Friday, February 26, 2010

“Shkupi-2014” projekt diskriminues…!!!

“Shkupi-2014” projekt diskriminues…!!!
Hamdi Nuhiju
( Gazeta Impakt, 15 shkurt 2010, nr.6, f.10)

Këto ditë u promovua cd-ja vizuale e planit urbanistik për Komunën Qendër të titulluar “ Shkupi-2014”. Ky plan përveç që mban një kosto të lartë financiare, mbi 200 milion euro, ai mban edhe shumë diskriminime fetare, nacionale, e gjinore në Republikën e Maqedonisë.

 Kjo kosto mbulohet nga buxheti i qeverisë së Republikës së Maqedonisë, dhe plani është mbykqyrur direkt nga ana e përfaqësuesve të kësaj qeverie. Ndërsa për buxhetin e qeverisë së Republikës së Maqedonisë kontribuojnë të gjithë qytetarët e saj duke nisur nga : maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët, serbët, boshnjakët, dhe etnitetet tjera.
Në të nuk janë të përfshira asnjë figurë historike shqiptare, nuk është përfshirë edhe rindërtimi i Burmali Xhamisë. Nga ana tjetër, në koston financiare të këtij plani nuk është përfshirë edhe ndërtimi i kishës “ Shën Konstantin dhe Elena”, pasi që kostoja financiare për ndërtimin e kësaj kishe i ngelet Kishës Ortodokse Maqedonase, të cilës i lindën probleme plus me ardhjen në krye të Kishës Ortodokse Serbe të Peshkopit të Nishit, i cili tashmë është bërë patriark Irinej Gavriloviç. Ky i fundit i shtoi problemet ndërmjet Kishës Ortodokse Maqedonase me Kishën Ortodokse Serbe duke e futur në lojë “heretikun” maqedonas Vranishkovski.
Në planin urbanistik “Shkupi-2014” është paraparë ndërtimi i kishës ortodokse, ndërsa askund nuk figuron rindërtimi i Burmali Xhamisë. Pati shumë reagime kundër këtij projekti të Komunës Qendër në bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë. Reagoi lëvizja qytetare “ Zgjohu”, Bashkimi Demokratik për Integrim, Bashkësia Islame e Maqedonisë, Këshilli Koordinativ për rindërtimin e Burmali Xhamisë, në mesin e reagimeve patëm edhe një protestë të realizuar nga lëvizja qytetare “Плоштад слобода- Liria e qendrës” të udhëhequr nga Nikolla Naumovski. Edhe opozita më e madhe maqedonase është kundër këtij projekti i cili projekt nga ana e tyre vlerësohet si diskriminues dhe abuzues me mjetet e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.
Në anën tjetër na bëjnë interesante relacionin e demokracisë në Republikën e Maqedonisë dy elemente shumë të rëndësishme të cekura nga dy personalitete mjaft të njohura. Njëri është filozof, ndërsa tjetri kryetar shteti.
Prof.Dr. Ferid Muhiç në librin e tij “ Për Maqedoninë” ndërmjet tjerash shkruan:” „Takimi“ – nëse nuk do të ekzistonte Maqedonia! Për atë, Maqedonia si „ vend në të cilin takohen civilizimet”, dhe më shumë, “ ajo për çka botët janë të lidhura”, është ekuivalent universal.
Ndërsa kryetari i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në një forum për mbrojtje dhe siguri të organizuar në Minhen tha:” Seria e konflikteve nga fundi i shekullit 20 çka e përfshiu edhe Maqedoninë në vitin 2001 dha model i cili mund të shërbejë në zgjidhjen e problemeve të ngjashme në pjesën tjera të botës, a ajo është Marrëveshja Kornizë e Ohrit”.
Këto dy mendime sa janë kontroverse, janë aq edhe absurde për përditshmërinë dhe realitetin që mbretëron në këtë shtet. Profesori universitar Ferid Muhiç flet për Maqedoninë antike, dhe ai thotë se ajo Maqedoni është lidhëse e civilizimeve dhe simbol i drejtësisë ndaj të cilës Maqedoni të gjithë popujt e botës kanë lakmi. Por, përderisa maqedonasit e sotshëm thirren në Maqedoninë antike si pjesë të kulturës, civilizimit dhe të kaluarës së tyre, ne kemi të drejtë që këtë thënie ta komentojmë me aktualitetin e sotshëm.
Ai ndërmjet tjerash Maqedoninë e përshkroi si Gadishull që të tjerët i mësoi që të bëhen kontinent. Po, si të bëhen kontinent? Duke krijuar përçarje ndëretnike, duke i detyruar nxënësit shqiptar qysh prej klasës së parë të mësojnë maqedonisht, duke i quajtur qytetarët e vet shtet formues si çoban që kanë ardhur prej maleve, duke luajtur me kulturën dhe civilizimin e 60 % të popullsisë së Maqedonisë e që janë mysliman? Nga kjo qeveri kërkohet me ngulm që të zgjidhet kontesti i emrit kushtetues me Greqinë, ndërsa në anën tjetër pala greke provokohet në mënyra të ndryshme.
