Saturday, November 15, 2014

TARATOR



Hamdi Nuhiju

1. Maqedonia po synon që të futet në Bashkimin Evropian si dhe në strukturat e NATO-s. Por, ky synim hipokrit po vërehet çdo ditë prej pëllëmbëve të larguara të këtij shteti nga ky synim.
Deklarativisht duam Evropën, ndërsa punët, mendja dhe zemra na rrah për Rusinë. Si duket po na pëlqen qasja putiniste e organizimit të jetës. Duam të halitemi edhe ne, në hallkën e parashikimeve ballkanike. Zullumi është duke u trashur, por peri ende nuk është këputur. Pengesë po paraqitet mos zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë. Për të gjitha hallet tona, nuk mund të ketë hall Greqia, këtë gjë e di fort mirë edhe Nikolla Gruevski, kryeministër i vendit. Por, duke centralizuar pushtetin, ngulfatur ekonominë, shtrydhur medien, ecë e guxo thuaja.
A ka diçka të re nga bisedimet ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, do të pyeste qytetari. Ndërmjetësi Metju Nimic, të jep përgjigje ekspresë, asnjë zgjidhje e re, asnjë lëvizje milimetrike drejtë një përafrimi qëndrimesh midis Maqedonisë dhe Greqisë. Si duket u futëm në këtë valle, jo për të zgjidhur problemin, por për të shtuar jazin midis dy vendeve. Kështu mund të duket i përafruar një shikim me syze qytetari të lodhur e rraskapitur politikisht dhe ekonomikisht.
2. Habit fakti, se edhe përskaj hapave të shumtë reklamues të qeverisë së R.M. për ndryshimet në sferën e shëndetësisë, atje mungon kuadri profesional për t`i shëruar qytetarët. Sipas të dhënave të fundit, ky kuadër shëndetësor bazohet mbi punën e vullnetarëve që në mënyrë të padrejtë e kanë vendosur fatin e tyre për muri, dhe presin që të rrjepin lëkurat e qytetarëve të thjeshtë, pasi që vet janë të rrjepur. Gjendja e vullnetarëve është e frikshme në klinikat shtetërore, e sidomos në klinikën e gjinekologjisë. Si duket në këtë mënyrë institucionet e shtetit, duan ta mbajnë gjallë korrupsionin dhe të rrjepin qytetarët hallexhinj në mënyrat më të frikshme. Paramendo të jesh burrë i një shtatzëne dhe të përballesh me punën e një vullnetareje e cila në muajt merr vetëm 4500 denar rrogë? T`i ndoshta edhe mund të jesh rast social, i cili dëshiron ta shtosh natalitetin e këtij vendi, por pa kapërcyer në thikat e mprehta të këtyre vullnetarëve, do ta kesh shumë të vështirë ta kryesh procesin e lindjes. Nëse tenton që të refuzosh ‘ përballjen’ me to, do të rrezikosh shumë gjëra, madje edhe jetën e gruas dhe fëmijës që gjendet në barkun e saj. Tashti faji gjendet tek këto vullnetar, tek pacienti, apo tek shteti. Përgjigjen gjejeni vet.
3. Masat e fundit të qeverisë së R.M. për të punësuar personat me aftësi të kufizuara fizike, janë reklamim i radhës. Përmes dobësimit të shoqërive të mbrojtura, qeveria tenton që të rris ndikimin edhe në punësimin e këtyre personave, në këtë mënyrë duke krijuar një urë lidhëse midis korrupsionit dhe personave hallexhinj që duan të punësohen. Edhe pse shikohen disa favore për firmat private që kryejnë punësime të këtilla, dhe besohet se këto masa do të nxisin më shumë punësimin e këtyre personave, përsëri vendohet një pikëpyetje e madhe për metodologjinë e realizimit të tyre. Për të bërë spektakël ndërmjet lepurit dhe policit, qeveria vendoset në mes, që në mënyrë të shpejtë të nxjerr në treg një koncept të ri punësimi, pikë e dobët, sa për të kënaqur audiencën.
4. Si rezultat i refleksioneve të këtilla, Maqedonia është njëri prej vendeve që përdor më së shumti antibiotik për dallim prej të gjitha vendeve të rajonit si dhe të Evropës. Përdorimi i antibiotikëve është rritur në 10 përqind më shumë, sesa vitet e fundit. Ndërsa, nëse i shohim në bazë të qyteteve, qyteti i Kumanovës është përdoruesi më i madh i antibiotikëve. Këto të dhëna flasin pastër dhe qartas për ‘ lulëzimin’ që ka kapluar të gjitha sferat e shoqërisë, e sidomos atë shëndetësore. Kur jemi tek kjo e fundit, shpresojmë të mos i biesh udhës për të vizituar klinikën për fëmijë, pranë spitalit të Kumanovës, me një fëmijë të sëmurë nga temperatura ose ndonjë sëmundje tjetër. Do të detyrohesh të presësh prej 1 deri në 3 orë, deri në ardhjen e mjekut.


No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...