Saturday, October 12, 2013

Njeriu në botën e Sami Frashrit

Hamdi Nuhiju

Qasje fillestare


Njeriu është një krijesë kozmopolite. Kjo krijesë me përbërje të shumëllojte shpesh herë di të duket shumë e çuditshme. E shumta e rasteve njeriun e paraqet në spektrin e interesit të përgjithshëm të termit kolektiv. Në fund të fundit, nuk mund ta kuptojmë njeriun, veçan krijesave tjera, si një individ.

Edhe pse edhe filozofia e egoizmit ngërthehet rreth njeriut dhe nis nga njeriu, prapë se prapë nuk duhet humbur shpresën. Egoja, mendjemadhësia, koprracia janë cilësi që ekzistojnë tek ai. Po bota e njeriut nuk është vetëm spektër negativ.
Fazat e njeriut në këtë botë janë të ndryshme, fazë e fëmijërisë, adoleshencës, pjekurisë, pleqërisë. Kalimi prej një faze e në fazën tjetër domosdoshmërish ngërthen në vete shumë sfida dhe pikëpyetje.
Pikë së pari, si djelmosha të rinj, duhet që të kthejmë vërejtjen tonë drejtë rëndësisë së detyrave e të përgjegjësive të jetës njerëzore. Si të rinj e kemi kalua të shumtën e periudhës më të lumtur të udhëtimit të jetës sonë. Ne jemi kah hyjmë në pjesën më të vështirë por të rëndësishme që përgjithësisht quhet jeta njerëzore.[1]
Në këtë reflektim do të mundohemi që ta paraqesim njeriun në botën shkencore të Sami Frashrit. Gjatë reflektimit do të shërbehemi edhe me ide dhe mendime të ndryshme rreth njeriut, në këtë mënyrë duke bërë krahasime dhe duke nxjerr në pah gjenialitetin e rilindësit tanë të madh Sami Frashri.

Çka është njeriu?

