Hamdi Nuhiju
Ka më shumë se një muaj që tema e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare po
flitet haptas nga të gjitha palët në skenën politike shqiptare dhe maqedonase në
Maqedoninë e Veriut. Po bëhen matjet e rejtingut të partive politike, po ndodh
strukturimi i disa partive si dhe përgatitja për t`u përballur në betejën e
ardhshme politike të dy formacioneve pozitë-opozitë, por tashmë krejtësisht në
rrethana tjera.
Për përcjellësit e ngjarjeve politike në Maqedoninë e Veriut është e
habitshme se si për thuajse dy vite të ndryshojnë aq shumë rrethanat, njerëzit të
zhgënjehen nga disa vendime për disa pozicione të caktuara dhe për amnisti
pakushte ndaj koalicionit qeveritar BDI nga ana e LSDM-së dhe liderit të saj
Zoran Zaev.
Zoran Zaev e ka nuhatur saktësisht pozicionin dhe kërkesën kryesore të opozitës
maqedonase dhe shqiptare dhe për këtë arsye në lojën “tre hapa” po tenton që
t`i ofroj “Kalin e Trojës” duke mos e dëshiruar aspak përballjen me besimin e
qytetarëve.
Në lojën “tre hapa” Zoran Zaev paralajmëroi se nëse nuk marrim datë në
tetor për nisjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE do të shpallte
zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Pastaj e hodhi në skenë “Kalin e Trojës” dhe Zoran Zaev tha:” Kemi vendosur kështu me qëllim që që të
dërgojmë mesazhin te vendet anëtare të BE-së se nuk do të lejojmë edhe njëherë
të kthehet nacionalizmi, radikalizmi dhe populizmi në Maqedoninë e Veriut. Nuk
do të lejojmë që sërish të ndahet shoqëria dhe të konfrontohet me të gjitha
shtetet fqinjët. Ne ia kemi arritur qëllimit, deri në fund të vitit besojmë se
do të marrim datën andaj do të shkojmë vetëm në riformatimin e qeverisë, jo më
shumë se të tetë ministrive”.( Radio Evropa e Lirë, 16, qershor, 2019)
Kanë nisur edhe të shpërthejnë “bombat” e El Chekës kundër BDI-së me një
strukturë të logjikshme e cila saktësisht do të diktonte kohën e përshtatshme për
mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. “Bombat” që po tentojnë ta
nxënë mat BDI-në e Ali Ahmetit po shndërrohen në aksione guerile, si dhe
protesta të cilat deri më tani haptas nuk kanë pasur përkrahjen e opozitës shqiptare.
BDI duke tentuar që t`i frenoj me kohë këto bomba, po i përdor të gjitha mekanizmat
shtetëror duke kërcënuar dhe shantazhuar edhe familjen e El Chekës, por edhe
duke u munduar që të pamundësoje përhapjen e atyre bombave të cilat deri më
tani janë shpërndarë si rrufe në çdo shtëpi të banueshme në Maqedoninë e
Veriut.
Gjatë periudhës së kampanjës për referendumin për ndryshimin e emrit
kushtetues të Maqedonisë, si dhe zgjedhjeve presidenciale, BDI-ja arriti që të
ristrukturonte partinë e saj, Forumin e Gruas, Forumin Rinor si dhe kryetarët e
degëve. Ka bërë përgatitjet e nevojshme organizative për t`u përballur edhe në
një betejë politike e cila nuk do të jetë aspak e lehtë. Por, edhe ajo në
stilin e njëjtë të Zoran Zaevit, në lojën “ tre hapa” deklaroi se janë për
zgjedhje të parakohshme parlamentare por për në muajin maj ose qershor të vitit
2020.
Kjo është skema e lojës “tre hapa” e BDI-së e shprehur përmes deputetit
Artan Grubi:
” Zgjedhjet e parakohshme
parlamentare nuk janë temë mes liderëve partiakë. Sigurisht që viti i ardhshëm
është vit zgjedhor. E dimë që zgjedhjet e rregullta janë në dhjetor, por besoj
se në negociata me partitë tjera politike do të gjejmë mirëkuptim që fushata të
zhvillohet pak më herët, që zgjedhjet të mbahen shumë më herët. Duhet të keni
parasysh se edhe në pajtim me Ligjin për Qeverinë duhet të kemi qeveri teknike
100 ditë para zgjedhjeve, kështu që nëse i kemi parasysh gjithë këto afate, do
të shihni se sivjet zaten nuk janë të mundshme zgjedhjet e parakohshme
parlamentare, e nuk janë as të preferuara sepse presim ta rrumbullakojmë
procesin e anëtarësimit në NATO dhe të marim datë për anëtarësim në BE”.
(Ilirianews, 10, korrik,2019)
Por “Kali i Trojës” i BDI-së ende nuk ka dal sheshas, gjë që presim në javët
ose muajt e ardhshëm ta kuptojmë ne dhe opozita shqiptare.
Përndryshe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela në vazhdimësi është
duke tentuar që të krijoje momente të favorshme për t`u shpallur zgjedhjet e
parakohshme parlamentare. Ai disa herë ka përmendur këtë kërkesë, por ne veçuam
atë të datës 25 maj 2019 në një intervistë për Radion Evropa e Lirë: ” Nëse marrim parasysh faktin se njëra ndër
çështjet më të rëndësishme për Bashkimin Evropian janë reformat në sistemin
gjyqësor, PSP e kështu me rradhë, atëherë të konkludojmë se arsyeja që ndoshta
nuk do të marrim datë është fakti që BDI është në koalicion me LSDM-në dhe ai
është faktori i cili pamundëson të ndodhin reformat e vërteta në aspektin
juridik në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Dhe duke pasur parasysh që
zgjedhjet përfundimisht do ta kthejnë demokracinë në shoqërinë shqiptare dhe
BDI do të shkoj në opozitë, mendoj se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do
të përshpejtojnë anëtarësimin në e Maqedonisë së Veriut në BE.”
Edhe opozita maqedonase ka përmendur disa herë kërkesën për dorëheqjen e
Zoran Zaevit e sidomos pas skandalit me komikët ukrainas të paraqitur si ish
presidenti Poroshenko dhe Stoltenberg.
Në anën tjetër, ambasadori francez Timonie ka qenë i hapur në lidhje me temën
e marrjes së datës së nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE
duke u shprehur me tone jo optimiste si dhe me kritika direkte për probleme të
brendshme politike sidomos në Komunën e Strugës.
Megjithatë në Maqedoni janë bërë aq shumë eksperimente saqë nuk do të
habiteshim me asgjë.
No comments:
Post a Comment