Friday, February 26, 2010

“Për inat të Kishës duam Xhami”

“Për inat të Kishës duam Xhami”
Hamdi Nuhiju
( Gazeta Impakt, 1 shkurt 2010, nr.5, f.8)

Kështu tingëllon titulli i një artikulli të shkruar nga ana e autorit Toni Angellovski në të përditshmen maqedonase “Vreme”. Autori e komenton fjalën e Skender Buzakut në lidhje me kërkesën legjitime të myslimanëve shqiptar në Republikën e Maqedonisë për rindërtimin e Burmali Xhamisë.

 Në fakt, ky autor e keqciton Skender Buzakun nga Muftinia e Shkupit dhe në këtë mënyrë mundohet që të kaloj heshtazi mbi kërkesën legjitime të myslimanëve shqiptar për rindërtimin e Burmali Xhamisë. Skender Buzaku për të përditshmen “Vreme” tha se nëse do të ndërtohej Kisha në qendër të Shkupit, duhej të ndërtohej edhe Xhamia, nëse nuk ndërtohet Kisha nuk do të ndërtohet edhe Xhamia. Mirëpo, Skender Buzaku e tha këtë deklaratë pasi që Komuna Qendër në planin e saj urbanistik mori vendim për ndërtimin e Kishës dhe jo të Xhamisë, dhe pasi që u ndanë mjete ose fonde nga buxheti i Republikës së Maqedonisë për ndërtimin e kishës “ Shën Konstantini dhe Elena”.
Parimisht fjala e Skender Buzakut është kërkesa e mbarë myslimanëve shqiptar në Republikën e Maqedonisë. Kjo gjë, nuk duhet të shikohet si kërkesë nga ana e shqiptarëve mysliman ndaj maqedonasve, por duhet shikuar si e drejtë për të cilën myslimanët shqiptarë duhet të luftojnë deri në fund. Është hera e dytë e unitetit të myslimanëve shqiptarë në historinë më të re të popullit tonë që jeton në Maqedoni. Myslimanët shqiptar herën e parë ishin unik me rastin e solidarizimit me popullin e Gazës dhe tashti me rastin e Burmali Xhamisë. Të gjithë jemi renditur në një krah, kemi një këshill koordinativ që na përfaqëson dhe flasim një zëshëm për të drejtën tonë.
Objektivi i këtij uniteti është që të rindërtohet Burmali Xhamia. Shikohen dhe paramendohen forma të ndryshme se si të sensibilizohet opinioni për këtë problem jetik të myslimanëve shqiptar. Një prej ideve të sensibilizimit ishte edhe falja e namazit të xhumasë në qendër të Shkupit. Por, në këtë palo-shtet pa mbështetjen e ndonjërës prej partive politike do të ishte e vështirë realizimi i një të drejte ose kërkese. E ne si mund të flasim për mbështetje prej partive politike shqiptare kur vet zëvendës kryeministri i Maqedonisë Abdilaqim Ademi keqinterpreton rrjedhat në favor të “monarkut” Nikolla Gruevski, dhe të gjithë ekstremistëve sllav maqedonas që nuk duan të dëgjojnë për xhami e shqiptarë mysliman.
Abdilaqim Ademi në një emision në “Alsat-M” theksoi se kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë, Sulejman Rexhepi ka bërë marrëveshje me qeverinë në lidhje me vendin e ndërtimit të Kishës dhe si kompensim Bashkësia Islame duhej të ndërtonte rezidencën e saj në Kala të Shkupit. Me të drejtë Bashkësia Islame e Maqedonisë e demantoi këtë fjalë të zëvendës kryeministrit të Maqedonisë. Kërkesat, problemet, vendimet, aktivitetet rreth ndërtimit të Kishës dhe rindërtimit të Burmali Xhamisë nuk kanë ndodhur shumë herët për të pasur dikush hapësirë të manipulojë me fjalët dhe të i keqinterpretoj. Mediat asaj kohe alarmonin për shumë projekte të qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Në mesin e projekteve përmendej edhe ndërtimi i objektit të Filharmonisë së Maqedonisë në themelet e një xhamie. Nëse doni të jeni të sigurt për këtë që po shkruaj mund që t`iu ktheheni arkivave të Gazetës Lajm në Maqedoni disa muaj më parë. Për të zbutur tensionimet e radhës vet kryeministri Nikolla Gruevski i ofroi Bashkësisë Islame Fetare në Republikën e Maqedonisë që si kompensim për objektin e Filharmonisë ( lexo: dhe jo të Kishës siç pretendon Abdilaqim Ademi), të i jap hapësirë toke në Kala të Shkupit për ndërtimin e rezidencës së Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë. Ndërkaq për rindërtimin e Burmali Xhamisë, ose edhe për ndërtimin e Kishës në qendër të Shkupit, qeveria nuk i ka ofruar asnjë marrëveshje Bashkësisë Islame Fetare në Republikën e Maqedonisë.
