Monday, June 14, 2021

Si ta krijosh një lajm mbrapsht?

 Hamdi Nuhiju

Metodologjia e punës së një gazetari lidhet direkt me krijimin e opinionit publik si dhe perceptimit të njerëzve në lidhje me jetën dhe gjithçka që ndodh në këtë botë. Nëse të gjithë njerëzit mendojnë se në këtë moment është ditë, ti si gazetar bënë të pamundurën për t`ia hedhur poshtë këtë mendim, ose për t`ia ndryshuar perceptimin një pjese prej tyre. Kjo gjë duhet të krijoje rezultate të tilla që një pjesë e opinionit në mesditë të jetë i hutuar dhe të thotë në veti: ore përnjëmend nuk qenka ditë. Ky është një version i definicionit të krijimit të një lajmi mbrapsht.
Versioni tjetër i krijimit të lajmit të mbrapsht ka të bëje me zhvendosjen e prioriteteve dhe kthimin e syve të opinionit në gjëra të pavlefshme. Me të vërtetë niveli i varfërisë në Maqedoninë e Veriut është në rritje e sipër deri në përmasa të papërballueshme për qytetarin, por kjo gjë nuk duhet të jetë në listën e prioriteteve. Listë e prioriteteve duhet të jetë agjenda e gjelbër, ideja se çka i tha Dema Kadrisë.
Dema i kish thënë Kadrisë në kryen e herës, në krye titull, në krye lajm, në lajmet e orës 19. Ky është fillimi i lajmeve! Mbarimi ka të bëje me përgjigjen e Kadrisë që ia dha Demës dhe shtjellimit të rrethanave dhe kushteve kur Kadrija iu përgjigj Demës në atë mënyrë.
Filloi dhe përfundoi viti, valixhet i bëre gati sepse viza e punës për në Gjermani t`u pranua, u nise për në Gjermani, u fute në punë në Mek Donalds me diplomën e masterit, e ke marr një banesë dy me dy ku po e paguan 600 euro qiranë, fillove nëpër biseda në kafe të lavdërohesh se sa të do shefi dhe ende nuk e ke kuptuar çka i tha Dema Kadrisë? Në rrjetet sociale e kërkon kuptimin e jetës dhe e shfryn dufin për këtë mister shekullor të jetës tënde.
Lajmi mbrapsht është lajm me porosi. Realisht grupet e interesit në krejt botën prodhojnë lajme të mbrapshta në bashkëpunim me gazetarët të cilët e marrin përsipër këtë detyrë.
Lajmi i mbrapshtë nuk është informim për situatën, gjendjen, rrethanën, por përzierje në agjendë të opinionit publik, krijim të një perceptimi i cili ndikon negativisht tek shumica e të rinjve.
E lexova një ditë një lajm me titull se “Filan fistek politikani i urren turqit”, ndërsa brendia e lajmit ishte një qëndrim i një politikani të caktuar shqiptarë në lidhje me një ngjarje historike midis shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane. Titulli i lajmit ishte perceptim i mbrapshtë i gazetarit për politikanin dhe situatën e caktuar. A me të vërtetë ky politikan i urren turqit, apo ndoshta gazetari po dëshiron që ky politikan t`i urreje turqit?
Lajmi i mbrapsht qëndron në këmbë të veta edhe fal vesveseve të njerëzve për të parë perceptime të cilat nuk janë të zakonshme. Informimi si proces ndonjëherë edhe i lodh, prandaj edhe njerëzit duan që ta ndryshojnë rrjedhën e përditshmërisë dhe të dëgjojnë lajme dhe informata të llojeve të ndryshme. Njerëzit janë të tillë, kanë ego, janë me vesvese.
Një shembull konkret e pasqyron shumë bukur këtë që po e shkruaj: para një kohe patëm një konflikt në Palestinë midis izraelitëve dhe palestinezëve,si dhe në arenën ndërkombëtare lexuam lajme të ndryshme për përfshirjen e Turqisë në aspektin diplomatik. Kjo është pjesa e parë e medaljes.
Pjesa e dytë ka të bëje me dëshirën e rrejshme të njerëzve: në rrjetet sociale njerëz me fakultet e drejtime të caktuara shpërndanin fotografi të montuara ku shihej ushtria turke në Xhaminë Aksa. Ky është perceptim i mbrapshtë! Kjo është lojë e kënaqjes së egos, e jo e zgjidhjes së problemeve.

