Monday, September 21, 2015

Imazhet mediatike maqedonase për rajonet shqiptare

Hamdi Nuhiju

Lufta midis individëve, grupeve e popujve të caktuar thuajse nuk përfundon asnjëherë. Njeriu nuk është në paqe me vetveten, pasi që gjithmonë tenton që të luftoje veset e tij të këqija, ndonjëherë duke krijuar vese të këqija, e ndonjëherë duke sulmuar të tjerët për ta mbrojtur vetveten. Nuk është vetëm lufta e armatosur si ajo e vitit 2001 luftë e mirëfilltë në skenën aktuale politike në Maqedoni. Po edhe lufta mediatike është një vazhdimësi e luftës së 2001.


Media di të krijoje imazhe të caktuara për individ, shoqëri e vende të caktuara. Ajo i ngrit ato duke i kultivuar dhe zhvilluar, madje di edhe ti deformoje deri në përmasa të tilla sa që të mos mundesh ta besosh të vërtetën prej tendencës mediatike. Imazhet në botën globale kanë një rëndësi jetësore. Lufta e imazheve po rrënon popuj, civilizime e po nxit varfrin. Po të mos ekzistonin imazhet, ato do të krijoheshin në fantazinë e njerëzve në format klasike të krijimit të imazheve. Mirëpo ky lloj krijimi i imazheve ka para vetes edhe sistemin e vetëkontrollit dhe dallimit midis imazhit të vërtet prej atij të lakuar. Mediat kanë në dorë kontrollin e imazhit. Ata në botën globale vendosin çmimin po edhe përcaktojnë fatin e imazhit të caktuar.

Mediat maqedonase në vazhdimësi vazhdojnë që të krijojnë imazhe negative për shqiptarët e Maqedonisë, po edhe për rajonet e tyre. Mjafton që të përcillen pa emocione dhe në mënyrë objektive për të dalluar se cili imazh prej cilit është i vërtet ose i saktë. Tek to sikur të ekzistoje ndonjë strategji e caktuar e krijimit të imazheve në rrethet dhe ambientet shqiptare. Në mënyrë të sinkronizuar e kopjojnë njëra tjetrën deri në arritjen e qëllimit. Ndoshta tek klienti shqiptar nuk mund ta arrijnë efektin e dëshiruar në njëqind përqind të rasteve, por mjafton tek klienti maqedonas të mos i zbusin paragjykimet shekullore.

Lexuesi që përcjell mediat si ato shqiptare si ato maqedonase, e sheh se tek mediat maqedonase në kronikën e zezë mbisundojnë rastet e dhunës në familje në Tetovë, problemet me prostitucionin në Tetovë, problemet në trafik në Tetovë, problemet në shëndetësinë e Tetovës, problemet në arsimin e Tetovës, aksionet policore kundër drogës dhe krimit të organizuar në Tetovë, Gostivar, Shkup, Komunë të Likovës, Studeniçan, Haraçinë, problemet me ujin për pirje në Strugë, rrahjet e nxënësve maqedonas në Strugë, problemet me plazhin në Strugë, problemet me ujin për pirje që Komuna e Likovës i shkakton Kumanovës. Dhe në imazhet e këtilla duket sikur shqiptarët janë faktorët ose njerëzit problematik të cilët e kanë mbisunduar tregun dhe viktimat janë maqedonasit dhe shteti maqedonas.

Imazhet e këtilla ku gjithmonë për probleme dëgjon në rajonet shqiptare, ndërsa tek rajonet maqedonase dëgjon dhe lexon vetëm për ndërtimin e fabrikave, infrastrukturës, arritje në shkencë, në teknologji, arsim e kulturë e bëjnë lexuesin lakmitar për rajonet maqedonase dhe shtojnë dozat e dyshimit për rajonet shqiptare. A thua ky popull a mund të bëhet më i integruar në shoqëri nëse i jepen të drejtat në shoqëri? Edhe pak këto të drejta që iu janë dhënë pas luftës së 2001 këto nuk dinë t`i realizojnë. Shikoni se sa probleme po bëjnë ndërmjet veti e të mos flasim për të tjerët.

Shqiptari në imazhet e medieve maqedonase është një shqiptar i prapambetur, problematik që nuk di të respektoje shtetin e vet, shqiptar që nuk paguan tatime, që e vjedh rrymën elektrike, i pashkolluar.  Me fjalë të tjera ky lloj i shqiptarit është i vdekur ose inekzistent. Në momentin kur në mediat maqedonase e shqiptare gufon ndonjë sukses i shqiptarëve e që nuk mundet të fshihet, mediat maqedonase menjëherë paraqesin sferën e propagandës ku pleq maqedonas martohen me gra shqiptare nga Shqipëria.

Imazhet e këtilla të deformuara për shqiptarët transferohen edhe në sferën politike dhe ndikojnë edhe në ndërtimin e koalicioneve të ndryshme duke u nisur mbi baza të paragjykimeve, por edhe duke ndërtuar politika nënçmuese ndaj shqiptarëve.  Nëse në mendjen e një maqedonasi krijohet imazhi i një shqiptari të shkolluar, avancuar, të moralshëm, që nuk gënjen, që punon për ta furnizuar familjen, që nuk vjedh, kur ulet në tavolinën e bisedimeve për të vendosur për ndarjen e resoreve të caktuara bisedave i qaset ndryshe.

Ai që kontrollon mediat i kontrollon edhe sferat tjera të shoqërisë. Prandaj në Maqedoni përveç platformave politike kombëtare që ka nevojë të unifikohen dhe të avancohen, duhet që të krijohen edhe platforma mediatike kombëtare e që do të mundësonin ruajtjen dhe kultivimin e imazhit të vërtet për shqiptarët e këtushëm. E në momente të caktuara nëse paraqitet nevoja edhe për propagandë mediatike të përdoret edhe ajo por me përmasa të kontrolluara dhe të ekuilibruara.

Nuk e besoj se mund ta pranoje dikush idenë se probleme ka vetëm në rrethet shqiptare në Maqedoni. Probleme të prostitucionit, të drogës, të vjedhjes, të mungesës së kushteve elementare ka edhe në mjediset maqedonase. Po ato probleme nga këto mediume fshihen ose përmenden kalimthi duke mos vendosur theksin aq sa duhet.

Duhet krijuar një standard në këtë shtet të vogël që imazhet e problemeve ose të kronikës së zezë të mos kanë etiketën etnike. Po ato të qasen si fenomene në shoqëri që duhet luftuar njëjtë nga të gjitha mekanizmat në shoqëri. Nëse kjo gjë nuk përmirësohet, besoj se problemet ndëretnike në Maqedoni do të mbahen gjallë dhe nuk do të vdesin kurrë shkaku i medieve. Mediat i mbajnë gjallë këto probleme, mediat dinë t`i zhdukin të njëjtat.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...