Partitë politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë zakonisht ndërrojnë sjelljet e tyre kur janë në pozitë prej pozicionit të tyre në opozitë. Kur gjenden në opozitë bëhen një me kërkesat e popullit, interesohen për popullin dhe mundohen që të ngrejnë zërin për kërkesat dhe hallet e tyre. Por, kur vijnë në pozitë, nuk duan të dëgjojnë për kërkesa të populli, madje edhe mundohen që me çdo kusht të ruajnë pozicionet e tyre udhëheqëse e në këtë mënyrë të shkelin edhe mbi të drejtat e votuesve të tyre.
Frikë nga uniteti i myslimanëve shqiptar nuk kanë vetëm partitë politike maqedonase. Këtij uniteti i frikësohen edhe shumica e partive politike shqiptare që nuk kanë asnjë ndjenjë për anën fetare të qytetarëve shqiptar mysliman të këtij vendi. Ata bëhen një me maqedonasit kur është në pyetje sulmimi i Islamit dhe myslimanëve. Kjo gjë është dëshmuar historikisht dhe po dëshmohet edhe sot e kësaj dite. Vet heshtja e partive politike shqiptare për të drejtën e myslimanëve shqiptar për rindërtimin e Burmali Xhamisë shpreh solidarizim me Nikolla Gruevskin për ndërtimin e Kishës në qendër të Shkupit dhe mos rindërtimin e Burmali Xhamisë. Edhe pse myslimanët shqiptar të këtij vendi nuk janë kundër ndërtimin të Kishës në qendër të Shkupit. Ato kërkojnë të drejtën e tyre legjitime për të rindërtuar Burmali Xhaminë.
Toni Angellovski u shpreh se nuk i ka hije “njerëzve të fesë” që të merren me probleme politike ose edhe me politikë. Ai, edhe këtu gaboi rëndë. Nëse Krishterimi është i ndarë prej politikës, ose shtetit në logjikën :” Jepja Cezarit atë që i takon atij, dhe jepja Kishës atë që i takon Kishës”, feja islame nuk njeh një ndarje të këtillë. Pjesë më e rëndësishme dhe më e madhe e fesë islame është politika. Por, meqë jetojmë në një shtet laik, ne si mysliman respektojmë ligjet dhe normat e këtij shteti derisa nuk na cenohen të drejtat tona. Në momentin e cenimit të drejtave tona ne do të detyrohemi që të shprehim mos respekt bile edhe të ngremë zërin tonë në forma të ndryshme për të sulmuar padrejtësinë.
Renditja në një krah të të gjitha organizatave jo qeveritare në Maqedoni së bashku me institucionin zyrtar të myslimanëve shqiptar Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, dëshmon qartas se myslimanët e këtij vendi kanë kapacitet, aftësi dhe kredibilitet për të vepruar në mënyrë të organizuar. Kjo gjë krijon fuqi në mesin e besimtarëve mysliman të këtij shteti. Edhe sikur të mos realizohej e drejta e jonë për rindërtimin e Burmali Xhamisë në qendër të Shkupit, mjafton që ky objektiv arriti që ti bashkojë të gjithë myslimanët shqiptar të Republikës së Maqedonisë. Përderisa ekzistojnë objektive të këtilla ne shpresojmë se me ndihmën e Zotit do të shohin realizimin. Nuk do të ketë mundësi askush që të ndalojë të drejtën tonë. Reflektimi i kundërshtive në anën tjetër forcon ende më shumë dashurinë dhe vullnetin tonë për këtë objektiv. Shqiptarët mysliman me të vërtet duan që ta shohin përsëri gjallë Burmali Xhaminë, atë monument fetar-kulturor-historik e civilizues të shqiptarëve mysliman të këtij shteti. Për ne, ky objekt është më shumë se xhami. Thjeshtë, është shkaku i bashkimit tonë.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...