Friday, June 11, 2021

Si ta lexosh një lajm mbrapsht?

 

Hamdi Nuhiju

Rregulli kryesor i leximit mbrapsht të një lajmi është që ta lexosh si të konvenon ty, jo si është në realitet. Fillo me keqkuptime, nxiti keqkuptimet, futu në paragjykime. Rruga më e lehtë për ta arritur këtë gjë është ta lexosh vetëm titullin e një lajmi. A e di pse? Sepse gazetari në anën tjetër të monitorit e di saktë qëllimin tënd në lidhje me lajmin që ai e prodhon. Prandaj edhe e bënë të pamundurën që qysh në titull të lajmit ti ta marrësh vetëm atë që të konvenon.

Lexo me nënkuptime! Zhvendosi argumentet e lajmit, përzieji paragrafët. Krijo një lëmsh të tillë që vetëm ajo që ty të konvenon të qëndroje në spikame.

A u shpallë aksidentalisht i vdekur aktori  madh Mirush Kabashi? Nga gazetari? Nga mediumi? Nga leximi mbrapsht i lajmit? Apo nga të gjithë bashkë? Nëse lajmin do ta lexonim drejt, Mirush Kabashi do të ishte gjallë edhe në ditën e shpalljes së vdekjes së tij. Por ti e keqkuptove. U kënaqe duke e keqkuptuar, e lexove mbrapsht.

A u shpallë aksidentalisht i vdekur dijetari i madh Jusuf Kardavi? Tash i ka afër 100 vjet, edhe është i fort si një mal. Por nëse do ta shohësh të vdekur Jusuf Kardavin dhe qëllimi yt është sensacioni, ti në momentet kur ai është në spital, në gjendje kritike me shëndetin, para kohe do ta shpallësh të vdekur. Si lexues, kur e sheh titullin dhe brendinë e lajmit e lexon mbrapshtë, e kupton se shpirti dhe mendja jote e dëshiron të vdekur Jusuf Kardavin. E krijon fantazinë, narracionin dhe me vrap shtyp butonat e androidit ose iphone dhe çurravitesh në rrjetet sociale. E kam dashur fort Mirush Kabashin! Po, me pas dashur fort nuk e kishe shpallur të vdekur.

Pësoi aksident trafiku deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajcinovci. Dhe fillojnë nënkuptimet, pyetjet, keqkuptimet, zhvendosjet e argumenteve. Thanë se ishte fat në fatkeqësi se ka pasur veturën të tillë si e ka pasur, se ka mundur që ta pësoje me jetë. Pas këtij lajmi dëgjuam pyetjet e këtij lloji: kush dëshiroi që ta likuidoje këtë deputet në këtë mënyrë? Mirëpo lajmi ishte ndryshe. Deputeti pësoi aksident, nuk u lëndua, pati vetëm dëme materiale. Kaq. Prapë aktiviteti i tij politik ka vazhduar edhe pas atij aksidenti si dhe me siguri se një grupi të caktuar të interesit nuk i pëlqejnë përsëri mendimet dhe idetë e tij.

Hoxha Jakup Asipi para disa viteve vdiq në një aksident trafiku. Leximi i lajmit mbrapshtë: i kanë bërë dredhi në makinë dhe në këtë mënyrë kanë shkaktuar aksidentin që ka pasur si rezultat vdekjen e tij.

Leximi i lajmit mbrapshtë kërkon një mendje djallëzore! Mendja djallëzore nuk duhet të jetë e pa ushtruar dhe zhvilluar. Nëse mendja kthehet në binaret e duhura, nuk do të shpallej i vdekur asnjë njeri që është i gjallë.

Porse mendja e djallëzuar në rrolin e avokatit duhet të ekzistoje tek grupet e gazetarëve, profesionistëve medial, punonjësve në departamentet marrëdhënie me publikun, përpiluesve të strategjive politike.

Një mendje e padjallëzuar është e filtruar dhe e çliruar nga skenarët. Nuk ngacmon dhe nuk krijon skenarë paraprake. Është mendje e pastër si loti!