Sami Frashri kësaj pyetje ja jep këtë përgjigje;” Sado që qielli përfshin miliona trupa si rruzulli tokësor, për ne është më e nevojshme dhe më e domosdoshme të dimë më shumë për tokën, sepse toka është vendbanimi ynë. Edhe njeriu, sado që është një pjesë e vogël në krahasim me këtë rruzull tokësor, vendbanimin e tij, për shkak se është lloji ynë, duhet dhe kemi nevojë të madhe të dimë për gjendjen dhe për rrethanat e tij më shumë se për çdo gjë tjetër.”[2] Esencialisht kjo njohuri është e domosdoshme për çdo krijesë në rruzullin tokësor. Paramendoni jetoni në këtë botë, për çdo ditë përballeni me njerëz të ndryshëm , jeni vet pjesë e sojit të njeriut dhe nuk dini që t`i jepni përgjigje pyetjes më lart?!
Mendimtarët shprehen në këtë mënyrë:’ Njeriu për nga natyra është qenie shoqërore’, që do të thotë se shoqëria është e domosdoshme për të.
Shprehja ‘ qytetërim’ të cilën ata e përdorin është e ngjashme me shoqërinë njerëzore.
Domosdoshmëria e saj sqarohet kështu: Allahu i Lartësuar e krijoi njeriun dhe e formëso-i në një mënyrë të tillë që do të mund të ekzistojë vetëm me anë të ushqimit si dhe e udhëzoi që ta kërkojë atë sipas natyrshmërisë së vet dhe sipas aftësisë, të cilën e futi në të për këtë qëllim.[3]
Ndërsa, Mehmet Akif Ersoy për njeriun shprehet në këtë formë:
“ O njeri që për veten tënde ende gjë nuk di;
‘ Një send i vogël jam’ po thua, po sikur ta dije ti,
Cilësia jote dhe prej engjëjve t`është më e lartë,
Tek ti rri fshehur gjithësia, me vete ti botën bart.”[4]
Njeriu, kjo krijesë e madhërishme interpretohet në forma dhe mënyra të ndryshme. Ideologjitë dhe pikëpamjet perëndimore njeriun e shohin vetëm në spektrin material të dukshëm, ndërsa ideologjitë e pikëpamjet lindore kësaj krijese të dukshme ia shtojnë edhe atë anën e brendshme e të padukshme.
Fetyllah Gulen thotë:” Njerëzorja te njeriu duhet kërkuar jo në trupin e tij shtazor e të vdekshëm, por në shpirtin e tij të shtënë e të pasionuar pas përjetësisë. Prandaj ka ndodhur që, kur njeriu është trajtuar vetëm si trup duke iu mohuar ana shpirtërore, asesi nuk ka arritur të ngjitet në pikën e ngopjes dhe kurrë nuk ka mundur të kënaqet.”[5]
Lufta ideologjike ka formë dhe përmbajtje midis luftës dhe prishjes së harmonisë të dy botëve të njeriut. Bota e jashtme shpesh herë simbolizon të keqen, po jo domosdoshmërish është e keqe. E brendshmja duket si e butë, e mirë, frytdhënëse që në kuadrin e krijesave tjera është dalluese.
Kur fol për kategorinë e njerëzve të çmendur, Ibn Haldun shprehet:” Ndërkaq, te të çmendurit, shpirtrat racionalë janë të lidhur dobët me trupin për shkak të çrregullimit mbizotërues të strukturës së tyre trupore si dhe dobësisë së frymës kafshërore në të.”[6]
Edhe vet Sami Frashri pranon se njeriu për nga pamja e jashtme mund të ketë diçka të përbashkët me kafshët.
Ai shprehet në këtë mënyrë:” Për t`i sjellë në një pikë të përbashkët dy mendimet dhe bindjet që i përmendëm më lart, si dhe mendimet e filozofëve dhe bindjet e fetarëve; mund të themi që njeriu është edhe një kafshë e veçantë nga llojet e kafshëve, i krijuar nga dheu, po edhe një thelb shpirtëror që i përket botës shpirtërore, sepse ai është i përbërë nga një trup dhe nga një shpirt. Sipas trupit të tij fiton të drejtën mendimi i parë, kurse sipas shpirtit, mendimi i dytë”.[7]
Filozofi i madh Herbert Spencer, njeriun e klasifikon vetëm në pamjen e tij të jashtme dhe jep këtë qasje për të:” Nga krijesat më të ulëta deri te më të lartat, inteligjenca përparon nëpërmjet veprimesh diferencuese; dhe kësisoj vazhdon progresi i saj edhe te njerëzit, nga më i padituri deri te më i kulturuari. Klasifikimi i drejtë- të fusësh në të njëjtin grup ato gjëra që, në thelb kanë të njëjtën natyrë, është kushti themelor për orientimin e duhur të veprimeve”.[8]
Kjo formë e të menduarit legjitimon masat udhëheqëse të njerëzve për t`i sunduar dhe përbuzur të njëjtit. Formula është e njëjtë, sikur tek ‘Origjina e Llojeve’ të shkruar nga Çarls Darvin.
Paramendoni sikur njeriun ta identifikoni në origjinë si një krijesë të ulët? Ai mund të jetë i pakulturuar, po jo edhe i ulët.
Njeriu mund të bëj vepra të ulëta e t`i ngjaj kafshëve. As nuk i ikë krimeve, po as pretendimit për të mbrojtur sojin e tij.
Megjithatë si krijesë ai është madhështor. Për të qenë i ulët, edhe Krijuesi i tij duhet që të jetë i ulët, ose duhet që të mos njihet nga gjinia njerëzore.
Sipas fjalorit elektronik shpjegues me termin njeri nënkuptojmë:” Qenia e gjallë më e lartë, që është e aftë të mendojë e të flasë, të bëjë vegla e t'i përdorë ato në procesin e punës shoqërore; pjesëtar i shoqërisë njerëzore.”[9]

Nga doli njeriu?

