Friday, February 26, 2010

Kultura vs civilizimi

Kultura vs civilizimi
Hamdi Nuhiju
( Gazeta Impakt nr.1, 15 nentor 2009, f.8)

Shumë njerëz nuk dinë ose nuk duan të bëjnë dallimin midis kulturës dhe civilizimit. Ata keqkuptojnë dhe keqinterpretojnë mendimet e tyre kur janë në pyetje këto dy koncepte mjaft të rëndësishme për vet shoqërinë njerëzore. Nuk duan ose nuk dinë, është një element i cili duhet të kihet parasysh gjithmonë.

Njerëzit gjatë historisë së veprimtarisë së tyre në shoqëri shpesh herë dinë edhe të duken se nuk dinë, ndërsa në fakt dinë shumë gjëra dhe shumë veprime, por duan të duken si të tillë. Varet prej pozicionimit ose interesit të tyre shoqëror se si ata veprojnë. Disa duken se dinë por në fakt nuk dinë dhe si të tillë dëmtojnë imazhin e vetvetes dhe në këtë mënyrë rrezatojnë mendime shumë të papjekura. Bota është shumë e vogël për tu kapur në mentalitetin tonë të gjerë i cili mentalitet shpesh herë di të zhbiroj konceptet ndërmjet veti. Sociologët do të mendonin këto terme vetëm në suaza të raporteve shoqërore, pa përfshirë aty sjelljet, doket, normat dhe mënyrën e të menduarit. Edhe pse këto koncepte duken si të vrazhda dhe të pabaza, njeriu gjen kahen ose orientimin e asaj që e quajmë anë shpirtërore e tij. Ana materiale nuk mundet të jetë në kundërshtim me anën shpirtërore. Përderisa ana shpirtërore si mbulesë të saj ka anën materiale dhe jo e kundërta, atëherë duhet të zhveshët mendimi dogmatik se mund të ekzistojë njëra anë pa anën tjetër.
Njeriu gjithmonë do të ketë nevojë të ndjej veten mirë, rehatshëm dhe i mbushur plot e përplot emocion. Teknika dhe teknologjia de fakto e mbytën atë rehatinë shpirtërore dhe e orientuan krejt forcën kah zhvillimi i industrisë ose të gjitha forcat i perfeksionuan kah shërbimi i mjeteve industriale. Industrializimi i popujve nuk duhet të jetë në kundërshtim me dogmat e primitivizmit siç e quajnë disa të kaluarën e larmishme kulturore të popujve të ndryshëm.
Raportin ose dallimin midis kulturës dhe civilizimit shumë bukur e sqaron eruditi i mendimit bashkëkohor Alia Izetbegoviq i cili thotë:” Bartës i kulturës është njeriu, bartës i civilizimit është shoqëria. Caku i kulturës është pushteti mbi veten përmes edukimit; caku i civilizimit është pushteti mbi natyrën përmes shkencës. Kulturës i përket njeriu, filozofia, arti, poezia, morali, besimet. Civilizimit i përket shteti, shkenca, qytetet, teknika. Instrumentet e tij janë mendimi, ligjërimi, alfabeti. Kultura dhe civilizimi kanë atë raport sikur qiellorja me tokësoren, sikur Civitas Dei e Civitas solis. Njëra është dramë, tjetra utopi.” Ai më tej thekson:” Civilizimi arsimon, kultura edukon. I pari kërkon mësim, e dyta meditim.”