Projekti i fundit i kësaj qeverie, ai i planit urbanistik për qytetin e Shkupit është kulmi i diskriminimeve të cilat kanë ndodhur gjatë këtyre viteve në Maqedoni. Nuk ka më asnjë bazë logjike që Bashkimi Demokratik për Integrim të qëndroj edhe më tej në këtë qeveri e cila të gjithë njerëzit në këtë shtet i bëri opozitë përveç elektoratit të vet. Në një emision të organizuar në A1 për çështjen e kontestit ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë, një rrëfim i një greku ishte shumë interesant. Ai pa fije frike, në mes të Shkupit tha se është sa maqedonas aq edhe grek, por mbi të gjitha grek. Identiteti i tij ndërtohej mbi katër baza, ku njëra prej këtyre bazave ishte maqedonas, dhe vetëm për këtë element të ndjeshëm edhe vet politika greke nuk po lëshon pe. Ndërsa shqiptarët e Maqedonisë jo vetëm për një element të një bazës sonë po diskriminohemi, por ne faktikisht gjendemi pa bazë. Nuk po jemi në gjendje që të ndryshojmë kahen e politikës së këtij shteti edhe pse jemi pjese përbërëse e qeverisë.
Nikolla Gruevski partinë shqiptare në pushtet e shndërroi në opozitë përmes një plani të menduar shumë herët para zgjedhjeve. Ai e ka përgatitur me mjaft mjeshtëri terrenin që sot të sjelle para opinionit një plan urbanistik i cili plan ligjërisht nuk ka asnjë shans që të sulmohet nga ana e shqiptarëve dhe etniteteve tjera në këtë vend. Ekzistojnë disa shtege të cilat mund të jenë fitimprurës në rast se dimë t`i përdorim mirë, e ato janë bojkotimi i kësaj qeverie nga ana e shqiptarëve të këtij vendi, por edhe nga ana e të gjitha partive politike shqiptare në këtë vend, mos marrja pjesë në zgjedhje, etj.
Ndërsa fjala e kryetarit të Republikës së Maqedonisë na habit ende më shumë sesa konstatimi i këtij filozofi të madh boshnjak i cili mund të jetë me vend nëse merret për një periudhë të caktuar historike. Ai është “krijesë politike” e Nikolla Gruevskit dhe pjesë e gatimeve të këtyre diskriminimeve etnike, fetare, kulturore e gjinore në Republikën e Maqedonisë.
Është interesant të ceket edhe reagimi i Afrim Tahirit ( sekretar i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni) , për këtë projektin e fundit të planit urbanistik. Për të përditshmen “ Lajm” ai tha:” “Në janar 2008 pazarllëku i PDSH-së ishte që të ndërtohet kishë në qendër të Shkupit dhe Çarshi Tupan xhamia në Tetovë. Kurse në qershor 2009 kur në pushtet ishte BDI-ja, iu nda trualli kishës, kurse jo edhe xhamisë. Ku ishin këta dy parti kur ishte puna për Xhaminë Burmali? Ky është shpërblimi më i madh që ata u japin shqiptarëve”.
Gishti është i drejtuar në kahen e duhur! I mbajmë mend shumë mirë sloganet e dy partive politike shqiptare në zgjedhjet e fundit parlamentare të cilat ishin, ajo e PDSH “ Vazhdojmë shqip”, ndërsa e BDI “ Ne e mbajmë fjalën”. Është e saktë dhe e qartë se dy partitë politike shqiptare e mbajnë fjalën dhe vazhdojnë shqip. Ata flasin shqip nëpër zyrat e tyre, bile edhe ndërmjet veti i ndajnë tenderët shqip, ndërsa e mbajnë fjalën, ngaqë përqindjet e caktuara të fitimit prej tenderëve i dërgojnë në kohë të saktë. Ndërsa kur është në pyetje interesi kombëtar dhe fetar i shqiptarëve mysliman të këtij shteti, ata fillojnë që të mendojnë maqedonisht dhe edhe pse ngrenë zërin, zëri i tyre nuk dëgjohet as nga veshët e miut.
Nuk ka dyshim se ky plan urbanistik është në dëm të Maqedonisë, dhe është plan i cili Maqedoninë e kthen në vitin 2001. E mira e vetme e këtij plani është ajo se u testuan politikanët tanë të harxhuar në skenën politike se sa janë të përgjegjshëm për amanetin e popullit tonë.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...