Friday, March 19, 2010

Demokracia dhe vullneti i popullit

Demokracia dhe vullneti i popullit
Hamdi Nuhiju


Vullneti i popullit shprehet në mënyra të ndryshme. Ai ka nevojë të dal në pah, përderisa ekziston . Nuk guxon që të mbyllet, ngryset ose cenohet. Duhet që të ngrejë zërin përballë shumë zërave tjerë. Pa vullnet, populli nuk do të kishte mundësi që të bëj asnjë zgjedhje. Bile në mesin e miliona alternativave ai do të gjendej në vrushkullin e alternativës më të dobët.


Alternativa tregon kahen se kah duhet të kaloj ky popull. Është me këtë forcë ose me atë tjetrën. Dyja janë forca, por jo të njëjta dhe aspak të ngjashme. Hipotetikisht ato ndahen në forca progresive dhe regresive. Regresivja paraqet të prapambeturën, të hidhurën dhe jo funksionalen. Sipas kësaj paskemi edhe forcë jo funksionale. Ajo është e absorbuar ndër shekuj në historinë e njerëzimit si forcë, por nuk është funksionale. Kemi edhe forcën tjetër-antipodin e regresives. Forcën pro aktive që njerëzit i bën që të logjikojnë dhe mendojnë jo si thotë egoja, por si mendon grupi. Në rrethana të këtilla (ku hy në funksion logjika) është i nevojshëm dhe i domosdoshëm edhe konsultimi. Pa konsultim nuk ka asnjë betejë të fituar. Ato beteja që duken se fitohen pa prezencën e konsultimit, janë beteja të humbura. Jetëgjatësia e tyre është në rrezik, madje pasojat negative të asaj’ fitoreje’ janë tmerruese. Beteja të këtilla ka pasur rastin të shoh qytetari i thjeshtë i Maqedonisë. Ai i pa gjatë këtyre njëzet viteve të fundit betejat ‘fitimtare’ të shqiptarëve ku shqiptarët gjithmonë fitonin diçka, ndërsa jeta e qytetarit të thjeshtë shqiptarë vështirësohej. Pasojat e kësaj jete sot e kësaj dite po i vuan secili shqiptarë i këtushëm. Zëri i ‘tellallit’ gjatë viteve të demokracisë së Maqedonisë po jehonë bujshëm për betejat dhe fitoret e njëpasnjëshme të shqiptarëve të këtushëm. E fituam Universitetin Shtetëror të Tetovës, por e humbëm cilësinë, pavarësinë e këtij institucioni të shenjtë për shqiptarët e këtij vendi. Përmes ndërhyrjes së secilës parti politike shqiptare në këtë institucion, nuk sigurohet pavarësia dhe cilësia e arsimit të lartë.
U shpërndanë shumë fakultete nëpër shumë qytete të Maqedonisë, por ndërhyrja e partive politike shqiptare në jetën akademike u shndërrua në trend me një rritje mesatare dhe frikësuese.
Njeriu duhet të bëj zgjedhje midis varësisë dhe pavarësisë së një të drejte. Para betejave të përgjakshme të epopesë së UÇK shqiptarët në pozitën e tyre sociale, ekonomike, kulturore, kombëtare, politike e fetare ishin të diskriminuar. Por, edhe pse ndodhi ajo që asnjë shqiptarë nuk ka dashur që të ndodh, përsëri vazhdon të luhet e njëjta valle. Bile kësaj here në mënyrë më të ‘kulturuar’.
Në raportin midis vullnetit të popullit dhe politikës gjendet demokracia. Po e vështruam nocionin e demokracisë si sundim i popullit, për popullin nga populli, do të dukeshim shumë snob. Jo që fjala demokraci shpreh snobizëm! Thjeshtë realiteti është i ndryshëm prej asaj çka në teori e dinë edhe fëmijët e klasës së dytë. Realiteti demokratik është sundimi i një grupi njerëzish me interesa dhe qëllime të caktuara. Dhe jo vetëm me një popull!
Robert Musil thotë:” Është vetëm fantazmë se përmes demokratëve të zgjedhur mund të projektohet vullneti i popullit. Por, nëse ajo paraqet përpjekje që çështjet e grupeve të ndryshme të interesit në vend me revole dhe thikë të mund të zgjidhen me votim, atëherë ajo është procedurë më humane dhe më njerëzore”. Sipas këtij definicioni demokracia paraqet përpjekje që disa çështje të caktuara të zgjidhen me votim dhe jo me mjete tjera. D.m.th. demokracia qenka një vegël e cila mund të shfrytëzohet vetëm nga një grup njerëzish për ti orientuar masën ose pjesën tjetër të botës kah kutitë e votimit dhe në këtë mënyrë për t`ia marr pavarësinë e tyre të vendosjes jashtë kutive të votimit. Kjo rrugë nuk është e dëmshme. Në krahasim më rrugët tjera, është më e përshtatshme për filozofinë e ekzistencës së popujve në botën bashkëkohore.
Por, demokraci nuk d.t.th. që të heqësh dorë nga përgjegjësia dhe fajin gjithmonë t`ia hedhësh tjetërkujt. Po, shikuam me dioptrinë e një qytetari të tensionuar, deklaratat e ‘monarkut’ Gruevski në Alsat-M; do të na shtohej zhgënjimi për ardhmërinë demokratike të këtij vendi. Gjithçka që ai tha në emisionin ’Rruga drejtë’ ishte një lojë fjalësh dhe ikje prej përgjegjësie për të gjitha problemet dhe tensionimet që ka shkaktuar politika e tij. Në mënyrë direkt ose indirekte edhe iu kërcënua Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë për çështjen e rindërtimit të Burmali Xhamisë. Ku tha se nuk mund të ndërtohet në truall të huaj ndonjë gjë tënden dhe se duhet respektuar ligjet e këtij vendi. Sikur trualli që po kërkon Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë dhe këshilli koordinues për rindërtimin e Burmali Xhamisë është truall i Komunës Qendër dhe jo një vend i grabitur nga ana e garniturave sllave. Bile mohoi dhe u sjell në mënyrë ofenduese edhe ndaj partnerit të tij të koalicionit, duke interpretuar fjalët e Teuta Arifit në mënyrën më nënçmuese dhe mizore.
Fëmijët shqiptarë të klasës së parë duhet të mësojnë gjuhën maqedonase në mënyrë të detyrueshme ngaqë sipas tij, ata na qenkan shumicë në këtë vend dhe kanë të drejtë të imponojnë edhe gjuhën e kulturën e tyre tek pakicat. Secila fjalë e thënë në këtë emision meriton të trajtohet në një seri shkrimesh, ngaqë problemet që ka shtuar kjo garniturë politike deri tash nuk i ka shtuar askush.
Dhe nga deklarata e këtij ‘ monarku’ mund të kuptojmë përzierjen e politikës në vullnetin e popullit. Populli duhet të shndërrohet në shoqëri civile dhe të ngrejë zërin në mënyrë të organizuar. Shqiptarëve gjithmonë iu janë imponuar politikan dhe politika të ndryshme nga ana e strukturave të ‘dyshimta’. Politikanët e sotshëm nuk janë vullnet i popullit tonë, por dëshirë dhe model i dhënë nga ana e ambasadave të huaja që veprojnë në Maqedoni.
Është e domosdoshme që nga gjiri i këtij popullit dalë ndonjë subjekt politik që do të mbroj dhe përfaqësojë interesat e tij. Dhe atëherë oponentët maqedonas do ta kuptojnë se sa larg ‘vlerës’ politike gjenden.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...