Nga përsiatja e këtillë rreth kulturës dhe civilizimit na dalin në pah shumë elemente të cilat ne ndoshta nuk do të kishim mundësi ti kuptonim pa i ndjerë ose edhe pa u thelluar në to. Edhe pse njëra anë i përket individit dhe tjetra shoqërisë, të dy anët janë tërësi në vete të cilat paraqesin fytyrën reale të popujve në botë. Reflektimi i të gjitha problemeve midis individëve dhe shoqërive bëhet në mungesë ose edhe përmes këtyre elementeve të domosdoshme të themelimit të një personaliteti të shëndosh ose të sëmur. Është mirë të dihen të gjitha simptomat e sëmundjes së personalitetit të njeriut me qëllim që njeriu të ketë hapësirë drejtë mënjanimit të atyre sëmundjeve përmes barërave të ndryshme të cilat do të jenë ndoshta të hidhura por mbi të gjitha do të ndikojnë direkt drejtë largimit të sëmundjeve. Sëmundjet e personalitetit të njeriut mund të jenë të ndryshme. Në mesin tonë si shembull më të realët të një personaliteti me paragjykime kemi Maks Velon. Ai gati në çdo paraqitje të tij në media thekson haptas pikëpamjet e tij raciste ndaj myslimanëve shqiptar duke i sulmuar ato. E tërë veprimtaria e tij publicistike bazohet në këtë element të ndjeshëm. Si nëpër shkrime ashtu edhe përmes deklaratave të tij nëpër media paraqitet fytyra e brishtë e një personaliteti të mbushur plot e përplot paragjykime. Paragjykimet ekzistojnë për diçka në mungesë të mosnjohjes sonë me ato gjëra ose ato dukuri e sende. Ai i frikësohet grave tona me shami pasi që ende nuk i ka të larguara prej mendjes komplekset e tij të komunizmit ku duhej ti bëhej amin çdo veprimi anti-shqiptar nga ana e diktatorit të atëhershëm. Ilaçi i vetëm dhe më i saktë ndaj frikës është dituria, ndërsa Maks Velo frikësohet edhe nga minaret të cilat ngjajnë në raketat bërthamore të Iranit. Fatkeqësisht në popullin tonë nuk kemi vetëm Maks Velon si një njeri me paragjykime ndaj gjithçkaje civilizuese ose kulturore. Kemi një armatë njerëzish të cilët mendojnë dhe veprojnë si ai.
Të vërtetën e tha shkrimtari japonez Kavabata një vit para vdekjes së tij kur shkroi:” Njerëzit nga njëri-tjetri janë ndarë me mur betoni, që pengon çdo rrjedhë të dashurisë. Natyra gulçimet në emër të zhvillimit.” Muret ndërmjet veti i ndërtojmë vet përmes mospranimit të ideve dhe në mungesë të kulturës së të jetuarit. Paragjykimet e mbysin komunikimin midis njerëzve, popujve, shteteve, dhe në këtë mënyrë krijohet një kaos i frikës dhe i izolimit. Shumë shkrimtar japonez kanë bërë vetëvrasje si rezultat i mospasjes hapësirë të shprehjes dhe jetesës së thjeshtë emotive e kulturore në vendin e tyre. Bota e betonizuar në të gjitha anët si në ide ashtu edhe në infrastrukturë e ka shndërruar njeriun e këtij shekulli në një makinë serike që punon për oligarkinë botërore. Ideja e pranimit ose mospranimit të ekzistencës dhe jetesës së tjetrit është një ide që duhet të dale në shesh dhe të mos fshehët në gërmadha. Ben Blushi përmes romanit të tij:” Të jetosh në ishull”, satanizon me kulturën dhe civilizimin duke krijuar reaksione të mëdha emotive tek shumica shqiptare. Në vend që të gjykohet ky veprim nga ana e elitës letrare shqiptare, në fakt ai duartrokitet në këmbë dhe në këtë mënyrë satanizimi i kulturës sonë vazhdon ende më tej përmes veprimeve të këtilla të papjekura ose të qëllimshme. Kultura jonë është zëvendësuar me organizime të shumta të ahengjeve në të cilat njeriu e humb vetëdijen përmes marihuanes, alkoolit dhe drogave të ndryshme të cilat përdoren kryesisht nga të rinjtë shqiptar që marrin pjesë në organizime të këtilla. Fatkeqësisht në organizime të këtilla kemi pa edhe dalldisjen e disa politikanëve tanë shqiptar të cilët në vend që të kujdesen për ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore ato bëhen pjesë e mbytjes së rinisë në humbje të vetëdijes dhe jo në civilizim të saj përmes ngritjes së vetëdijes.
Madje veprimtaria e shërbimeve sekrete në Ballkan shpesh herë organizon ahengje të këtilla, ku rolin kryesor e kanë informatorët të infiltruar në mesin e të rinjve. Ata janë në gjendje të shpenzojnë shuma të mëdha parash në organizime të këtilla për të arritur dy qëllime esenciale, humbjen e vetëdijes tek të rinjtë dhe të rejat tona, dhe marrjen e informatës së caktuar. Njerëzit e këtillë të cilët abuzojnë me kulturën në emër të civilizimit duhet që të izolohen përmes ngjalljes së kulturës së vërtet të popullit tonë. Nëse nuk izolohen për shumë pak vite do të kemi një rini të sëmurë dhe tradita e personaliteteve të tilla si Maks Velo me paragjykime do të vazhdonte skajmërisht deri në pafundësi.
