Thursday, December 17, 2015

Oliver Spasovski a i gjeti fajtorët e demolimit të mesxhidit në Kriva Pallankë?

Hamdi Nuhiju

Shqiptarët e Republikës së Maqedonisë janë të ndikuar nga euforia dhe mediat. Për një moment të caktuar janë bashkë kundër një fenomeni të caktuar negativ, dhe shumë shpejtë harrojnë. Harrojnë me vetëdije ose pa vetëdije, kryesorja planet, strategjitë e të tjerëve dhe tonëve kundër interesave kombëtare dhe fetare vazhdojnë që të jetësohen. Asgjë nuk ndryshon, përderisa ndryshimin nuk e marrim nga vetvetja.


Kaloi një kohë nga skandali që ndodhi në Kriva Pallankë. U organizua një protestë anti myslimane, kryetari i Kriva Pallankës shprehu një deklaratë raciste anti myslimane. Po ashtu u demolua edhe objekti i vetëm fetar mysliman në atë qytet. Edhe pse në krye të ministrisë së punëve të brendshme është Oliver Spasovski i cili vjen nga Kumanova, dhe vizioni i LSDM-së për të ardhur në pushtet është drejtësi multietnike dhe multikulturore për të gjithë, fajtorët e krimit në Kriva Pallankë ende nuk u gjendën.

Është pak e palogjikshme, një qytet ose qytezë me 8.000 banor si Kriva Pallanka e të mos kihej mundësi për t`u gjetur fajtori i demolimit të mesxhidit?!

Përndryshe, kryetari i komunës së Kriva Pallankës nuk i kërkoi falje besimtarëve mysliman të Republikës së Maqedonisë për deklaratën e tij raciste se përderisa ai do të jetë kryetar i Kriva Pallankës, asnjëherë në atë vend nuk do të ndërtohet objekt fetar mysliman.

Sa kohë do të kalojnë që të krishterët ortodoks të Maqedonisë, maqedonasit, do të na ofendojnë neve shqiptarëve mysliman të këtij vendi e të mos kërkohet falje? A thua jemi shurdhuar ose tredhur që aq lehtë po përpijmë gjithçka që të tjerët po bëjnë në adresën tonë?

Kumanova, një qytet i afërt me Kriva Pallankën, edhe pse me një numër të konsiderueshëm besimtarësh mysliman, dhe një numër të madh të organizatave jo qeveritare, nuk ndërmori asnjë hap të vetëm për të gjykuar ose kundërshtuar këtë akt vandal ndaj mesxhidit në Kriva Pallankë.

Përveç reagimit të Myftinisë së Bashkësisë Fetare Islame në Kumanovë, asnjë reagim i vetëm serioz kundër këtij vandalizmi i cili ende qëndron i pazbardhur nga organet e rendit.

Jemi të detyruar që të pyesim ministrin e punëve të brendshme të Republikës së Maqedonisë, Oliver Spasovski, se sikur të ndodhte një vandalizëm i këtillë ndaj ndonjë kishe në ndonjë ambient maqedonas, dhe fajtor të ishin shqiptarët mysliman, a do të gjendeshin fajtorët dhe gjykoheshin sipas ligjeve të këtij shteti?

E ardhmja e shqiptarëve të Maqedonisë është e pasigurt edhe nga partia opozitare, LSDM-ja, e cila po tenton që në emër të lirisë, demokracisë dhe vlerave evropiane të vijë në pushtet. Si duket, kjo parti opozitare, po tenton që të krijoj prototipe të shqiptarit të mirë, i cili do të i përshtatet politikave të saj deri në zhdukjen e identitetit kombëtar dhe fetar të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë.

LSDM-ja opozitare ndaj aktit vandal në Kriva Pallankë nuk gjeti zë për të ngritur. Por, shumë shpejtë harruan edhe shqiptarët, dhe pas atij akti vandal ndodhën edhe shumë gjëra tjera e të cilat po kalojnë ashtu zhurmshëm e në heshtje.

Kryeministri në ikje i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Gruevski, fatkeqësisht opinionin e këtushëm edhe të shqiptarëve edhe të maqedonasve po tenton që ta ushqej me racist si Micevski dhe Nedelkovski e për t`u larguar prej gjërave thelbësore dhe esenciale të cilat realisht i interesojnë popujve që jetojnë në këtë shtet.

Të kthehemi në krye të herës. Oliver Spasovski nëse vërtet mendon se ai dhe partia e tij kanë vizion për ta përmirësuar Maqedoninë, dhe të mos i përsërisin gjërat që i ka bërë Nikolla Gruevski me vite, duhet që urgjentisht t`i gjejnë fajtorët e demolimit të mesxhidit në Kriva Pallankë. Përndryshe, në ballin e tyre do të shkruaj “gënjeshtarët e rinj po zëvendësojnë gënjeshtarët e vjetër”.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...