Sami Frashri thotë:” Nga doli njeriu, nga erdhi, si u paraqit mbi faqe të dheut? T`u përgjigjesh shkencërisht këtyre pyetjeve është paksa vështirë.
Nga objektet që i pamë në shtresat tokësore, dëshmi të atyre periudhave historike, pamë se nga cila periudhë ka filluar të duket njeriu në rruzullin tokësor, dhe, për këtë çështje, pikërisht në bazë të këtyre gjurmëve mundem të themi atë që e ditëm, pa u frikësuar se po bëjmë ndonjë gabim të madh. Por, sa i përket çështjes nga dhe si doli njeriu, përveç disa hipotezave dhe mendimeve, nuk kemi asnjë njohuri që do ta bënin të qartë këtë çështje.
Këto pyetje nuk mund të shtrohen vetëm për njerëzit, por edhe për të gjitha krijesat dhe, sidomos, për bimët dhe kafshët”.[10]
Plotësisht ka të drejtë Sami Frashri në konstatimin e tij. Përgjigja shkencore e pyetjeve të tilla është shumë e vështirë. Mund të gjurmohen dhe hulumtohen argumentet ekzistuese nga parahistoria, po nuk mund të vuloset nisja e njeriut në këtë botë. Antropologët e ndryshëm kanë dhënë mendime dhe variante të ndryshme për këto çështje. Ato ide dhe mendime më shumë duken si hipoteza të pabaza sesa argumente shkencore.
Për shembull në librin ‘ Origjina e llojeve’ Carls Darvin merret me hulumtimin dhe studimin e llojeve. Ai për insektet shprehet:” Edhe pse duhet që skajshmërish të jemi të kujdesshëm gjatë përfundimit se ndonjë organ nuk ka mundur që të jetë i prodhuar me shkallë sukcesive, të vogla ose parakaluese, megjithatë, padyshim ka raste të cilat përfaqësojnë rëndesa të mëdha.
Njëra prej rasteve më serioze përfaqësojnë insektet neutrale, të cilat shpesh janë të ndërtuara ndryshe edhe nga meshkujt edhe nga femrat pjellore; por për atë rast do të diskutojmë më andej.”[11]
Ndërsa po e analizuam gjendjen në aspektin fetar, dhe parashtrojmë pyetjen se kush ishte para njeriut, edhe pse e dimë se njeriu erdhi nga dheu, do të përballeshim me miliarda përgjigje. Njëra ndër ta është edhe ajo e mendimtarit bashkëkohor mysliman Amër Halid i cili thotë:” Para Ademit ( a.s.), para melaikeve, para qiejve dhe tokës, le të fillojmë me hadithin ( thënien e Pejgamberit a.s.) për Allahun e Madhërishëm:’ Ishte Allahu i Vetmi.’”[12]
Sami Frashri në këtë temë përfundon mendimin e tij në këtë formë:” Sido që të jetë, shkenca tani për tani mbetet e pafuqishme të sqarojë saktësisht këtë çështje. Meqë është një gjë që lidhet me dijeninë dhe qëllimin e Krijuesit, është madje përpjekje e kotë të lodhësh mendjen në këtë pikë. Prandaj, në vend që të mendojmë se nga doli njeriu dhe si u krijua ai, më mirë është që të merremi me të vërtetën se në c`kohë u gjet në rruzullin tokësor dhe në c`gjendje ka jetuar që nga shfaqja e tij fillestare.”[13]
Në veprën e tij “ Njeriu”, Sami Frashri jep edhe shumë informacione e hulumtime të rëndësishme. Mund të themi që në periudhën kur ka shkruar i njëjti, në P.Osmane temat e tilla gati se nuk kanë qenë aspak të lëvruara dhe se i njëjti ka qenë shkencëtari i parë që ka marrë guximin për t`iu qasur atij oqeani të panjohurash.
Ai, diskutimin për njeriun dhe rreth njeriut, e vazhdon në veprën e tij ‘ Përsëri njeriu’ dhe thotë të pathënat në veprën ‘ Njeriu”.
Përderisa në veprën e parë flet për aspektin gjeologjik të njeriut, në veprën e dytë flet për gjininë njerëzore, për llojin, për mënyrën e përhapjes së gjinisë njerëzore, për fitimin e karakteristikave të ndryshme të njeriut në bazë të ndikimeve klimatike, për racat etj.
Tema në fjalë është mjaftë atraktive dhe e ngjashme me hulumtimin që i bënë karakteristikave njerëzore vet Ibn Halduni në veprën e tij ‘ Mukadima’.

