Saturday, October 29, 2016

Nuk ka parti të pavdekshme

Hamdi Nuhiju
Vetkënaqësia e disa anëtarëve dhe simpatizantëve të subjekteve politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë i ka sjell deri në atë nivel saqë të shkruajnë në rrjetet sociale: “Filan partinë as vdekja nuk e mund”.

Edhe pse situata politike është e tillë që mund të dëgjojmë fjalë dhe premtime të ndryshme nga subjekte të caktuara politike, përsëri njeriu duhet që të jetë i matur, pasi që pas një kohe do të mund që të turpërohet nga e kaluara e tij. Njeriu që jeton me parime asnjëherë nuk turpërohet nga veprimet e tij, por kur tek njerëzit mbisundojnë gjithmonë emocionet para vetëdijes, ndërgjegjes, mendjes, në të ardhmen do t`i paraqiten si një fotografi e zymtë.
Ekzistenca e shumë subjekteve politike shqiptare në Maqedoni e ka shtuar edhe bisedën dhe akuzat dhe sulmet e ndërsjella. Në këtë periudhë njeriu mund të merret me shumëçka. E sidomos gazetarët që e kanë profesion të merren pikërisht me këto elemente.
Ajo që habit njerëzit është orientimi ose vija se si është vizatuar për të ardhmen e shqiptarëve të Maqedonisë. Disa parti politike shqiptare ‘ nuk i mund as vdekja’ sipas simpatizantëve të tyre, të tjerat ‘ nuk kanë para t`i blejnë mediet’, të tjerat e shohin liderin e tyre si ‘të dërguar të Zotit’ , tjerat mallkojnë dhe shajnë si gratë gjithmonë kur bishti i zihet me derë.
Ajo që brengos njerëzit është çorientimi total në aspektin ideologjik dhe nacional. Sheh hoxhallar ose ish hoxhallar të renditur pas një subjekti politik komunist që ka mbyllur dhe vrarë shumë hoxhallar, sheh shqiptar që renditen pas një subjekti politik maqedonas, sheh musliman që për interesa të një subjekti politik janë në gjendje të çojnë në ferr ose xhehenem secilin musliman që është aktiv në politik. Definitivisht te shqiptarët e Maqedonisë duhet ndërhyrë urgjentisht në themel për të ndryshuar gjërat kah e mira. Përndryshe shumë lehtë do të bëhemi pre e pangopshmërisë sllave e cila nuk di të ngihet nga shqiptarët.
Shqiptarët e Maqedonisë në të kaluarën kanë pasur vizion dhe arsye për të ndryshuar pozitën e tyre. PPD-ja si forcë politike në periudhën e saj pat vendosur kontaktet e para të shqiptarëve me pushtetin, duke ia bërë me dije të tjerëve se ky shtet pa shqiptarët nuk bëhet. Misioni i saj në atë kohë është realizuar me sukses. Gabimet e asaj lëvizje politike kanë krijuar një subjekt të ri politik, PDSH-në e cila në kohën e Arbër Xhaferit kishte vizionin e demokratizimit të shqiptarëve të Maqedonisë si dhe avancimin e tyre në të gjitha sferat e shoqërisë. Edhe kjo fazë e PDSH-së ka kaluar me të mira dhe të këqija të saja deri në momentin e kryengritjes popullore dhe krijimit të subjektit të ri politik, BDI-së e cila ndryshoi me lehtësi shumë gjëra që në të kaluarën mundej vetëm të diskutoheshin nëpër kuvende të ndryshme dhe oda midis burrash dhe urtarësh shqiptar. Kjo parti mjaft kohë ka harxhuar në kultivimin dhe zhvillimin e avancimit të shqiptarëve të Maqedonisë dhe me të mirat dhe të metat e saja do të vije një moment kur do t`ia lëshoje radhën ose rendin edhe subjekteve tjera politike shqiptare. Ajo që e brengos shqiptarin e Maqedonisë është krijimi i shumë fraksioneve politike shqiptare të cilat as që kanë një strategji se si t`i mbulojnë të metat e subjektit në pushtet dhe t`i nxjerrin shqiptarët në një fazë tjetër të avancimit dhe zhvillimit të tyre në Maqedoni.
Mendoj se partitë me njerëz që thuan për partinë e tyre se ‘as vdekja nuk mund ta munde’ do ta kishin shumë të vështirë kapjen për dore të shqiptarëve të Maqedonisë dhe nxjerrjen e tyre në një fazë tjetër.
Për në fund të gjithë do të vdesim. I Pavdekshëm është vetëm ZOTI.


No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...