Saturday, July 10, 2010

Çorbë pa krip

Çorbë pa krip
Hamdi Nuhiju

Për të pasur jetë të shëndetshme ka nevojë të konsumojmë gjellëza të shijshme dhe që janë të dobishme për ne. Zakonisht kemi probleme shëndetësore kur gjellërat i bëjmë në mënyrë jo të duhur, ose edhe nuk kujdesemi fort për ushqimin që konsumojmë.

Ashtu edhe mediat në Republikën e Maqedonisë, ashtu edhe politika në Republikën e Maqedonisë nuk po kujdeset aspak se me çka po e ushqen popullatën e këtij vendi. Të gjithë thonë se rrugët e Republikës së Maqedonisë janë të hapura me hapjen e kufijve të Bashkimit Evropian. Ashtu them edhe unë! Por, shikuar gjendjen reale të qytetarëve të këtij vendi, do të biem në kundërshtim me prishtmëritë tona. Kufijtë u hapën dhe si rezultat i katastrofave të ndryshme nëpër botë, Maqedonia rriti shpërndarjen e prodhimeve ushqimore jashtë. Si rrjedhojë ka mungesë të produkteve të ndryshme brenda dhe çmimi i atyre produkteve në vend që të jetë i lehtësuar, d.m.th. real, ai ngritet për 200%. E gjithë kjo kushton në xhepin e qytetarit të thjeshtë i cili i ka të hyrat e njëjta si kur kufijtë ishin të mbyllur me Perëndimin si kur kufijtë u hapën me Perëndimin.
Prej hapjes së kufijve përfituan vetëm një grup i prodhuesve maqedonas, të cilët janë të afërt me qeverinë e Republikës së Maqedonisë.
Përveç problemeve ekonomike që janë shtuar kohët e fundit në vendin tonë, njashtu për çdo ditë shohim edhe disa investime qesharake, ose orientime të momentit të fundit të subjekteve politike shqiptare në vend. Para disa kohësh u dhanë disa vendime pune për studentët më të mirë që u punësuan në administratë publike për implementimin e marrëveshjes kornizë të Ohrit. Me vendime u dekoruan 30 studentë me notat më të larta mesatare. Po qe se shohim orientimin e kapaciteteve intelektuale të popullatës maqedonase në këtë vend dhe orientimin e më të mirëve të popullatës sonë shqiptare në vend, me të vërtet do të duhej të qanim me vite për këto vendime jo të sakta. Paramendoni studentët me notat mesatare më të larta të Universitetit të Shkupit të punonin në administratë publike për implementimin e ndonjë marrëveshje të caktuar?!!!
Këtë gjë nuk e tolerojnë maqedonasit. Ata, pra maqedonasit, studentët e tyre më të mirë i profilizojnë dhe i japin bursa e mundësi të ndryshme për vazhdimin e mëtutjeshëm të shkollimit të tyre nëpër universitetet më të mira në rruzullin tokësor, duke i premtuar që pas mbarimit të cikleve të studimeve jashtë vendit do të kenë punë të siguruar brenda Republikës së Maqedonisë. Por, shqiptarët e uritur, të ushqyer vetëm me çorbë pa krip nga ana e qeverisë së këtij vendi, edhe pse kanë kapacitete intelektuale edhe më të larta se të popujve tjerë në Maqedoni, ata detyrohen që të nënçmohen në këtë mënyrë nga ana e subjekteve politike shqiptare në vend.
Në anën tjetër në shtetin e Kosovës po lindin disa ide të çuditshme, por edhe të paramenduara qysh më parë nga ana e autoriteteve të Beogradit. Ideja më e fundit e çuditshme është shkëmbimi i territoreve. Serbet po kërkojnë veriun e Kosovës dhe si kompensim do të japin një pjesë të Luginës së Preshevës. Po e menduam pak më ndryshe situatën dhe ofertën e këtillë nga ana e palës serbe, shumë shqiptarë do të thuanin se shqiptarët përfitojnë në këtë rast. Por, unë mendoj që përveç që ka shumë ide të errëta në këtë ofertë, edhe diplomacia kosovare nuk është në gjendje që të përfitojë aq sa duhet prej kësaj oferte të çuditshme. Veriu i Kosovës nuk jepet me një pjesë të Luginës së Preshevës. Veriu i Kosovës është një ide e qartë nga ana e palës serbe që po kërkohet në këtë ofertë, por një pjesë e Luginës së Preshevës është një ide jo e qartë dhe shumë e turbullt. Dhe e gjithë kjo ofertë ndodhë kur Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin e saj.
Si mund të shkëmbesh territore me një shtet pavarësinë dhe sovranitetin e të cilit nuk e njeh? Dhe si mund të pranojnë shkëmbim autoritetet e atij shteti kur e dinë fortë mirë se nuk janë të njohur si shtet nga ofertuesi?
Edhe sikur Serbia të njihte Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, mendoj se kjo ofertë nuk duhet pranuar nga ana e Kosovës. Në diplomaci Kosova do të ishte e mundur nga Serbia, do të izolohej, do ti jepej një e drejtë minimale historike e tokës së saj dhe menjëherë Unioni Evropian do të ndërtonte Serbinë në një vend modern “Evropian”.
Gjella ose çorba pa krip shohim, dëgjojmë, shijojmë në të katër anët e Gadishullit Ballkanik.
Fatkeqësisht politikanët tanë zgjohen nga gjumi dhe ndryshojnë gjellën vetëm atëherë kur ata kanë nevojë për të përmirësuar veten se sa për popullin, populli ka lindur dhe do të vdes në çorbë.
Derisa të zgjohemi prej gjumit, kështu do të jemi, në gjumë, ta katandisur dhe gjysmë të vdekur.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...