Hamdi Nuhiju
Me 31 gusht të
vitit 2016, sipas Marrëveshjes së Përzhinos do të duhet mbajtur një takim i ri
i liderëve të katër partive më të mëdha politike në vend, PDSH-së, BDI-së,
VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së ku do të duhej dhënë vlerësimi përfundimtar nëse janë
plotësuar kushtet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për
me 11 dhjetor të këtij viti ose jo.
Paraprakisht, dy
datat e caktuara të zgjedhjeve për zgjidhjen e krizës politike, ajo me 24 prill
dhe me 5 qershor u anuluan ose u shtynë me arsyetimin se ende nuk janë plotësuar
kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Insistimi për
anulimin e zgjedhjeve ishte i LSDM-së. Anulimi i zgjedhjeve të parakohshme
parlamentare për me 24 prill dhe me 5 qershor u bë ngaqë sipas LSDM-së
opozitare Lista Zgjedhore ka shumë votues fiktiv të cilët duhet fshirë nga
lista si dhe mungesa e rregullimit të sferës së medieve gjatë periudhës së kampanjës
parazgjedhore dhe gjatë ditës së zgjedhjeve. Në këto dy pika u bënë hapa
konkret, ku KSHZ-ja i krijoi dy lista, njërën me afër 40.000 votues fiktiv dhe
në një listë të posaçme i vendosi 172.000 votues të cilët të drejtën e tyre të votës
do ta realizojnë jashtë vendit.
Po ashtu u formua
edhe një ad hok trup për medie që do të merret me vëzhgimin e medieve 100 ditë
para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, si dhe u caktua që
kryeredaktori dhe redaktori i redaksisë së informacionit në RTVM-në shtetërore të
jetë nga radhët e opozitës maqedonase.
Vota shqiptare në
Republikën e Maqedonisë ka humbur vlerën e saj, nga që vet votuesit shqiptar nuk jemi duke ditur se si ta
ruajmë atë dhe kultivojmë me qëllim që ajo të mos shkoje huq. Nëse zgjedhjet do
të mbaheshin me 11 dhjetor të këtij viti, votën time unë do t`ia jap atij
subjekti politik i cili do t`i plotësonte disa kushte:
1. 70 % të rinjve
të lagjes time t`ia afronin mundësinë për të punuar;
2. 90 % të rrugëve
në lagjen time ta shtronin me asfalt, ujësjellës dhe kanalizim;
3. Të hapnin së
paku dy kopshte për fëmijë dhe një mini park për lagjen ku jetoj;
4. Të rinovonin ambulancën
dhe të ndërtonin një të re;
5. Të ndalojnë me
ligj lëshimin e muzikës së lartë gjatë periudhës së verës dhe gjuajtjes me armë
pas orës 22;
6. Të rinovohet
shkolla fillore dhe të ndërtohet një shkollë fillore e re;
7. Fëmijët e
kategorive sociale nga lagja ime të kanë mundësinë e shkollimit deri në studime
të larta falas;
8. Të ndalojnë me
ligj hapjen e kazinove dhe bastoreve në lagjen time;
9. Të ndalojnë me
ligj hapjen e kafeneve afër shkollave e xhamisë në lagjen time;
10. Gjatë
mandatit të tyre të shtojnë së paku nga 5 deri në 7 hektar tokë për varrezat e
muslimanëve që bien në lagjen time;
11. Të subvencionojnë
hapjen e qendrave sportive në lagjen time;
12. Të ndihmojnë hapjen
e shkollave të gjuhëve të huaja në lagjen time;
13. Të kufizohet
me ligj shpejtësia e veturave në Lagjen time në 30-50 km në orë;
14. Të japin
garanci ligjore se asnjëherë nuk do të përsëriten ngjarjet e 9 dhe 10 majit të
vitit 2015;
15. Të subvencionojnë
blegtorët e lagjes time;
16. Të ulin
çmimin e druve për 50 % për familjet me të ardhura deri në 200 euro në muaj për
lagjen time;
17. Të hapin një
bibliotekë në lagjen time;
18. Të mundësojnë
që pensionistët e Lagjes time të përfitojnë nga subvencionet e shtetit;
19. Të hapin një
jetimore në lagjen time;
20. Për familjet
e kategorive sociale të lagjes time, ta ulin çmimin e energjisë elektrike për
50 %.
Shkurtimisht këto
janë kërkesat e mia për cilën do parti politike që e do votën time. Unë jam
banor i Lagjes së trimave, dhe nëse i plotësoni këto 20 kërkesa, ju me 11
dhjetor do ta keni votën time.
No comments:
Post a Comment