Ti që e lexove këtë tekst, mos e lexo shkrimin mbrapsht! Krijo ekuilibrin midis interesit të përgjithshëm, atij personal dhe në fund vendos, do ta shpallim të vdekur autorin e këtij teksti, apo këtë gjë do t`ia lëmë në dorë CAKTIMIT.

 

 

Friday, June 4, 2021

Përse martohet gruaja, përgjigjet Koeljo

 Hamdi Nuhiju

“Zahiri” është njëra prej veprave më të bukura që kam lexuar nga Pauelo Koeljo. E di se një pjesë e juaj nuk pajtohet me mua. Dikush pëlqen “Dorëshkrimet nga Akra”, tjetri ‘Alefin’, tjetri “11 minuta”, tjetri ‘Veronika vendosi të vdes’, tjetri ‘Alkimisti’, tjetri ‘Spiunja’, tjetri ‘ Ditari i një magjistari’, e kështu me radhë. Apo ndoshta nuk keni lexuar asnjërin?

Dikush njëherë më pyeti, pse romanet e Koeljos dhe librat tjera nga letërsia po edhe të drejtimeve tjera i blen në gjuhën maqedonase? Iu përgjigja: për shkak të çmimit. Po, është e vërtetë! Kush ia mundëson studentit leximin e romaneve dhe librave të ndryshme interesante me çmime të tilla që sillen prej 3 euro deri në 6 euro maksimum? Për shembull, Haruki Murakami në gjuhën shqipe blihet me një çmim prej afër 10 euro më e lira, ndërsa në gjuhën maqedonase 3 euro më e lira.

Për atë që në këtë moment është duke u matur për të më drejtuar disa sharje kreative kam një pyetje: Ku dallon Pauelo Koeljo në gjuhën shqipe nga ai në gjuhën maqedonase? Është i njëjti. Me nuanca dallim në mjeshtëritë e përkthimit. Të lexosh në shqip, në anglisht dhe në maqedonisht ndoshta edhe mund të pasurohesh më shumë. Por buxhetin kur e ke të kufizuar, midis tre versioneve është më mirë ta blesh më të lirin sesa të dorëzohesh. Tashmë hapa një dritare për të cilën duhet diskutuar sinqerisht të gjitha institucionet shqiptare: sa bëjnë ata për ta ofruar librin tek lexuesi me çmime të arritshme për buxhetin e një studenti? Deri më sot nuk kam parë se është bërë diçka në këtë drejtim.

Por të kthehemi te Koeljo, konkretisht te “Zahiri”, më konkretisht te çështja “Përse martohet gruaja?”

-Për seksin? Jo, përgjigjet Koeljo në romanin e tij “Zahiri”. Nuk e ka frikë si opsion, nuk e paragjykon seksin e as procesin e riprodhimit dhe arritjes së kënaqësisë.

-Për ushqimin. Konkretisht për procesin e ushqimit. Më konkretisht për procesin e konsumimit të ushqimit. Më konkretisht për procesin e konsumimit të ushqimit nga burri, përgjigjet Koeljo dhe duket sikur është në vijë të vrazhdë dhe të kundërt me idetë e feminizmit.

Feminizmi dhe Koeljo nuk janë të ndarë nga njëri-tjetri, ata janë një trup. Tentimi për ndarje është i qëllimshëm, mesazhi i romanit të tij nuk është ky.

Keni parë dhe dëgjuar shpesh për kënaqësinë e gruas në përgatitjen e ushqimit. Këtë gjë mund ta shohim dhe përjetojmë zakonisht gjatë festave të ndryshme. Sa i kushtojnë rëndësi gratë procesit të përgatitjes se bakllavasë? Po të kishte ngelur në duart e burrave ky ritual, jam i bindur se të gjitha festat do të na kalonin të zbehta, pa bakllava brenda.

Shumë gra e përmendin nën zë dhe me zë faktin “Ti jeton nga duart e mia”. Gruaja kënaqet kur e sheh burrin duke u ushqyer. Ajo frikësohet nga ideja e mospasjes ose varfërisë, sqaron Koeljo.

“Zahiri” është një vepër monumentale, i rëndësishëm si mëlmesa që gruaja ia hedh gjellëve më të mira.

 

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...