Saturday, September 4, 2021

Hajdut e të gjitha partive bashkohuni, erdhën zgjedhjet

 Hamdi Nuhiju

Të nderuar hajdut! Ups, të nderuar thash? Po, ashtu the! Vazhdojmë.... Të nderuar hajdut, ju e dini se kanë ardhur ditë të vështira për ne. Është rritur inflacioni i hajdutëve. Nuk ka mbetur më terren i pastër pa hajdut. Ka ardhur koha që ta krijojmë sindikatën tonë! Jemi në bisedime me të gjitha strukturat partiake që ta ndërtojmë edhe një Universitet të hajdutëve për ta vazhduar misionin tonë për të vjedhur sa më shumë!

Shokë dhe shoqe hajdut. Morali i punës tonë qëndron në manipulimin dhe gënjeshtrën. Sa më shumë që manipulojmë dhe gënjejmë aq më të mëdha gjasat i kemi për të fituar. Misioni jonë nis me pak e qysh prej në kafe. Nëse nuk jemi në gjendje që lugën e makiatos t`ia vjedhim shokut të partisë, ne nuk jemi të qëndrueshëm në këtë mision fisnik.

Shokut të partisë duhet që t`ia shesim gomat e veturës për 20 % më shtrenjtë. Por për të arritur në këtë nivel duhet kohë, mjeshtëri dhe finesë në përpunimin e teorive të manipulimeve dhe gënjeshtrës. Sa më të moralshëm që paraqitemi në biseda aq më mirë është.

Nuk guxon asnjë hajdut në këtë mision fisnik që të flas kundër xhamisë. Tash janë zgjedhjet dhe ndoshta ndonjëherë edhe duhet të bëjmë ndonjë fotografi me imamin e lagjes.

Të nderuar hajdut, jeni dëshmitar që kanë filluar të rrallohen zgjedhjet. Sa më pak zgjedhje, aq më keq për neve. Në teorinë e numrave duhet që të jemi ekspert. Duhet ta dimë saktë se sa radhë me dru ka në oborr nënkryetari i degës. Po ashtu duhet ta kuptojmë edhe pse radha e fundit me dru nuk është stabile dhe pse mungojnë tre dru? Nëse nuk i dimë këto përgjigje është vështirë për ne për të vjedhur.

A ke vjedhur sot ndonjë shok, a ke folur diçka prapa shpine, a i ke bërë matematika për interesa të grigjës tënde? Nëse nuk i ke bërë këto, ti je i pamoralshëm, nuk je hajdut!!!

A e ke shitur interesin e partisë për interesin tënd dhe të klanit, a ke punuar kundër idesë dhe vizionit për të cilin je zotuar se do ta ndjekësh? Nëse nuk e ke bërë këtë, ti nuk je hajdut, je njeri i keq.

Rruga e jonë është e vështirë! Ne duhet të dimë saktë thellësinë e xhepave të kuvendarëve. Nëse nuk e kuptojmë këtë gjë, jemi të hutuar, të gabuar dhe misioni jonë është në rrezik.

Hajdut e të gjitha partive! Zgjedhjet duhet t`i vjedhim me 500 denar vota. Ju lutem mos na e prishni pazarin. Kam dëgjuar se disa hajdut të paaftë dhe të skurpulltë kanë blerë votat edhe për 1000 denar. Kjo është në dëm të arkës së përgjithshme të hajdutëve. Ne nuk guxojmë që në këto zgjedhje të bëjmë gabime të këtilla. Çmimi prej 500 denarëve është i vendosur me standarde të Bankës Popullore të Hajdutëve!

Lexo shkrimin mbrapshtë të del drejtë. Mos u bën hajdut!

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...