesin tënd dhe të klanit, a ke punuar kundër idesë dhe vizionit për të cilin je zotuar se do ta ndjekësh? Nëse nuk e ke bërë këtë, ti nuk je hajdut, je njeri i keq.

Rruga e jonë është e vështirë! Ne duhet të dimë saktë thellësinë e xhepave të kuvendarëve. Nëse nuk e kuptojmë këtë gjë, jemi të hutuar, të gabuar dhe misioni jonë është në rrezik.

Hajdut e të gjitha partive! Zgjedhjet duhet t`i vjedhim me 500 denar vota. Ju lutem mos na e prishni pazarin. Kam dëgjuar se disa hajdut të paaftë dhe të skurpulltë kanë blerë votat edhe për 1000 denar. Kjo është në dëm të arkës së përgjithshme të hajdutëve. Ne nuk guxojmë që në këto zgjedhje të bëjmë gabime të këtilla. Çmimi prej 500 denarëve është i vendosur me standarde të Bankës Popullore të Hajdutëve!

Lexo shkrimin mbrapshtë të del drejtë. Mos u bën hajdut!

Thursday, September 2, 2021

Nuk po pëllet gomari, po fol kryetari

 Hamdi Nuhiju

Kryetari i degës, kryetari i shtabit, kryetari i shtabit të nëndegës, kryetari i Forumit Rinor, nënkryetari i kryetarit të Forumit Rinor, shoku i nënkryetarit të kryetarit të Forumit Rinor të partisë së lagjes sot e ka ditëlindjen. Ka vendosur që ta gostisë komplet shtabin me nga një makiato të vogël!

Shoku i shokut të nënkryetarit të kryetarit të nëndegës të Forumit Rinor ka rezultuar pozitiv me kovid 19, i gjithë shtabi janë në gjendje gatishmërie për t`i shprehur shërim sa më të shpejtë prej kësaj sëmundjeje mortaje.

Burri i tezës i shokut të shokut të nënkryetarit të kryetarit të nëndegës të Forumit Rinor të partisë së lagjes është pranuar si pastrues në spital, e gjithë familja në gëzim, po ashtu edhe shtabi ka ndryshuar matematikat, tash në zgjedhje pret plus 50 vota si dhe nga dy gajbe me ujë Rosa për çdo natë të kampanjës zgjedhore.

Halla e madhe e burrit të tezës të shokut të shokut të nënkryetarit të kryetarit të nëndegës të Forumit Rinor të partisë së lagjes, për shpirtin e agës haxhi babës ka vendosur që ta hape një çezme në lagje. Me këtë shkak janë alarmuar të gjitha strukturat e partisë deri te kryetari për të marr pjesë në inaugurimin e çezmës. Janë alarmuar të gjitha lagjet në nivel të republikës për hapjen zyrtare të çezmës. Të gjitha strukturat e partisë janë urdhëruar që të mbajnë mbledhje për t`i koordinuar numrat e autobusëve dhe automjeteve që do të përdoren për të marr pjesë në inaugurim. Të gjithë i lanë lugët e makiatos në kafe dhe u drejtuan me vrap te shtabi. Duhet që në mënyrë sa më masive të marrin pjesë në inaugurimin e çezmës së lagjes.

Kryetari i partisë i cili arriti me 20 minuta vonesë në tubim, para çezmës iu drejtua të pranishmëve:

O ju të dashurit e mi!- Plasën të qeshurat nga fundi i publikut duke i thënë njëri-tjetrit: Prej kur u bëmë ne të dashurit e kryetarit kur ky sa ishte në pushtet as që dëshironte të dëgjoje për neve!

Të dashurit e mi, vazhdoi fjalimin kryetari, ata janë të këqij, ne jemi të mirë, me neve do të keni çezma dhe ujë për pije 24 orë. Për kanalizim dhe ujësjellës të mos flasim. Rrugët do t`ia asfaltojmë deri në oborr. Edhe bari që ju ka ngelur keq në bahçe në këtë periudhë do të organizojmë strukturat e partisë për të ju ardhur në ndihmë.

Ne, do ta sjellim Evropën këtu! Nuk ka nevojë ne të shkojmë në Evropë. Jemi duke punuar ditë e natë që ju të mos e harroni gjuhën shqipe. Sepse ai që e harron gjuhën shqipe nuk ka perspektivë në këtë shtet!

Ne do të punësojmë nga 5 veta prej çdo familje! Uaaa mos gënje, bërtiti dikush nga fundi i skenës!

Hesht- ia ktheu shefi i shtabit dhe vazhdoi me ngritjen e zërit: NUK PO PËLLET GOMARI, PO FOL KRYETARI.

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...