Gjinia njerëzore

Nëse gjininë e hulumtojmë në aspektin sociologjik, atëherë sipas fjalorit sociologjik me gjininë nënkuptojmë:” Bashkimin e individit me rolet shoqërore mashkullore ose femërore. Gjinia dallon nga seksi ashtu sikundër etniciteti dallon nga raca; gjinia është koncept sociologjik, kurse seksi është koncept biologjik. Gjinia është grumbullim rolesh, sjelljesh, qëndrimesh të lidhura së bashku, të cilat shoqërohen me meshkujt ose femrat në mënyrë konvencionale. Konstrukt individual i identitetit dhe shprehjes vetjake që konfirmon, mohon ose kapërcen rolet gjinore mashkullore ose femërore, si dhe bazën binare të mashkullores dhe femërores. Sipas feministëve, gjinia përfaqëson formë tjetër të ndarjes shoqërore, që lidhet në një masë të konsiderueshme me ndryshimet në raport me pushtetin, burimet për jetesë dhe shanset në shoqëri që kanë meshkujt dhe femrat.”[14]
Sami Frashri thotë:” Njeriu është një krijesë aq e mrekullueshme sa, po të mos ishim mësuar ta dëgjonim që më parë se është një nga llojet e shtazëve, ky gjykim do të na dukej fare i çuditshëm. Në të vërtetë, shkencëtarit, që për herë të parë e ka dhënë këtë mendim për njeriun, pra, se njeriu është nga llojet e shtazëve, i është dashur guxim shumë i madh fetar.”[15]
Përderisa kuptuam më lartë termin gjini në aspektin sociologjik dhe llojin e njeriut tek gjinia në aspektin shkencor, të shprehur nga Sami Frashri, mund të themi se njeriu si një qenie shoqërore nuk është mbulim i errët i evolucionit.
Teori të evolucionit të llojeve, sulmohen ashpër nga Sami Frashri.
Njeriu është një krijesë që në forma të ndryshme është përhapur në tokë. Përmes tokës dhe detit ai kapi edhe skajet më të ndryshme.
Prej gjinisë njerëzore kanë dal edhe llojet e njerëzve, popujt, fiset e racat e ndryshme.
Bashkësitë njerëzore jetojnë në rrethana të ndryshme klimatike. Disa prej tyre janë shumë të guximshme, ndërsa disa bashkësi tjera nuk janë aspak të tilla. Edhe pse kushte të vështira klimatike njeriu arriti që të mbijetoj në to.
Një grup i njerëzve ose bashkësisë njerëzore jeton në rrethana ku gjithmonë është nxehtë. Grupi tjetër i njerëzve jeton në rrethana dhe kushte klimatike ku gjithmonë është ftohtë. Ka disa grupe tjera të njerëzve që jetojnë në rrethana ku përjetojnë dhe përballojnë edhe të ftohtin edhe të nxehtin.
Në këtë temë, Ibn Haldun thotë:” Dije se, duke marrë parasysh se jeta e shkretëtirës është shkak i guximit, siç kemi thënë këtë në parathënien e tretë, nuk ka dyshim që këto bashkësi të egra janë më të guximshme se të tjerat.
Kështu, ata janë të më aftë për të fituar epërsi dhe për të rrëmbyer atë që gjendet në duart e popujve tjerë.
Megjithatë, kushtet e zhvillimit të bashkësive të caktuara dallojnë ndërmjet tyre, varësisht nga periudhat kohore. Kështu, sa herë që ata vendosen në zonat pjellore, fillojnë të kënaqen në mirëqenie dhe mësohen me zakonet e jetës në bollëk dhe luks, aq më tepër dobësohet guximi i tyre, natyra e tyre e egër dhe shprehitë e shkretëtirës.”[16]

