Tuesday, March 1, 2016

Aq të robëruar qenkemi sa po i gëzohemi edhe paralajmërimeve?

Hamdi Nuhiju

Maqedonia në dhjetë vitet e fundit gjendet në një katrahurë ose errësirë mediale ku liria e shprehjes është ngulfatur deri në përmasa të tej-zakonshme. E gjithë kjo është bërë në emër të lirisë së shprehjes ose gjetjes së mënyrës së lehtë për të arritur deri në pushtet.



Me ardhjen në pushtet të ish kryeministrit Nikolla Gruevski, pjesa dërmuese e medieve u vu nën kontrollin e sistemit. Fjala e lirë dënohej, madje sipas opozitarëve edhe me vrasje. Kur kjo gjë i ndodhte gazetarëve me renome prej etnitetit maqedonas, vetëm mund të paramendohej se çka mund t`i ndodhte ndonjë shqiptari i cili gjurmon deri në thellësi të informacioneve.

Njëra prej pikave më të rëndësishme të Marrëveshjes së Përzhinos duhet që të jetë reforma në medie. Por, mënyra se si po tentohet të reformohen mediet, na bën të dyshojmë dhe të mos gëzohemi para kohe për rezultate të pritshme ose pozitive.

Edhe pse kjo pikë është kaq e rëndësishme në Marrëveshjen e Përzhinos duket pikë minore ose e parëndësishme e bërë kjo gjë qëllimisht nga ana e subjekteve politike pjesëmarrëse në procesin e nënshkrimit të marrëveshjes.

Kjo situatë e tensionuar ose e errët mediale, na bën të ndjehemi të robëruar dhe të gëzohemi ndaj çdo paralajmërimi. Për shembull, përderisa në Shqipëri mediet ndikuan për t`i bërë probleme shumë politikanëve, duke i larguar prej pozitave të tyre dhe duke ua hequr mitin e të paprekshmit, në Maqedoni, vetëm një dritë ose paralajmërim për ndonjë ndryshim në sferën politike është festë dhe gëzim në opinionin e gjerë shqiptar dhe maqedonas.

Shqiptarët dhe opozita maqedonase u gëzuan kur Sasho Mijalkov, ish drejtor i DSK-së, dhe Gordana Jankulloska, ish ministre e punëve të brendshme dhanë dorëheqje. Në fakt, kjo gjë në një shoqëri me medie të lira, ku liria e shprehjes nuk është e cunguar nuk përbën aspak lajm. Lajm do të përbënte nëse Sasho Mijalkov dhe Gordana Jankulloska do të përballeshin me drejtësinë, duke u dënuar për veprat e tyre që kanë bërë ndaj shqiptarëve dhe maqedonasve gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit.

Dorëheqja e ish ministrit të transportit dhe lidhjeve, Mile Janakieski, të cilit, zëdhënësi i LSDM-së,Petre Shilegov disa javë me radhë ia nxori në opinion marrëveshjet e qirasë në Prilep, qira marramendëse, i gëzoi opozitën dhe shqiptarët në Maqedoni. Por, Mile Janakieski ende ngelet aktor aktiv në skenën politike maqedonase duke kontribuar në partinë e tij amë, VMRO-DPMNE.

Shkuarja në gjykatë e Mile Janakieskit, Gordana Jankulloskës dhe Kiril Bozhinovskit i gëzoi pa masë popullatën e robëruar nga mendimet dhe liria e shprehjes. Por, në fakt shkuarja e tyre në gjykatë ishte një vizitë e parëndësishme ku në vend se të merrnin dënimin e merituar dhe gjykata të vepronte si vepron me shqiptarët, ata duhej që të paraburgoseshin. Përkundrazi, gjykata vendosi që t`i lironte dhe të mbroheshin në liri për akuzën rreth parregullsive zgjedhore. Në rrethana të këtilla, sa mund të besojmë se gjykata do të veproje në mënyrë të drejt dhe do t`ua jap dënimin e merituar këtyre aktorëve politik të cilët një dekadë e kanë marr në qaf popullatën shqiptare dhe maqedonase?

Në afatet e fundit, ish kryeministri Nikolla Gruevski dha dorëheqje, në momentin kur e përgatiti mirë terrenin duke i fshehur gjurmët dhe duke u ndjerë rehat edhe përkohësisht jashtë timonit qeveritar. Dorëheqja e tij u prit me ovacione nga ana e shqiptarëve dhe opozitës. Përfundimisht gjërat po ecin në kahen e duhur, dhe Maqedonia po shkon në rrugën drejt relaksimit të marrëdhënieve midis bashkësive dhe zhvillimit ekonomik dhe politik. Por, në fakt, ky gëzim është jo i plotë, pasi që mënyra e dorëheqjes së tij nuk është nga presioni i opinionit dhe gabimeve të tij politike dhe veprimeve kriminale, por vlerësimi i kohës nga ana e tij për dorëheqje taktike.

Do të ishte lajm dorëheqja e tij,nëse Nikolla Gruevski do të jepte dorëheqje pas 10 majit të vitit 2015, kur policia maqedonase u fut në një lagje shqiptare pa paralajmërim, me artilerinë më të rëndë ku për 48 orë tmerroi banorët e asaj lagje, duke u përplasur me një grup të armatosur.

Përfundimisht me medie nën tutelën e politikës ne jemi një popull i robëruar, pa liri dhe ardhmëri. Si fëmijë do t`i gëzohemi çdo drite të vogël në çdo skaj dhe do të presim që të ndodhin ndryshimet në mënyrë evolutive pa shpirtin revolucionar.

Mediet e lira, lirojnë shpirtin dhe trupin e popujve të Maqedonisë. Ato duhet që të lirohen sa më shpejtë prej ndikimit të politikës, për të mirën e gjeneratave të ardhshme.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...