Mr. Hamdi Nuhiju
Këto ditë u përmbyllë ngjarja më e rëndësishme kulturore në Komunën e Likovës
dhe Kumanovës “ArtCamp” ku artist të ndryshëm u paraqitën me veprat e tyre
artistike para opinionit. Për së afërmi patëm mundësi të shijojmë mjeshtërinë
artistike duke u krenuar për nivelin dhe cilësinë që ata bartin e që mund të
krahasohen edhe me artist rajonal por edhe botëror.
Kjo ngjarje kulturore e përkrahur nga të gjithë, e sidomos nga ministria e kulturës
i ka dhënë jehon rajonit të Kumanovës si një vend ku lirshëm mund të kultivohen
vlerat e larta artistike. Por, u bë shumë zhurmë nga nata e dytë e ngjarjes,
nga lëshimet e qëllimshme ose pa qëllimta të organizatorëve duke zgjuar në
opinion pikëpyetje të ndryshme për prapavijë të mundshme eventuale.
U bë zhurmë edhe për zgjedhjen e lokacionit që nuk duhet të jetë ngarkesë për
artistët që morën pjesë në të e të ndihen me faj, por është një huqje e
organizatorëve.
Si një “provincialist” që jam e që nga 100 % aktivitete kulturore në Komunën
e Kumanovës e Likovës zakonisht i përcjelli 95 % të tyre, mora pjesë me shoqërinë
time edhe në ArtCamp. Dëshira ime ishte që ta përcjell stand up comedy nga
Hasim Memishi Sopi. I njëjti na bëri të qeshim me realitetin tonë të hidhur
politik e shoqëror duke zgjedhur situata të ndryshme nga përditshmëria e nga të
cilat mund të prodhohen komedi. U qeshëm dhe u kthjellëm për sjelljet tona të
mbrapshta, u edukuam për mënyrën se si sillemi me gratë, nëpër dasma, u vetëdijesuam
për parinë tonë politike e cila dukshëm është duke luajtur me fatin tonë. Pas paraqitjes
së aktorit tetovar Hasim Memishi Sopi, vijoi një çmenduri njerëzore e cila nuk
mund të shpjegohet as nga një provincialist si unë, e të mos flasim nga përparimtarët
që kanë marr në dorë çështjet e artit për t`i ecur para. Një digjej të cilit as
që dua t`ia mbaj mend emrin, lëshonte muzikë dhe në mes u futën artistët e
artistet me “skopsko” në dorë duke vallëzuar e kërcyer. Publiku nga anash
shikonte. Deri në përfundimin e performancës të këtij dixheji qëllimisht qëndrova
anash për të parë rrjedhën e mëtutjeshme të këtij ArtCampi. Pasi u nxehën mirë
artistët e artistet duke kërcyer e pirë “skopsko”, organizatorët lëshuan një zë
femre që kërkonte nga ne t`i lirojmë hapësirat e kampit. Artistët janë të
lodhur dhe duan pushim. Dhe ngadalë u lëshuam për te vetura që e kishim lënë afër
varrezave të dëshmorëve në Sllupcanin legjendar dhe u nisëm për në vendet tona.
Në pjesën e parë të mbrëmjes ku unë si provincialist mora pjesë i kuptova
mesazhet dhe qëllimet e ArtCampit, u dashurova në ArtCampin dhe thash në vete
shumë mirë që ekzistojnë organizime të këtilla.
Në pjesën e dytë u zhgënjeva. Ishte disko, nuk ishte ArtCamp. Te varrezat e
dëshmorëve. Kur dua të shkoj në disko, nuk i them shoqërisë time eja të shkojmë
në ArtCamp, por nisemi për në diskotekë. Realizojmë qëllimet tona dhe përsëri vazhdojmë
jetën. Shkojmë me kilometra larg, e tërë rruga na kushton mjete financiare,
plus para se të futemi në diskotekë duhet të paguajmë për hyrjen, kur futemi
brenda duhet të paguajmë për pijet, pimë, arrijmë qëllimet tona dhe kthehemi në
shtëpi. Mirëpo kjo gjë ngel në përgjegjësinë tonë provincialiste. Në këtë
veprim nuk merr pjesë edhe TJETRI me paratë e tij.
Pse paratë e ministrisë së kulturës duhet të përdoren për Disko-Party? Unë protestoj
që taksat e mia të shkojnë në organizime të Disko-Party. Nëse dikush do të i
vizitoje të njëjtat, le ta bëje me buxhetin e tij personal.
ArtCampi le të rroje, por si ArtCamp, e jo si disko PROVINCIALISTA.
No comments:
Post a Comment