Friday, February 26, 2010

1001 net politikë...!!!

1001 net politikë...!!!
Hamdi Nuhiju
( Gazeta Impakt, 1 janar 2010, nr.3, f.19)

Librin 1001 net ta lexosh dhe të mos inspirohesh e frymëzohesh për të shkruar, medituar, ose edhe kreiruar, është e pamundur. Ai libër i vjetër, shumë shekujsh, me faqet e trasha të përrallëzave arabe është melankolia e mendimeve të çiltra. Përmes tij njeriu mëson, madje edhe e gërryen mentalitetin e tij prej meskini drejtë një realizimi magjik të vetëdijes së lartë njerëzore.

 Moralet e këtij libri i hasim në praktikën e përditshme të njeriut modern. Jeta e njeriut ndërtohet përmes tyre. Autorët e dikurshëm ishin aq modest ndaj dijes, shkencës, dhe moralit të tyre saqë kontributet e tyre shkencore nuk i nënshkruanin me emrin dhe mbiemrin e tyre. Ndërkaq sot, për pseudo kontribute shkencore gjejmë shumë tituj akademik të njerëzve mendjeshkurtër. 1001 netët e librit magjik arab janë rrugëtimi i jetës në këtë botë të realët dhe jo përrallore. Bota duket ashtu si e paramendojnë në përrallëzat e mendjes sonë, ndërkaq është ashtu si e ndërton politika me të gjitha komponentët e saj.
Politika ka shumë definicione. Por, kryesorja e të gjithave është se ajo gjendet ndërmjet njeriut si pjesë e shoqërisë, ndërmjet shoqërisë dhe shtetit. Në mungesë të politikës dhe në prezencë të këtyre elementeve do të lindin shumë kaose.
Ata që se kuptojnë drejt politikën, veprojnë me të sikur të ishte pronë private e tyre dhe në këtë mënyrë krijojnë shumë hapësira për tu bërë të padrejtë. Ndoshta disa prej tyre edhe e njohin në thelb atë, por i konvenon që të jenë të padrejtë, të pamoralshëm dhe diktator. Sfera të ndryshme të politikës, e veçanërisht të padrejtësisë politike, ekonomike, sociale, religjioze, nacionale, brenda një mijë e një netëve të kaluara mund të gjejmë në qeverisjen e monarkut Nikolla Gruevski.
Kjo periudhë të cilën e përjetuam bashkë, është një periudhë e zhurmshme në arenën politike të Maqedonisë. Zhurma nuk krijohej vetëm nga pozita dhe opozita maqedonase, por zhurmë krijohej edhe prej institucioneve akademike të politizuara prej jashtë politikës brenda. Në secilin skaj të jetës së njeriut të thjeshtë nuk mund të gjejmë qetësi brenda kësaj periudhe. Patjetër të lind ndonjë ligj, ide, ose plan që nuk do të na lë rehat. Edhe pse arsyetimi i gjitha këtyre veprimeve është Evropa dhe civilizimi perëndimor, prapë se prapë realiteti është ballkanik.
Qeverisje më të padrejtë se qeverisja e Nikolla Gruevskit, nuk e besoj se shqiptarët e Maqedonisë kanë përjetuar ndonjëherë. Me këtë nuk amnistojmë veprimet e egra të partisë tjetër maqedonase ndaj shqiptarëve nëpër dekada të ndryshme, por megjithatë ajo ka qenë e ditur se është kundër shqiptarëve. Tashmë gjuha ka ndërruar, ledhatia e ariut është shtuar, porse problemet janë të njëjta ose edhe janë shtuar dukshëm edhe në shumë sfera tjera. Shqiptarët e Maqedonisë në kurriz të tyre përjetuan shumë gjenocide të cilat nga politika dhe bota e qytetëruar nuk po quhen si të tilla, por thjeshtë po ledhatohet mendësia e shkurtër e shqiptarëve. Nëse Pablo Eskobar ishte ai i cili e ndërkombëtarizoi biznesin e heroinës, padyshim se monarku Nikolla Gruevski i dha kahe tjetër shtypjeve, nënçmimit dhe përbuzjes së shqiptarëve.
Aq shumë po përfolët marrëveshja e Ohrit, aq shumë po i jepet hapësirë nëpër media saqë po zhduket prej arenës e drejta e shqiptarëve, për të cilën të drejtë në luftën e 2001 shumë shqiptar u flijuan. Edhe pse marrëveshja e Ohrit ka shumë shtylla, segmente, sfera, prapë se prapë, ajo nga politika e monarkut Gruevski u minimizua vetëm në punësimin e disa të rinjve në administratën shtetërore edhe atë duke u përbuzur skajshmërisht. Shumë administrator të rinj shtetëror në vend të kryerjes së punës për të cilën janë të profesionalizuar, shkojnë e blejnë byrek e kafe për shërbëtorët maqedonas në administratën