Hamdi Nuhiju
Disa ditë me radhë në medie po qarkullon informacioni i përhapur nga
ministri i shëndetësisë të qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut,
Venko Filipce, se personat të cilët nuk do të pranojnë të vaksinohen me
vaksinat kundër Kovid 19 do të kufizohen thuajse në tërësi në jetën publike. Përveç
kësaj, këto persona kërcënohen edhe për mostrajtim shëndetësor për sëmundjen e
Kovid 19, por pa u specifikuar edhe për sëmundjet tjera?!
Është e habitshme kjo qasje e ministrit, Venko Filipce dhe kjo heshtje që
ka kapluar njerëzit që jetojnë dhe veprojnë në këtë shtet. Ky narracion i ndërtuar
në mënyrë mediatike dhe i nxitur politikisht nga ana e ministrit të shëndetësisë,
po i frymëzon me material zërat konspiracionit kundër sëmundjes Kovid 19.
Titulli i këtij reflektimi në brendi e ka termin dhunë me thonjëza duke nënkuptuar
vullnetin e lirë që kanë pasur deri më tani qytetarët për t`u paraqitur për
vaksinim. Po ky proces siç duket nuk është i brendshëm dhe i vetëm i ministrit,
Venko Filipce por ka ardhur me insistimin e qendrave ndërkombëtare të tilla të
cilat për muaj me radhë udhëhoqën propagandë të zezë kundër vaksinës Astra
Zeneca, si dhe nuk po pranojnë udhëtarët në Bashkimin Evropian që janë të
vaksinuar me vaksinat kineze dhe ruse. Të mos flasim për të pavaksinuarit?!!!
Pse Bashkimi Evropian dhe Maqedonia e Veriut e përmendin vullnetin e lirë të
njeriut në raport me vaksinën kundër Kovid 19, ndërsa marrin masa të tilla të
cilat duket haptas se dhunshëm po duan t`ia imponojnë vaksinimin e popullatës?
Në rrethana të këtilla parashtrohet pyetja, dhuna a është mjet demokratik?
Po thonë filozofët e ndryshëm, por duke e përmendur si mekanizëm për mbrojtjen
e shtetit dhe ruajtjen e ekuilibrave dhe drejtësisë. Edhe Ibën Halduni e përmend
atë si një mënyrë se si përmes saj do të kishte mundësi që t`i ikej anarkisë shoqërore
dhe se si do të krijohej mirëqenia e përgjithshme! Por dhuna a është rruga e
duhur për të disiplinuar masat në lidhje me vaksinimin kundër sëmundjes kovid
19? Nuk e besoj!
Sëmundja Kovid 19 ekziston, ashtu siç kanë ekzistuar sëmundje të ndryshme për
të cilat ka nevojë trajtimi përmes kurave të ndryshme. Pandemia Kovid 19 ka gjunjëzuar
botën si dhe sistemet shëndetësore dhe ekonomike të gjitha shteteve. Larg konspiracionit,
kjo sëmundje ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe shoqërore. Ka lëvizur rende
politike dhe ekonomike si dhe ka vënë në pikëpyetje shumë mekanizma shëndetësor
të cilat kanë ekzistuar deri në momentin e mos ekzistimit të kësaj sëmundjeje. Vaksinat
funksionale kundër kësaj sëmundjeje janë zbuluar dhe po shikohet se kanë efekt
pozitiv tek njerëzit. Modeli fillestar ndaj luftës së kësaj sëmundjeje ka qenë
paraqitja vullnetare për vaksinim e cila ka dhënë efekte pozitive. Porse,
tendencat dhe qasja e politikanëve të Maqedonisë së Veriut, të rajonit dhe botës,
që vaksinimin nga një mjet shëndetësor ta shndërrojnë në mjet politikë dhe
luftarak për disiplinimin e masave të njerëzve, janë tendenca të gabueshme.
“Në Evropë dhe në botë tashmë po vendosen kufizime, për qytetarët e pa vaksinuar.
Për hyrjen në një hapësirë të mbyllur, për qasjen deri te shërbimet sportive
ose tjera, kërkohet certifikata e vaksinimit. Vendet tashmë janë duke i paralajmëruar
qytetarët e tyre që të vaksinohen me qëllim që të mos përballen me kufizime për
funksionim normal. Apeloj deri te të gjithë qytetarët të cilët ende nuk janë vaksinuar,
që këtë gjë ta bëjnë sa më shpejtë. Vaksinat janë të sigurta dhe efikase, vetëm
vaksinimi masiv mund që t`i jap fund pandemisë botërore kovid”, deklaroi
ministri i shëndetësisë, Venko Filipce si dhe paralajmëroi se kufizime të këtilla
mund të ketë edhe në Maqedoninë e Veriut që nga vjeshta e vitit 2021.
Pasi që situata qenka e këtillë, se vaksinimi qenka mjet shëndetësor e jo
politik dhe ushtarak, pse nuk e obliguat qysh në fillim këtë masë? Apo ndoshta
ju politikanët keni nevojë për masa të njerëzve të cilët nuk do të ju përgjigjen
dhunës tuaj dhe ju të përdorni edhe mekanizmat tjera shëndetësor për të qetësuar
situata të caktuara shoqërore dhe për t`i dhënë mesazhin qytetarëve tjerë se ja
çka ju gjen nëse nuk na bindeni?
Përndryshe nëse vaksinimin do ta përdornit vetëm si një proces për mbrojtjen
e popullsisë nga një sëmundje, këtë gjë do ta kishit bërë obligative qysh në
fillim, pa pasur nevojë për kalkulime të këtilla dhe krijimin e qëllimshëm të
problemeve dhe pakënaqësive tek njerëzit.