Sunday, June 29, 2014

Ditar Ramazani-3



Hamdi Nuhiju

E diel, 29.06.2014, Kumanovë
Shenja e sexhdes në kokën e besimtarit është shenjë diamanti. Prej saj e privojnë veten shumë njerëz. Madje disa të tjerë edhe i nënçmojnë njerëzit që veprojnë në këtë formë. Po sexhdeja është sexhde. Ajo nuk mund të zhduket nga traditat e njerëzve, popujve, individëve.
Qëllimi i rënies në sexhde ndryshon. Kujt i bjer në sexhde, ndryshon. Qasja e sexhdes, ndryshon. Efekti i sexhdes, ndryshon. Jetëgjatësia e sexhdes, ndryshon.
Edhe pse për çdo ditë ndoshta falemi, zemrat i kemi të mbuluara me llomin e dynjallëkut. Sexhdeja jonë menjëherë ndryshon kahen. Ajo më nuk është e drejtuar kah Zoti, por kah një ‘zot’ tjetër e që është dynjaja. Ne duhet t`i pastrojmë zemrat prej qëllimeve të papastra.
Edhe pse nuk e ulim kokën ,por në sexhde shpesh herë dimë t`i bimë edhe pozitës. Për një pozitë të caktuar në shoqëri jemi në gjendje që të heqim dorë prej disa parimeve tona jetësore. Ndoshta edhe për të arritur deri tek ajo pozitë, nuk zgjedhim asnjë lloj mjeti. Me çdo kusht mundohemi që t`ia arrijmë synimit.
Njerëzit pa parime, jetojnë të vegjël dhe vdesin të vegjël. Kush e humb shenjtërinë e sexhdes, ia ka humbur shenjtërinë jetës së tij. Ajo më nuk ka kuptim, edhe nëse jeton më shumë se të gjithë njerëzit tjerë. Mund të frymosh, të ecësh e punosh, por shkëlqimi prej diamanti humbi.
Sexhdeja është një rrugë që na afron me Zotin e Madhëruar. Njeriu që i bjer në sexhde Zotit e askujt tjetër, di të respektoj prindërit e tij, është i dobishëm në shoqëri, komshinjtë nuk shohin sherr prej tij. Zoti do për robin e tij më të mirën. Ai duhet të jetoj në harmoni me njerëzit tjerë dhe krijesat tjera, duke mos krijuar çrregullime.
Sexhdeja është kriter i vetëdijes. Ajo nuk është formë mekanike e lidhjes me Zotin, por ngritje shpirtërore deri në qiellin e shtatë. Njerëzit pa sexhde ngjasojnë me kafshët. Jetojnë sa për të plotësuar orekset ose instinktet e tyre. Nuk njohin Zot, fe e moral.
Njeriu shënon historinë e tij shpirtërore përmes sexhdeve të shumta. Përndryshe si do të dallohet se ka shpirt, po qe se nuk i ra në sexhde Krijuesit? As laikët, as femohuesit nuk mund ta kuptojnë ekzistencën e shpirtit në trupin e tyre përderisa asnjëherë nuk e disiplinojnë vetën duke i rënë në sexhde Krijuesit. Ndërtojnë doktrina të shumta për shpirtin me interpretim njerëzor, duke thirrur në largim prej shpirtit.
Përmes sexhdes i mbyllet rrethi djallit. Ai lidhet në pranga dhe nuk del në gjah për të mbyllur njerëzit në prangat e të keqes. Ka shumë njerëz të lirë që ecin rrugëve, por janë të burgosur në shpirt. Ata nuk e pastrojnë jetën e tyre me sexhde. Po iu janë kthyer të keqes dhe me të keqen krenohen. Të keqen e quajnë të mirë. Asaj i bëjnë rituale sikur ritualet e besimtarëve mysliman. Ndoshta janë edhe më të përkushtuar në atë pikë.
Ritual djalli është të dalësh në kafene në mes të Ramazanit edhe pse të tjerët andej detit, të njohin si njeri që i përket fesë së sexhdes. Ajo që dua nga ti, është të vetëdijesohesh, e jo të largohesh tërësisht prej kësaj rruge. Vetëdijesimi është ilaç i shumë sëmundjeve.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...