Hamdi Nuhiju
Zgjedhjet presidenciale në Republikën e Maqedonisë Veriore janë caktuar që
të mbahen me 21 prill të vitit 2019. Gara dhe spekulimet për kandidatët e
mundshëm për president të Republikës tashmë kanë filluar që të marrin hov.
VMRO-DPMNE si duket është duke zgjedhur një kandidat të mundshëm për president
i cili nuk do të jetë i njollosur politikisht nga aferat e ish strukturave
partiake me në krye azilantin Nikolla Gruevski.
Tashmë në konkursin e tyre të
hapur për kandidat për president është paraqitur deputeti i kësaj partie Vlatko
Gjorçev. Kandidatura e Gjorçevit për president edhe pse nuk është përfundimtare
mund që të duket sikur kandidatura e Elvis Bajram, djalit të Amdi Bajram për
kryetar të komunës së Shuto Orizarës. Premtimi kryesor i Elvis Bajram për
elektoratin e tij ishte që do të përfundoje shkollën e mesme me kohë nëse e
fiton mandatin e kryetarit të komunës. Gjorçev u bë pjesë e Parlamentit të
Republikës së Maqedonisë Veriore ende pa e përfunduar fakultetin. Dhe për
momentin nuk kemi asnjë informacion për shkollimin e tij.
Në radhët e LSDM-së po spekulohet për katër emra kryesor të cilët mund që të
janë kandidat të mundshëm për president në zgjedhjet e ardhshme presidenciale: nënkryetari
i LSDM-së, Muhamed Zekiri, ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov,
ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski dhe ministrja e mbrojtjes,
Radmila Shekerinska. Si emër i mundshëm për president jashtë rrethit të LSDM-së,
po përmendet edhe ai i profesorit universitar Denko Maleski.
Kandidatura e mundshme e nënkryetarit të LSDM-së, Muhamed Zekiri varet nga kundër
kandidati i mundshëm nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Nëse VMRO-DPMNE-ja e përkrah variantin
e Vlatko Gjorçevit, jam i bindur se gjasat që Muhamed Zekiri të jetë kandidat i
LSDM-së për zgjedhjet presidenciale janë maksimale. Kjo gjë do të ishte kështu për
arsyen se Vlatko Gjorçevi nuk i plotëson parametrat për të bindur opinionin për
të qenë president i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë Veriore. Ndërsa me Muhamed
Zekirin në lojë, LSDM-ja do të mund që të rriste trupin votues shqiptar, të përmirësonte
imazhin para ndërkombëtarëve në një proces të anëtarësimit të Maqedonisë
Veriore në NATO si dhe fitoren do ta kishte të sigurt.
Ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë Veriore, Nikolla Dimitrov edhe
pse është pjesë e një procesi të rëndësishëm të integrimit të Maqedonisë në
NATO ai nuk e ka përkrahjen e nevojshme nga strukturat e brendshme të LSDM-së. Kuluaret
partiake të LSDM-së, Dimitrovin ende sot e kësaj dite e quajnë si njeri të
Nikolla Gruevskit! Ai pati përkrahjen kryesore të tij si dhe gjithmonë ka qenë
i përkëdheluri kryesor i VMRO-DPMNE-së. Dimitrov ka pasur qëndrime anti
shqiptare ose nacionaliste në momentin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të
Ohrit. Arsyetimi e tij i vetëm në atë kohë ka qenë se ajo Marrëveshje nuk ka
brenda koncept qytetar dhe se nëse shqiptarët përfaqësohen drejt në polici, atëherë
Maqedonia do të shpërbëhej. Përkundrazi, Maqedonia vetëm se u forcua me
zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Vendosja në lojë e Nikolla Dimitrovit
për president do të ishte fatale e ngjashme si në kohën e vendosjes në lojë të
Stevo Pendarovskit i cili në tribunat e tij promovonte idenë e mos regjistrimit
të popullsisë se shqiptarët, sipas tij, do të dilnin 16.7 % ose edhe më pak.
Radmila Shekerinska është pjesë e procesit të modernizimit të ushtrisë së
Maqedonisë Veriore. Para disa ditësh ajo promovoi edhe blerjen e 7.300 palë
çizmeve për ushtrinë e cila shumë shpejt do të bëhet anëtare e NATO-s. Në opinion
u përdorën meme dhe ironi me fotografitë nga promovimi i çizmeve nga ana e
Radmila Shekerinskës. U tha se Maqedonia u furnizua me armatimin më të
sofistikuar bashkëkohor-çizme.
Përkundër spekulimit të futjes në lojë në garën për president, vlerësoj se
kryeministrit Zoran Zaev, Radmila Shekerinska do t`i duhet në procesin e
modernizimit të ushtrisë së Republikës së Maqedonisë Veriore. Oliver Spasovski
dhe Denko Maleski janë emrat që i afrohen më shumë realitetit dhe gjasave për të
qenë në rrethin e ngushtë për kandidat për president nga radhët e LSDM-së. Profesori
universitar Denko Maleski nuk ka qasje anti-shqiptare e as anti-perëndimore, ndërsa
Oliver Spasovski duket si kandidat që mund t`i kryej shumë punë në terren, për
shkak të pozitës së tij në ministrinë e punëve të brendshme. Sidoqoftë ajo që i
intereson lexuesve është pozicioni i partive politike shqiptare në garën për
zgjedhjet presidenciale.
BDI-ja në çdo cikël zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale i ka shërbyer me përkushtim
interesave maqedonase. Një periudhë dolën me kampanjën “President, tung e ki”,
duke e shtuar trupin votues me qëllim që të kalohet pragu dhe të njihen
zgjedhjet presidenciale. Në çdo cikël zgjedhor nga kjo parti kanë nxjerr në
opinion idenë e presidentit konsensual, por gjithmonë ai president konsensual
ka qenë maqedonas sipas versionit të tyre. PDSH-ja ka nxjerr kandidat me të
vetmin qëllim që t`i nxjerr votuesit shqiptar në zgjedhje dhe t`i mundësoje partive
politike maqedonase që të realizojnë synimet e tyre në zgjedhjen e presidentit.
Aleanca për shqiptarët e vetmuar në opozitë, e etur skajshmërisht për
zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkërisht me grupin e Bilall Kasamit po
thuan se duan që të nxjerrin një kandidat të përbashkët opozitar për president.
Kundër idesë së presidentit konsensual ka dal Lëvizja Besa e Afrim Gashit e
cila po kërkon kandidat të përbashkët midis të gjitha forcave politike
shqiptare. Nëse tashmë nuk janë marr vesh paraprakisht, ideja e Afrim Gashit për
kandidat të përbashkët dhe i pranueshëm për të gjithë shqiptarët i jep shtysë
vlerave kombëtare të cilat do të orientonin të ardhmen e politikave nacionale në
Maqedoni.
Presidenti është pozitë e rëndësishme në Republikën e Maqedonisë Veriore. Gjorgje
Ivanov e ka dëshmuar shpesh herë këtë gjë në raport me shqiptarët e këtij vendi.
Shqiptarët duhet që t`i kushtojnë rëndësinë e duhur me qëllim që të mos i vuajnë
pasojat siç ka ndodhur në të kaluarën.
No comments:
Post a Comment