Hamdi Nuhiju
Mbajtja e
zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me 11 dhjetor të këtij viti dhe
rezultati zgjedhor me kontestimin e atyre zgjedhjeve vetëm në dy vendvotime kanë
nxjerr në pah shumë risi në skenën politike maqedonase dhe shqiptare. Ky rezultat
zgjedhor mund të parashikohej prej një pjese të shqiptarëve të Maqedonisë, por
jo deri në këtë formë të segmentizimit që nuk duhet nënkuptuar vetëm në
konotacionin negativ edhe pse janë humbur mjaft mandate shqiptare.
BDI arriti një
fitore të zbehtë karshi subjekteve dhe koalicioneve të reja shqiptare, Rilindje
me Besë dhe Aleanca për Shqiptarët. Në anën tjetër, PDSH-ja, ashtu edhe si
pritej, po përgatitet që të kaloj në histori si një parti e cila ka kontribuar
në zhvillimin dhe reformimin e subjekteve politike shqiptare në vend. Në anën
tjetër tek subjektet politike maqedonase kemi një situatë të fragmanterizuar të
ngushtë të një beteje e cila nuk përcakton qartas fituesin e zgjedhjeve të 11
dhjetorin dhe mandatarin e ri. Për mandatarin e ri fjalën kryesore do ta thuan
banorët e Tearcës ku këtë të diele pritet që të përsëriten votimet për shkak të
kontestimit të tyre në KSHZ dhe në Gjykatën Administrative.
Në gjithë këtë
zallamahi politike, pritshëm ose jo, kanë ndodhur dy ndryshime të rëndësishme që
ndoshta mund të shihen me dyshime: dorëheqja e liderit të PDSH-së, Menduh Thaçi
dhe thirrja e takimit të liderëve të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, nesër, një
ditë para përsëritjes së zgjedhjeve në Tearcë.
Në opinion janë
ngritur disa supozime për qëllimin e takimit të nesërm të cilat unë do t`i
kisha përmbledhur në gjashtë supozime të cilat mundet që asnjëra prej tyre të
mos jetë e vërtetë:
1. U detyrua nga
Sasho Mijalkov dhe Nikolla Gruevski- Supozimi i parë që po qarkullon në opinion
është se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti është detyruar nga ish shefi i shërbimit
sekret maqedonas, Sasho Mijalkov dhe ish kryeministri Nikolla Gruevski që të
thirrë takimin e liderëve të subjekteve politike shqiptare me qëllim të presionit
ndaj tyre. Në këtë mënyrë, një ditë para zgjedhjeve në Tearcë, Gruevski, sipas
këtyre supozimeve, po i bën presion trupit shqiptar votues për të bojkotuar ose
mos u përcaktuar për LSDM-në opozitare.
2. U detyrua nga
Edi Rama dhe Ilir Meta- Supozimi i dytë që po qarkullon në opinion është se
lideri i BDI-së, Ali Ahmeti është detyruar nga kreu shqiptar, ku para disa ditësh
ka realizuar disa takime, që të unifikoje shqiptarët dhe para formimit të
qeverisë së re, shqiptarët në bisedime me mandatarin e ri të futen me kërkesa të
unifikuara. Sipas këtij supozimi, Ali Ahmeti duhet që nesër të merret vesh me
subjektet politike shqiptare për kërkesat e tyre për formimin e qeverisë së re
dhe ndërtimin e strategjisë së bisedimeve se si të hyhet në bisedime. Pritet që
të bëhen kompromise për subjektin politik shqiptar që do të ngel në opozitë.
3. U detyrua nga
rezultati i keq zgjedhor- Supozimi i tretë që po qarkullon në opinion jep
sinjalin se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, duke e parë rezultatin e dobët
zgjedhor është detyruar që të ruaj imazhin e partisë së tij dhe të mos lejoje që
e njëjta pak para zgjedhjeve lokale të përçahet ende më shumë dhe të pësoje
humbje më të thellë. Ky rezultat i keq zgjedhor, sipas këtij supozimi, ia ka
shtuar frikën në radhët e BDI-së, që në zgjedhjet lokale në disa komuna
shqiptare ku BDI ka udhëhequr të sfidohet seriozisht nga kandidat shqiptar të
mundshëm të LSDM-së.
4. U detyrua nga
faktori ndërkombëtar- Ky supozim nxjerr në pah idetë se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti
është detyruar nga faktori ndërkombëtar që të unifikoje partitë politike
shqiptare dhe ashtu të unifikuar ngadalë të distancohen nga retorika anti perëndimore
e Nikolla Gruevskit. Në këtë mënyrë do të përgatitej terreni që subjektet
politike shqiptare të futeshin në bisedime me LSDM-në dhe ta injoronin dhe
izolonin Nikolla Gruevskin. Në takimin e nesërm, sipas këtij supozimi pritet që
të bëhet një marrëveshje për përkrahjen e LSDM-së në zgjedhjet e përsëritura në
Tearcë me kushtin që LSDM-ja në zgjedhjet lokale të mos e sfidoje BDI-në në
komunat shqiptare.
5. U detyrua nga
zërat e brendshëm në parti- Gjithnjë e në pah janë duke dal zërat e anëtarëve të
pakënaqur në BDI të cilët nuk duan që BDI-në ta shohin në armiqësi të
vazhdueshme me subjektet politike shqiptare. Sipas kësaj pikëpamje dhe
supozimi, lideri i BDI-së është detyruar nga këto zëra që së paku të inicoje një
takim të këtillë me qëllim që t`i shuaj këto zëra në parti dhe të mos lejoje që
të njëjtat të ngelin edhe për në zgjedhjet lokale që janë shumë afër.
6. U detyrua nga
mërgata shqiptare e Strugës dhe Kërçovës- Për shkak të asaj se zgjedhjet lokale
janë afër dhe se Struga dhe Kërçova është fituar nga shqiptarët me ndihmën e mërgatës
shqiptare, kjo mërgatë, thotë supozimi, i ka bërë presion liderit të BDI-së që
të unifikoje shqiptarët në Maqedoni. Përndryshe, nëse nuk e bënë këtë gjë, mërgata
është kërcënuar se në zgjedhjet lokale që do të mbahen në maj të vitit 2017 nuk
do të përkrah BDI-në dhe si rezultat i kësaj Struga dhe Kërçova do të
humbeshin.
No comments:
Post a Comment