Wednesday, May 13, 2015

9 maj 2015 Kumanovë

Hamdi Nuhiju

9 maji i shqiptarëve të qytetit të Kumanovës ishte i frikshëm. Por, jo vetëm i shqiptarëve. Frikë kishin edhe maqedonasit, romët, e turqit që jetojnë në Lagjen tashmë të njohur të trimave.


Përjetimet e asaj dite nuk e besoj se mund t`i harroj dikush prej neve. Menjëherë me të falur namazin e sabahut, filluan krismat. Shqiptarët e Lagjes së trimave të nxënë në befasi, nuk dinin gjë. Kush po gjuan? Me kë po lufton? Pse nisi kjo? Fëmijë, gra shtatzëna, pleq e të rinj, të frikësuar e hutuar. Të gjithë u zgjuan nga gjumi.

Dëgjoheshin krismat nga të gjitha anët, ndërsa unë kisha fatin e keq të isha shumë afër ngjarjeve që për një kohë të gjatë do të ngelin në kujtesën time.

Shihej tymi nga të gjitha anët, shtëpi të shkatërruara. Ndërsa telefonatat e miqve dhe njerëzve të frikësuar nuk ndaleshin aspak. Nga të gjithë ne një gjë dihej sigurt, se nuk dihej asgjë se çfarë po ndodh.

Megjithatë në pozicionin e raportuesit të ngjarjeve si gazetar i portalit zhurnal kam informuar në vazhdimësi për atë që e dëgjoja dhe e lexoja nga kumtesat e ndryshme. Krismat nuk ndaleshin. Zemra më dridhej, ndërsa gishtat shkruanin raportet e vazhdueshme deri në një periudhë, kur shumë afër shtëpisë time u afruan një grup që gjuante me kallashnikov. Atëherë edhe gishtat ndaluan. Në mendjen time sillej vetëm Zoti.

Ky tmerr që për ne zgjati prej pas namazit të sabahut e deri në orën 16, ndryshoi kahen. Një djalosh i ri i rrugës time shpëtoi tërë rrugën. Mori aksion të nxjerr popullatën e pafajshme të rrugës prej këtij tmerri që si dihej fundi.

Të gjithë familjet dolëm në rrugë. Disa morën çka mundën me veti, ndërsa unë përveç kokës time mora edhe nënën për të shpëtuar prej kësaj të papriture.

Ashtu të grupuar në vetura e furgon, deri në 20 metra larg rrugës tonë kaluam në disa post blloqe policore.

Gratë, fëmijët, pleqtë dhe disa shofer të veturave i lëshuan. Ndërsa ne burrave të rrugës na ndaluan. Arsyen nuk e dinim. Dhe ishte frikë edhe të pyetej në ato momente arsyeja e ndalesës sonë.

Të ndaluar ishin vetëm burrat e rrugës time, dhe rrugëve poshtë nesh, ndërsa burrat e rrugëve tjera pak më larg se ne, burrat i kanë lëshuar pa probleme.

Prej ora 16 deri ora 21 qëndruam aty në rrugë së bashku me policinë. Pa bukë, të frikësuar deri në palcë, granatimet nuk ndaleshin dhe luftimet vazhdonin. Por të qetësuar me idenë se familjet së paku i shpëtuam.

Provokime me gjuajtje nga vendi i luftimeve kishte, por në ato momente policia që rrinte me ne sillej mirë. Ata na premtuan se nuk do të na bëjnë gjë. Thjeshtë do të na marrin në pyetje dhe lehtas do të na lëshojnë.

Ora 21 ishte ai momenti kur filloi që të vendosej për fatin tonë. Na çuan afër 50 metra më poshtë sesa vendi ku kishim qëndruar. Atje ishte stacionuar baza e policisë prej ku jepeshin urdhrat për sulme ndaj grupeve të armatosura.

Ne të frikësuar si dele para kasapit iu lëshuam fatit dhe ndihmës së Zotit. Për të parën herë në jetën time pash fytyrën e vërtet të policisë.

Deri në ato momente asnjëherë nuk jam përballur me polici ose ushtri. Na prangosën dhe me ne silleshin jo mirë. Ajo gjuha e butë dhe e thjeshtë që përdorej deri në orën 21 tani menjëherë u zhduk. Nisi kontrolli policor, dhe nisën provokimet me fjalë dhe me disa lëndime të vogla. Fati jonë nuk dihej.

Ora 22 e 35 min na mori nën kontroll policia lokale e Kumanovës dhe na informuan se shumë shpejtë do të na çojnë në stacionin policor për të na marr në pyetje. Të nisur në këmbë, si kriminel lufte deri te Shkolla e mesme “Sami Frashri” për ne nuk dihej asgjë. Kur mbërrimë në rrugën kryesore, policia na liroi. O Zot sikur të kishim lindur për së dyti.

Ende nuk e di saktë se çfarë ndodhi, por ajo që përjetuam, nuk e besoj se do ta harroj ndonjëherë në jetën time.



No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...