shtetërore. Madje disa administrator që janë të punësuar nga ana e qeverisë së Nikolla Gruevskit për implementimin e marrëveshjes kornizë të Ohrit, rrinë nëpër shtëpitë e tyre duke marrë rroga pa dhënë mund. Ky veprim nuk e besoj se është mungesë e mundësisë së sistematizimit të këtyre të rinjve nëpër sektor të ndryshëm, por thjeshtë ky veprim bëhet qëllimisht nga ana e qeverisjes së monarkut Gruevski. Interesat e tij janë kundër shqiptarëve të këtij vendi, prandaj edhe atij i konvenon që të mos implementohet asnjëherë marrëveshja kornizë e Ohrit, madje i konvenon që të zhegisë sistematizimin e atyre të rinjve nëpër sektor të ndryshëm të shoqërisë. Para disa kohësh, zëvendës kryeministri i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, theksoi se të drejtë për punësim në administratën shtetërore do të kenë studentët me mesatare shumë të larta. Kjo logjikë është në kundërshtim me përparimin e shqiptarëve të Maqedonisë nëpër të gjitha sferat e shoqërisë. Studentët që kanë mesatare shumë të larta, për to, është përbuzje puna në administratën shtetërore duke pasur parasysh kualifikimin e tyre dhe kapacitetin intelektual.
Nëse ndalemi dhe vështrojmë sferën tjetër të veprimtarisë anti-shqiptare të monarkut Gruevski, do të shohim se për bustizimin e qytetit të Shkupit janë ndarë nga buxheti i Republikës së Maqedonisë rreth 20 milion euro. Shumë shoqata historianësh u çuan kundër këtij veprimi të qeverisë së Republikës së Maqedonisë, por zëri i tyre nuk arriti deri në veshët e duhur, ngaqë të gjitha këto veprime qeveria e monarkut Gruevski i legjitimon me prezencën e partisë shqiptare në pushtet.
Në këtë shtet u aktivizua edhe problemi i pronave të Bashkësisë Islame të Republikës së Maqedonisë ( zyrtarisht Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë ), si dhe të Kishës Ortodokse Maqedonase. Brenda një periudhe rekord pronat e Kishës Ortodokse Maqedonase u kthyen nga ana e qeverisjes së monarkut ortodoks Nikolla Gruevski, ndërsa pronat e Bashkësisë Islame të Maqedonisë, ose janë shitur me disa çmime qesharake, ose edhe ende janë të uzurpuara nga ana e kësaj qeverie. Qeveria e Republikës së Maqedonisë merr vendim për të ndërtuar një Kishë në qendër të Shkupit, pa e pyetur komunitetin e atij vendi se a janë për ndërtimin e kësaj Kishe, ndërkaq iniciativa e Bashkësisë Islame dhe shumë organizatave joqeveritare për të rindërtuar Burmali Xhaminë bie në vesh të shurdhër të kësaj qeverie, madje edhe kërkohet leje prej komunës për rindërtimin e kësaj xhamie aty ku ka qenë.
Fajin për mos marrjen datë për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian për futjen në këtë Union, Gruevski indirekt ia la shqiptarëve të këtij vendi duke u shitur para komunitetit ndërkombëtar si një njeri i pafajshëm dhe me plotë vullnet për zgjidhjen e problemeve të të gjithë qytetarëve të këtij vendi.
Disa njerëz politikën e kuptojnë si formë manipulimi me masat. Ndoshta këtë logjikë e ka edhe vet qeverisja e monarkut Nikolla Gruevski që pas çdo veprimi gjen një rrugë ose kahe se si të manipuloj me masat. Por, në një emision në TV NOVA në Kumanovë ai nuk gjeti përgjigje për shumë pyetje nga ana e gazetarit të LSDM.
Ai mundet të shëtitet nëpër Maqedoni si hero, ngaqë në periudhën e qeverisjes së tij u bë liberalizimi i vizave për qytetarët e Maqedonisë, por në fakt, padrejtësia nuk ka mundësi që të quhet heroizëm dhe nuk do të kishte mundësi që të zgjat përgjithmonë. Nuk ka dyshim se kjo qeveri do të marrë një ditë dënimin e merituar nga ana e popullatës. E popullata duhet të nxjerr burra shqiptar që do të dinë se si ta bëjnë lojën politike e të mos bien pre e kurtheve të ndryshme. Në mesin e popullit tonë kemi njerëz të këtillë, por vetëm nevojitet organizimi i tyre politikë dhe në fund edhe vazhdimi i betejës politike deri në përfundim.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...