Wednesday, October 2, 2013

Edhe sa do të vuaj biznesi nga politika?



Hamdi Nuhiju

Qeveria e Maqedonisë, përmes Drejtorisë së të Hyrave Publike, ka nisur një aksion marramendës në mbylljen e bizneseve të ndryshme në tërë Republikën. Kjo gjë ka ardhur si rezultat i zbrazjes së buxhetit të Maqedonisë në destinacione të paditura e përmes kësaj forme tentohet që të arrihet deri tek rebalancimi i të njëjtit.

Arsyetimi i mbylljes së bizneseve është banal. Dyqind ose njëmijë denar të zihen tepër në portofol dhe për to t`i dënohesh 3000 ose edhe më shumë euro. Logjika e palogjikshme shkon drejt asaj se këto dyqind ose treqind denar po dëmtojnë buxhetin e Republikës së Maqedonisë, pasi që për to nuk po paguhet tatim.
Do të pajtohesha me hapat e këtilla të kësaj qeverie, po qe se e njëjta për të njëjtat biznese do të përkujdesej për infrastrukturën biznesore, për të drejtat e pronarëve nga konkurrenca ose edhe për të drejtën e konsumatorëve nga monopoli duke siguruar drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë. Por, përderisa veprohet në mënyrë të njëanshme duke dëmtuar të gjitha palët që nuk janë në pushtet ose të afërt me pushtetin, mbushja e këtillë e buxhetit, përveç që tregon dobësi dhe injorancë politike, po ashtu shpreh arrogancën e garniturës shtetërore që po dëshiron ta ndryshoj edhe sistemin politik. Në këtë mënyrë, nga sistemi demokratik i deklaruar në letër dhe media, po tentohet që të dilet në sistemin diktatorial ku gjithmonë i pushtetshmi ka të drejtë dhe është i pagabueshëm.
Ky pushtet u njëanshëm u pa edhe gjatë bllokadës ekonomike e tregtare me Republikën e Kosovës, ku edhe pse dihej se firma Mak Trans, po shkel ligjet e Maqedonisë, kjo gjë e deklaruar nga zëdhënësi i policisë, e njëjta nuk u dënua. Përmes hapit të saj u dëmtua ekonomia e Maqedonisë dhe në këtë mënyrë shteti po bëhet nënë për Mak Trans, ndërsa njerkë për të gjitha bizneset shqiptare e maqedonase që nuk po janë të afërta me pushtetin.
Ajo që më habit nga veprimtaria e fundit e DHP, është edhe mbyllja e disa dyqaneve dhe dënimi i tyre me para aq të mëdha sa ato brenda mall nuk kanë. Ekonomia e Maqedonisë duhet që të jetë e lirë në veprimtarinë e saj. Pa ekonomi ne nuk mund të kemi edhe shtet. Si mund të sigurojmë mirëqenie, ne, qytetarët e këtij vendi, kur kjo ekonomi ngulfatet nga aksione të këtilla?
Nëse synimi i këtij aksioni të fundit të DHP është që të krijoj frikë te bizneset shqiptare e maqedonase të opozitës, ia ka arritur qëllimit, madje edhe një shkallë më lartë. Ajo ka krijuar frikë edhe tek popullata që jeton në këtë shtet. Respektimi i ligjeve të shtetit bëhet nga të gjitha anët. Sanksionimi për thyerjen e tyre është pjesa e fundit e rrëfimit. Kur nuk ka asnjë zgjidhje tjetër të arsyeshme për thyerjen e ligjit, atëherë vjen deri tek sanksionimi. Po para saj, njëherë duhet që të përdoren të gjitha mekanizmat politik, ekonomik dhe menaxhues për të mos e sjell situatën deri tek sanksionimi.
Në shtetet e fuqishme demokratike, ku ekziston ekonomia e lirë e tregut, për ta bindur një biznes për të paguar taksa dhe tatime, ajo i siguron kushte të barabarta për punë dhe fitim. Më pastaj, nuk ka nevojë që të intervenoj fare për vjeljen e taksave që i takojnë, pasi që kur kushtet janë të siguruara dhe bizneset shkojnë në rritje stabile, normal që edhe buxheti i atij shteti e merr pjesën që i takon.
Pas aksionit të fundit të DHP, nuk e besoj se ndonjë investitor serioz do të jetë i interesuar për të investuar në Maqedoni, dhe ata pak mërgimtar tanë që kanë pasur logjikë biznesi, do të i shuhet dëshira dhe vullneti për të gjallëruar sfera të ndryshme të ekonomisë përmes kapitalit të tyre të freskët.
Po vazhdoi në këtë mënyrë DHP, përveç mbylljes së bizneseve, medieve, do të filloj që të mbyll edhe Republikën e Maqedonisë. Atje ku nuk mbin as bimë e as barë, nuk ka as jetë e as shtet.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...