Hamdi Nuhiju
Shqiptarët në Maqedoni kanë shumë parti politike. Të drejta
dhe të padrejta, të orientimit të djathtë dhe të majtë, e disa tjera janë
paraqitur si orientim i qendrës, por asnjëra prej subjekteve politike shqiptare
në Maqedoni deri më sot nuk ka ikur nga vija e nacionalizmit shqiptar.
Shqiptarët në Maqedoni janë përfaqësuar prej politikanëve
të drejtë dhe të padrejtë, prej ministrave të drejtë dhe të padrejtë, prej
deputetëve të drejtë dhe të padrejtë.
Shqiptarët në Maqedoni janë dënuar prej gjyqeve të drejta
dhe të padrejta, kanë shpëtuar prej ekzekutimeve fizike me ndihmën e policëve
shqiptar, por edhe janë ekzekutuar fizikisht me ndihmën e informatorëve dhe
ekzekutuesve shqiptar.
Gjatë të gjitha periudhave, prej para luftës, gjatë luftës
dhe pas luftës, qysh prej pavarësimit të Republikës së Maqedonisë, qenien si
shqiptar asnjëherë askush nuk ka mundur që ta rrezikoj, pasi që shqiptarët kanë
qenë unik në identitetin e tyre, duke e ruajtur atë me ndihmën e traditave,
dokeve dhe doktrinës kombëtare dhe fetare.
Gjithmonë është diskutuar labiliteti i etnitetit
maqedonas, flamurit, stemës, shtetit ku ende sot e kësaj dite po diskutohet për
një kontest i cili ka të bëjë me emrin e Maqedonisë.
Gjatë luftës së 2001, ata që kanë marr pjesë në luftë më
kanë rrëfyer me argumente se sa frikacak janë maqedonasit. Pjesëmarrësit në luftën e 2001 shpesh herë
thonë se gjatë asaj periudhe kanë pasur mundësi që të bëjnë shumë më shumë sesa
që kanë bërë, por gjithmonë janë penguar nga faktori ndërkombëtar.
Gjatë periudhës së krizës së refugjatëve në Maqedoni, kur
kufiri jugor dhe verior i Maqedonisë u shpallën si kufi me rrezik të lartë, e
pash me sytë e mi se çfarë kapacitete kanë forcat e sigurimit të Maqedonisë, ku
nuk mund të realizoheshin në të njëjtën kohë dy aksione, njëra përballja me
numrin e madh të refugjatëve në kufirin jugor dhe aksioni i dytë, marrja e
masave të sigurisë të një procesi gjyqësor.
Pas gjithë kësaj njohurie për gjendjen, pozitën, frikën
dhe kapacitetet e etnitetit maqedonas, dhe nevojës së madhe për konsolidimin e
radhëve të shqiptarëve në Maqedoni, në cilin do subjekt politik qoftë, pak
duket e palogjikshme renditja në një subjekt politik maqedonas?
Edhe pse gjithmonë kam qenë pro konceptit qytetar, dhe do
të qëndroj ta mbaj atë qëndrim se koncepti qytetar mund që t`i ndihmoje
shqiptarëve në Ballkan që të arrijnë fazën e dytë të ëndërrës së tyre
shekullore, megjithatë konceptin qytetar unë asnjëherë nuk e kam perceptuar si
asimilim ose renditje në vlera të kundërta. Personalisht për mua do të ishte i
kuptueshëm krijimi i një fronti të përbashkët në Kumanovë për shembull, midis
shqiptarëve, romëve, boshnjakëve, turqëve, në njërën anë dhe në anën tjetër
maqedonasve të ndarë në dy subjekte të mëdha politike me fronte me subjekte më
të vogla politike. Ky koncept do të garantonte fitoren dhe marrjen e kontrollit
jo vetëm në pushtetin lokal në Kumanovë por në tërë Maqedoninë. Mirëpo,
shqiptarët, romët, turqit, boshnjakët, kanë gjëra të përbashkëta, për dallim
prej shqiptarëve dhe maqedonasve.
Shqiptarët, romët, turqit, boshnjakët e Maqedonisë nuk
janë armiq ndaj njëri-tjetrit dhe nuk kanë marr pjesë me vet inicativa dhe me
financa të tyre në luftimin dhe zhdukjen e njëri-tjetrit.
Por, maqedonasit me shqiptarët, përveç shtetit të
Maqedonisë nuk kanë asnjë gjë të përbashkët.
Si mund të renditesh në LSDM-në opozitare e cila është
trashëguese e ish partisë komuniste e që ka bërë plane të vazhdueshme dhe ende
bënë plane për zhdukjen e shqiptarëve?
Si mund të renditesh me LSDM-në opozitare, kur kjo parti
nuk të ka mundësuar as shkollimin në gjuhën shqipe, ka burgosur shqiptar të
pafajshëm dhe ka përbuzur e nënçmuar flamurin kombëtar shqiptar?
Si mund të renditesh me LSDM-në opozitare, parti e cila
bazohet në ideologjinë marksiste e cila nuk pranon Zot, dinë dhe fe?
Ka vetëm një arsye se pse shqiptarët mund të rreshtohen në
LSDM: interesi material personal. Jashtë këtij definicioni, secili tentim i
atyre shqiptarëve të rradhitur në LSDM për ta arsyetuar qëndrimin e tyre në
LSDM me idenë se do të kontribuojnë për shqiptarët është GËNJESHTËR.
No comments:
Post a Comment