Duam ose nuk duam për të ringjallur kulturën, artin, letërsinë, pikturën e poezinë duhet që të kemi mbështetje financiare nga ana e qeverive të ndryshme. Shqiptarët e Republikës së Maqedonisë jo që kanë mbështetje financiare për organizime kulturore dhe artistike të tyre, por madje ata edhe sulmohen përmes një akademie shkencash duke u quajtur me emra të ndryshëm të cilët akademik e zhveshin tërësisht kulturën shqiptare prej ekzistencës së saj në trojet Ballkanike. Jemi tërësisht të vetëdijshëm se ky shtet asnjëherë nuk ka investuar në ndërtimin e raporteve të mira multi-kulturore me etnitetet tjera këtu edhe pse konstituimi i saj është multi-kulturor. Në këtë rast mungesa e drejtësisë dhe e “policit ndërkombëtar” që do të kujdesej për ruajtjen e kësaj drejtësie e bënë të veten. Shpenzohen me mijëra euro në organizmin e Mbrëmjeve Poetike Strugave, ndërsa “Ditët e Naimit” organizohen me shumë vështirësi të mëdha ekonomike, plus asaj pa mbështetje mediatike të mediumit shtetëror në këtë vend. Në skenën e muzikës shqiptare është i njohur organizimi i “Nota festit” i cili organizim sivjet nuk do të mbahet ose do të shtyhet organizimi i saj në mungesë të mjeteve financiare. Rëndësia e këtij organizimi për shqiptarët e gadishullit Ballkanik është shumë e madhe, ndërsa mungesat financiare e bëjnë që edhe ky eveniment të shuhet tërësisht prej skenës. Në Maqedoni ekziston i vetmi institut i trashëgimisë kulturore-shpirtërore të shqiptarëve i cili institut si duket ekziston vetëm në letër pa asnjë aktivitet konkret. Objektet e këtij instituti tashmë gjenden në ish-ambasadën amerikane në Shkup me një vendim të qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
Nga ana e organizatës jo qeveritare Forumi Rinor Islam në Maqedoni bëhet zgjedhja e nxënësve dhe studentëve më të mirë shqiptar në Maqedoni me rastin e vitit të ri islam hixhri, një organizim i cili kushton me mijëra euro dhe pa asnjë përkrahje financiare e morale nga ana e qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Me rastin e ditëlindjes së Profetit Muhamed nga ana e kësaj organizate po edhe nga ana e organizatave tjera jo qeveritare në Maqedoni, në pjesën më të madhe të qyteteve të Maqedonisë organizohen programe të pasura kulturore të cilat nuk kanë asnjë mbështetje as nga ana e partive politike shqiptare në vend, e të mos flasim nga ana e qeverisë së këtij vendi. Shqiptarët e këtij vendi, kanë të vetmin teatër kombëtar në Shkup, i cili në pjesën më të madhe të vitit është i mbyllur për publikun dhe punëtorët aty për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Ndërsa nga aspekti i librit shqip, organizohen panaire të shumta në Maqedoni, por qeveria e këtij vendi gjithherë i bënë probleme botuesve shqiptar nga Shqipëria dhe Kosova. Në këtë mënyrë pengesë e bashkëpunimit kulturor midis shqiptarëve të gadishullit Ballkanik paraqitet politika e cila i ka zgjatur duart e saj në të gjitha poret e jetës.
Në Maqedoninë e pasluftës së 2001, u organizuan edhe disa ekspozita të piktorëve të rinj shqiptar të cilët në skenën e artit janë njerëz të kualifikuar ndërkombëtarisht.
Maqedonia ka një trashëgimi të bujshme të objekteve kulturore osmane të cilat objekte duhet ti shfrytëzoj në ngjalljen e jetës kulturore.
Gjuha e popujve që jetojnë në Maqedoni po edhe në gadishullin Ballkanik duhet të jetë gjuhë në frymën e kulturës, tolerancës, dashurisë, e mirëkuptimit, dhe jo gjuhë e urrejtjes, padrejtësisë, tradhtive dhe dhunës intelektuale.
Mevlana Xhelaludin Rumi ( -1273) na porositë:” Duaji njerëzit,/Ata për të mos qenë vetëm/ Pranë teje të jenë/ Për këtë, vërtet për këtë,/Janë krijuar,/I gjithë universi/Me zinxhirë të dashurisë është lidhur,/”.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...