Sunday, February 21, 2016

A do të rikthehet Gruevski në postin e kryeministrit?!

Hamdi Nuhiju

Drama rreth datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare sot përfundoi nga verdikti i diplomacisë amerikane në vend. Shkurt, qartas dhe pastër, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, Xhes Bejli deklaroi se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për me 24 prill të vitit 2016.


Edhe pse paraprakisht u bë shumë bujë rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Makineria e partisë në pushtet, VMRO-DPMNE përmes propagandës së saj kërkonte që të betonizohet data e mbajtjes së zgjedhjeve me 24 prill, duke u arsyetuar se është një datë e caktuar me një marrëveshje politike. Në anën tjetër, ekspertët e lëmisë së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, dhe zgjedhjeve në përgjithësi u habitën se si është e mundshme që një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktohet në një marrëveshje politike. Sipas tyre kjo gjë është precedent e cila për të parën herë po ndodh në këtë hapësirë politike.

VMRO-DPMNE për qëndrimet e tyre kërkuan ndihmë si nga brenda, po ashtu edhe nga jashtë. Në një moment u tentua që edhe euro komisari për bisedime dhe zgjerim, Johanes Han të nxirret prej konteksti prej intervistës së tij të dhënë për magazinën bullgare Kapital, ku thuhet se ka thënë se është me rëndësi që të mbahen zgjedhje kredibile, ndërsa a do të jetë pjesëmarrëse në to opozita ose jo, nuk është shumë me rëndësi.

Pas kësaj deklarate, e cila si duket sipas pohimeve të Johanes Han është nxjerr nga konteksti, vijoi një sulm i orkestruar dhe i ashpër medial nga ana e opozitës maqedonase. Madje disa prej tyre, duke përfshirë edhe njerëz në kabinetin e ministrit të punëve të brendshme, Oliver Spasovski i cili është nga radhët e LSDM-së, shkuan deri aty sa edhe bënë sharje dhe fyerje në adresën e euro komisarit Han.

Duke parë tentimet e partisë në pushtet, VMRO-DPMNE për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare me 24 prill edhe pa u pastruar Lista Zgjedhore, LSDM-ja opozitare pat deklaruar se nuk do të marr pjesë në ato zgjedhje, d.m.th. do t`i bojkotoje. Sipas kësaj partie, pjesëmarrja e tyre në zgjedhje kredibile parlamentare bëhet e mundshme vetëm nëse pastrohet Lista Zgjedhore, bëhen ndryshime në sferën mediale si dhe bëhet ndarja e partisë në pushtet nga institucionet e shtetit.

Para do kohësh, nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mancevski, sipas medieve në pushtet pat deklaruar se Lista Zgjedhore është e pastër dhe se e njëjta nuk ka nevojë të pastrohet.

Brenda kohës lufta politike midis pozitës dhe opozitës vazhdonte në ministrinë e punës dhe politikës sociale, ku ministrja e caktuar nga radhët e LSDM-së, Frosina Tashevska Remenski ngriti disa padi penale kundër ish ministrit dhe tani zëvendës të saj, Dime Spasov. Po në të njëjtën vijë ia ktheu edhe ish ministri, Dime Spasov duke e paditur tanimë ministren , Frosina Tashevska Remenski për papërgjegjshmëri në punë dhe pengimin e projekteve të cilat i ka nisur më herët qeveria.

Nga sulmet nuk u kursye as ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski me skandalin ose aferën e letërnjoftimeve ku një kohë ishte në vëmendjen e medieve dhe opinionit.

Duke parë vijën e njëjtë të veprimtarisë politike, qendra e LSDM-së, aktivizoi edhe zëvendës ministrat e saj të bujqësisë dhe atë të shoqërisë informative dhe administratës që të dalin në opinion me akuza dhe padi të cilat do ta turbullonin ende më shumë situatën politike në vend.

Kësaj lufte politike nuk mundi t`i shpëtoje as prokurorja speciale, Katica Janeva, e cila fillimisht u sulmua nga Këshilli i Prokurorëve Publik, që më pastaj t`i refuzohet kërkesa për paraburgimin e ish ministrave Mile Janakieski dhe Gordana Jankulloska nga ana e Gjykatës Themelore Shkupi 1.

Në gjithë këtë situatë politike, VMRO-DPMNE-së i konvenonte që me 24 prill të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Uji është turbulluar. Nuk shihet qartas e vërteta nga gënjeshtra. Dhe në kësi rrethana që janë në favor të partisë në pushtet do të ishte ideale që zgjedhjet të mbaheshin me 24 prill të këtij viti. Për këtë arsye, ish kryeministri Nikolla Gruevski dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, dhe si zëvendës të tij e caktoi Emil Dimitriev një person i panjohur për opinionin deri në momentin e caktimit për kryeministër teknik.

Fakti se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të shtyhen për shkak të mos zbatimit të tërësishëm të Marrëveshjes së Përzhinos, a do të nënkuptonte edhe atë se ish kryeministri Gruevski mund që të rikthehet në postin e tij? Sipas ligjeve në fuqi, ai duhet që të jap dorëheqje 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ndërsa, përderisa zgjedhjet shtyhen, sipas ligjeve në fuqi ai edhe mund të rikthehet në postin e mëparshëm.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...