Saturday, March 5, 2016

A do ta shkruaj raportin e Prokurorisë Speciale, Nikolla Gruevski?

Hamdi Nuhiju

Me 15 mars të këtij viti, Prokuroria Speciale në krye me prokuroren Katica Janeva duhet që të përgatis një raport për punën e deritanishme të kësaj prokurorie, të cilin raport duhet që ta prezantoje para Parlamentit të Republikës së Maqedonisë si dhe para Këshillit të Prokurorëve Publik.


Kjo Prokurori Speciale qysh prej themelimit të saj u përballë me probleme dhe opstrukcione të shumta  nga ana e pushtetit aktual si dhe medieve që janë nën ndikimin e këtij pushteti. Si duket frika nga hetimet, nga nxjerrja në pah e të vërtetës nga ana e kësaj prokurorie i bën politikanët në pushtet më agresiv ndaj saj.

Gati germë më germë opinioni publik e ka mësuar prej përpara raportin që prokurorja speciale, Katica Janeva, do ta dërgoje në Parlament dhe para Këshillit të Prokurorëve. Këtë gjë e kemi mësuar nga opstrukcionet e vazhdueshme të ish kryeministrit dhe kryetarit aktual të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Mediet gjurmuan në Listën Anketuese, ku Katica Janeva ka paraqitur pasurinë e saj. Sipas medieve, Katica Janeva nuk ka deklaruar fillimisht dy banesa në Shkup, pastaj më vonë edhe ka deklaruar. Ka kërkuar që të marr me qira një banesë në Shkup, pasi që gjendet larg këtij vendi afër 100 km. Mediet nxorën në opinion edhe një pjesëmarrje të Katica Janeva në një shpallje publike për marrjen e një toke bujqësore me qira. Sipas dëshmive të këtyre medieve, Janeva ka paraqitur dëshmi të rrejshme në konkurs dhe në kundërshtim me rregullat e shpalla në konkurs ajo ka fituar tokë bujqësore me qira.

U diskutua shumë në opinion edhe mungesa e procesverbalit gjatë pranimit të materialeve të dorëzuara nga ana e liderit të opozitës maqedonase, Zoran Zaev. Këshilli i Prokurorëve Publik mbajti një mbledhje ku në rend dite e ka pasur edhe këtë pikë, përmes së cilës është kërkuar llogari nga prokurorja speciale, Katica Janeva, për procesverbalin e pranimit të materialeve.

Pas kësaj mbledhje të Këshillit të Prokurorëve Publik, kaloi gati një muaj dhe u heshtë kjo çështje e cila fillimisht u paraqit si një skandal në vete.

Prokuroria Speciale Publike përfundimisht mbajti një pres konferencë përmes të cilës e shpalli aksionin “Titanik” për parregullsitë zgjedhore ku janë nisur procedura hetimi për ish ministrat Gordana Jankulloska dhe Mile Janakieski dhe sekretarin e Qeverisë, Kiril Bozhinovski. Opinioni u gëzua nga ky aksion, ndërsa gëzimi nuk zgjati shumë. Gjykata Themelore Shkupi 1 nuk e mori parasysh kërkesën e Prokurorisë Speciale Publike që ndaj personave në fjalë të realizohet masa e paraburgimit. Në këtë mënyrë edhe Gordana Jankulloska, po ashtu edhe Mile Janakieski, u liruan nga paraburgimi.

Ndaj vendimit të Gjykatës Themelore Shkupi 1, Prokuroria Speciale Publike u ankua në një Gjykatë më të lartë, si dhe në opinion u ankua se mungon bashkëpunimi midis Prokurorisë Speciale Publike me Institucionet të cilat sipas Ligjit për Prokurori Speciale obligohen që të bashkëpunojnë me të. Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se këto institucione kur është në pyetje bashkëpunimi me Prokurorinë Speciale Publike po nxjerrin rregulla të reja, të veçanta me të vetmin qëllim që të mos realizohet ky bashkëpunim.

Prokuroria Speciale Publike u ankua edhe për mos pasjen qasje deri te rastet tjera, si për shembull rasti “Puç”, për shkak të mungesës së bashkëpunimit me prokuroritë tjera.

Prokuroria Themelore Publike dhe Prokuroria Publike për hetimin e krimit dhe korrupsionit të organizuar të nesërmen demantuan prokuroren speciale, Katica Janeva, duke i thënë se dyert e këtyre dy prokurorive janë të hapura për të dhe se në bazë të rregullave në fuqi ajo mundet që në hapësirat e këtyre prokurorive kur të ketë dëshirë t`i shqyrtoje të gjitha lëndët që kanë të bëjnë me punën e saj.

Duke e parë situatën e presionit politik dhe publik ndaj prokurorisë speciale publike, zëvendës ndihmës sekretari i SHBA-ve, Brajan Hojt Ji, vizitoi Prokurorinë Speciale Publike ku i dha përkrahje të fuqishme punës së saj dhe bëri apel që të përkrahet edhe nga të gjitha institucionet tjera në vend.

Duke i pasur parasysh të gjitha këto rrjedha, mund të kuptojmë fortë mirë se në raportin e prokurores speciale, Katica Janeva, do të qëndrojnë ankesat e saja për opstrukcionet e bëra nga ana e institucioneve që janë nën kontrollin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Kështu që në mënyrë indirekte shënues i raportit të parë të Prokurorisë Speciale, nuk do të jetë Katica Janeva, por ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...