Qasje përfundimtare


Njeriu në botën e Sami Frashrit ka karakteristika të ndryshme. Ai ka ngjashmëri dhe dallime të mëdha me llojet tjera të krijuara në këtë botë. Ka një fillim dhe një mbarim. Është i ndarë në raca të ndryshme, në fise, në lloje, në bashkësi e grupe.
Idetë e Sami Frashrit nuk bien ndesh as me shkencën e as me fenë. Ai njeriun nuk e sheh në aspektin tradicional fetar si të mbyllur ose të krijuar nga Krijuesi pa mos dhënë versionin ose qasjen shkencore për prejardhjen e tij.
Nuk ka dyshim se çdo tentim rreth njeriut dhe analizimit të nisjes së tij në këtë botë është i dobishëm për njeriun dhe për shoqërinë.
Sami Frashri është nga rilindësit e rrallë në mesin e shqiptarëve që kaq detajisht është marrë me këtë temë. Me kompetencë është munduar që të jap përgjigje në çdo pyetje të parashtruar.
Metodologjia e tij shkencore mbetet që të ndiqet nga të rinjtë e interesuar për këto tema. Kjo temë është aktuale dhe do të jetë aktuale derisa të ekzistojnë njerëzit në këtë botë.
Mehmet Akif Ersoj thotë:
” Prirja jote kah përparimi është një frymë shtytëse.
Gjithë të fshehtën e krijimit kërkon ta mësosh;
Nga kjo botë e panjohur e boshe kërkon të shpëtosh.
E kaluara, e tashmja, e ardhmja, tre të panjohura të mëdha,
Të rrinë kundër ashtu si muri  i së ardhmes.
Kah vrapon je pra me sevdanë për t`i njohur këto;
Nga e vërteta dhe një copëz nuk mund të rrish pa nuhatur.
Le të fshihen, po të duan, enigmat pas perdes së errësirës;
Nata e izolimit ku ke rënë, s`ta rrëzon shpirtin në pa shpresim.
Nëse qëllimi si një pishtar të ndriçon para e të prin,
Nuk druhesh të zhytesh në errësirën më të thellë,
Po qe se vjen një ditë e të shfaqet natyra e të gjitha veprave,
A e lë ti kërkimin, a ulesh e rri? Kurrsesi!”[17]



[1]  Kultura Islame-1, Organ i KMSH, shtator 1939-gusht 1940, botim i Alsar, Tiranë, 2012, f.20
[2]  Vepra 18, Njeriu, Sami Frashri ,  botim i Logos-a,  Shkup, 2004, f.13
[3] El Mukaddime, vëllimi i parë, Ibn Haldun, Prishtinë, 2012, f.79
[4]  Fletët, Mehmet Akif Ersoj, Shkup, 2007, botim i Logos-a, f.160
[5] Kriteret ose dritat e rrugës, Fetyllah Gulen, Tiranë, 2003, f.111
[6] El Mukaddime, vëllimi i parë, Ibn Haldun, Prishtinë, 2012, f.181
[7] Vepër e cituar, f.15
[8] Njeriu kundër shtetit, Herbert Spencer, Tiranë, 2000, f.20
[9] Fjalori elektronik shpjegues
[10] Vepër e cituar, f.27-28
[11] Потекло на видовите, Чарлс Дарвин, Скопје 1978, стр.239
[12] Unë po krijoj në tokë një zëvendës, Amër Halid, Shkup, 2010, f.7
[13] Vepër e cituar, f.30
[14]  Fjalor i sociologjisë, Ali Pajaziti, Shkup, 2009, f.227
[15] Vepra 19, Përsëri njeriu, Sami Frashri ,  botim i Logos-a,  Shkup, 2004, f.19
[16] El Mukaddime, vëllimi i parë, Ibn Haldun, Prishtinë, 2012, f.231
[17] Fletët, Mehmet Akif Ersoj, Shkup, 2007, botim i Logos-a, f.161

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...