Sunday, August 8, 2010

Vapë gushti në Maqedoni…!!!


Vapë gushti në Maqedoni…!!!
Hamdi Nuhiju

Kushtet klimatike, por edhe ato politike e shndërrojnë ajrin në mbytje serike në mesin e qytetarëve të këtij vendi. Aspekti dogmatik i fjalës mbytje, ka të bëjë me hapësirat e manipulimit të politikës, ekonomisë dhe përfaqësuesve të religjionit në Maqedoni, me qytetarët e saj.
Pas çdo premtimi, njeriu duhet të ketë parasysh idenë e përgjegjësisë së fjalës së dhënë. Por, në asnjë mënyrë nuk guxon që të cenoj integritetin e njerëzve të cilëve iu premtohet diçka. Shqiptarët e këtushëm përveç që tashmë janë shndërruar në njerëz me integritet të cenuar nga të katër anët, ata ende shpresojnë në ajkën e fundit të realizimit të premtimeve nga ana e përfaqësuesve të tyre politikë. Por, ditët e vitet po ikin, e nga premtimet asgjë. Madje, gjërat po marrin tatëpjetën përmes deviacioneve të ndryshme nëpër të gjitha segmentet e jetës. Fjala e lirë në vend që të vlerësohet nga ana e kësaj qeverie ( mostër me atë të Izraelit), ajo mbytet përmes ndërhyrjeve të saj nëpër të gjitha mediumet. Si rezultat i kësaj ndërhyrjeje kemi një mori shkarkimesh nga puna të disa gazetarëve me përvojë nga TV Kanal 5, të cilët haptas shprehnin pakënaqësinë e tyre me manipulimet e kësaj qeverie. Nga ky incident ose ndërhyrje e qeverisë haptas në punën e TV Kanal 5, opinioni i gjerë mësoi shumëçka. Gazetarët shpesh herë ishin të porositur prej garniturave të kësaj qeverie se çka të paraqisnin nëpër mediumet e tyre dhe çka jo. Këto lajme me porosi, kanë një kosto të lartë financiare, por edhe një mbytje të fjalës së lirë e shndërrim të këtij vendi në totalitarizëm.
Për gazetarët e shkarkuar nga TV Kanal 5, dyert i hapi gjiganti mediatik A1, pronë e Velija Ramkovskit.
Ndërsa, mediumet në mesin e shqiptarëve të këtushëm, fatkeqësisht janë sezonale. Jo me dëshirën e shqiptarëve, por thjeshtë nga manipulimet dhe problemet që i lindin atyre prej qarqeve të ndryshme në vend. Këto momentet e gushtit shqiptarët e këtushëm përjetuan dy çaste interesante të kundërta njëra me tjetrën edhe pse në esencë janë punë të mira.
Nga mediumet u njoftuam se një shqiptarë ( Shazo Ferati, lajmin mund ta shihni në http://alsat-m.tv/lajme/vendi/42180.html) nga Debreshi i Gostivarit për synetimin e djalit të tij, një akt i traditës së religjionit islam, kishte shpenzuar as më shumë e as më pak se 200.000 euro. Para këto të fituara me djersë nga ai në mërgim. Për mediat u prononcuan edhe disa këngëtarë e këngëtare që morën pjesë në këtë ceremoni. Ata skajshmërisht ishin të kënaqur për këtë gjë të rrallë që ndodh në mesin tonë dhe shprehnin dëshirën e tyre që këso gjërash të ndodhin sa më shpesh. Askush nuk mund të iu përzihet njerëzve se ku dhe si duan ti harxhojnë paratë e tyre të fituara me djersë. Por, në këtë reflektim po bëjmë një krahasim të thjeshtë me një veprim tjetër interesantë që ndodhi në mesin tonë këto ditë.
Në qytetin e Kumanovës, në këto vapë gushti u bë hapja solemne e xhamisë së tretë në këtë qytet e cila nuk kushtoi as më shumë e as më pak se 200.000 euro, para të fituara me djersë(http://kohaere.eu/index.php/lajme/maqedoni/6655.html).
Xhaminë e tretë të qytetit të Kumanovës e ndërtoi një njeri Haxhi Shefqet Sulejmani i cili vite me radhë ka bërë shumë vepra bamirësie për qytetarët shqiptarë të Komunës së Kumanovës dhe Likovës, dhe së fundi të gjithë veprimtarinë e tij bamirëse e stolisi me ndërtimin e Xhamisë së tretë në qytetin e Kumanovës për të plotësuar nevojat e këtij qyteti.
Një njeri harxhoi para në synetimin e djalit të tij dhe në argëtimin e të gjithë katundit të tij për 2-3 ditë në vlerë prej 200.000 eurove, ndërsa tjetri plotësoi një nevojë të madhe dhe të përhershme për lagjen e tij duke ndërtuar një xhami në vlerë prej 200.000 eurove. Paratë janë të njëjta, por destinimi i tyre është i ndryshëm. Na shqetëson fakti se vitet e fundit besimtarët mysliman të këtij vendi kanë humbur besimin tek institucioni zyrtar Bashkësia Fetare Islame e R.M. dhe po bëjnë vepra bamirësie njëherë vet, e pastaj ato objekte ia dhurojnë institucionit zyrtar ashtu si është e udhës dhe e rendit.
Reflektimi i këtillë nuk është i rastësishëm. Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë nuk ka kohë të merret me përgatitjen e projekteve të rëndësishme për qytetarët mysliman të këtij vendi, ngaqë kohën e harxhon në përgatitjen e padive të ndryshme kundër vet këtyre besimtarëve. Gati është bërë e pamundur njeriu të flas kundër  udhëheqësve të BFI, e të mos paditet për shpifje.
Dhe në këtë vapë gushti në Maqedoni duke shpresuar se gjërat do të ecin për së mbari, e presim muajin e shenjtë të Ramazanit, me parti politike të përçara ndërmjet veti, me ministra të korruptuar, me dhunimin e fjalës së lirë, me gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale në vend, ndoshta edhe të turpëruar nga dhunimet e prostitutave shqiptarë nga dilerët e tyre shqiptarë në mes të Tetovës.



No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...