Hamdi Nuhiju
Mosdhënia e datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin
Evropian për Maqedoninë dhe Shqipërinë, ka ndryshuar në tërësi kahen politike në
Maqedoninë e Veriut. Edhe përskaj asaj se Maqedonia e Veriut i plotësoi të
gjitha kushtet duke zgjidhur edhe njëri prej problemeve kryesore rajonale dy dekadash
në Ballkan, atë me Greqinë, e ndërroi emrin e saj kushtetues dhe në fund,
Franca dhe një numër i vogël i shteteve vlerësuan se tani nuk është koha që
Maqedonisë t`i jepet datë për nisjen e bisedimeve.
Kjo sjellje e Evropës dhe përfaqësuesve të saj politikë ka habitur edhe
optimistët dhe pesimistët më të mëdhenj për raportet ndërkombëtare dhe sferat
gjeostrategjike. I dërguari special i SHBA-ve, në Ballkan, Metju Palmer, gjatë vizitës
që e pati këto ditë në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, ka dhënë mesazhin e zhgënjimit
dhe habisë së tij me qëndrimin e Evropës karshi këtij problemi. Sipas Palmer,
Evropa ka bërë gabime të mëdha në këtë gjë dhe ato si shtet do të bëjnë çka është
në dorën e tyre për ta mënjanuar këtë problem.
Megjithatë edhe përskaj situatës së re të krijuar pas kësaj vetoje
franceze, Maqedonia e Veriut u shpërblye në një mënyrë nga Perëndimi duke ia mundësuar
anëtarësimin e saj në aleancën më të fuqishme ushtarake-NATO. Kryeministri Zoran
Zaev premtoi se nëse vendi nuk merr datë për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin
e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, vendi do të shkoje në zgjedhje të
parakohshme parlamentare. Në anën tjetër, kryeministri shqiptar Edi Rama, ngul
në idenë e çuarjes së mandatit deri në fund, duke mos dhënë llogari për asnjë veprim
ose situatë politike të krijuar në dobi ose në dëm të vendit të tij. Edhe pse
ka pasur kritika të vazhdueshme për mosmarrjen e një hapi si kolegu i tij
maqedonas, Edi Rama të gjithë fajin e situatës së krijuar për Shqipërinë ia
hodhi Bashkimit Evropian, ndërsa veprimin e Zoran Zaevit e komentoi si të detyrueshëm
për shkak të ndryshimit të emrit kushtetues. Por, e vërteta është se pas
ndryshimit të emrit kushtetues të Maqedonisë nuk ka pasur ndonjë premtim për anëtarësimin
e këtij vendi në BE, ose hapjen e negociatave, por thjeshtë ka pasur premtim për
anëtarësimin e vendit në NATO që edhe realisht po ndodh. Në anën tjetër, në
frikën e Edi Ramës nga dorëheqja nuk fshihet faji i Perëndimit ndaj Shqipërisë,
por është gjendja reale e shifrave dhe problemeve reale të Edi Ramës të
ballafaqohet me sovranin karshi qindra skandaleve që plasën gjatë qeverisjes së
tij.
Me logjikën e Edi Ramës, as kryeministri maqedonas Zoran Zaev nuk duhej që
të jepte dorëheqje, por të këmbëngulte në fajet e Evropës dhe të çonte mandatin
e tij deri në fund.
Maqedonia po shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare të cilat janë caktuar
që të mbahen me 12 prill të vitit 2020. Por, para mbajtjes së zgjedhjeve të
parakohshme parlamentare ekzistojnë edhe disa probleme strategjike që mund ta turbullojnë
situatën politike në vend. Diskursi dhe fryma e Evropës mund që të vihet në pikëpyetje
me insistimet e Federatës Ruse si dhe të partisë opozitare maqedonase,
VMRO-DPMNE, e cila haptas ka deklaruar se është kundër Marrëveshjes së Prespës.
Këto ditë, kreu i kësaj partie, Hristijan Mickovski ka pasur një takim të
fshehtë në ambasadën ruse në Shkup, ku saktësisht nuk dihet qëllimi dhe biseda
e takimit.
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, disa herë e ka paralajmëruar Perëndimin
se nëse Maqedonia e Veriut nuk merr datë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim
në BE, vendi mund që të shkoje në diskursin gjeostrategjik rus. Këtë thënie dhe
frikë, Zaev e ka bazuar në veprime konkrete nga ana e opozitës maqedonase dhe
forcave radikale maqedonase të cilat shpesh herë dalin hapur me qëndrime pro
ruse dhe anti-Perëndimore.
Në këtë frymë ishte edhe kërkesa e kryeministrit Zoran Zaev që para se të
shkohet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Parlamenti i Maqedonisë së
Veriut të ratifikoje protokollin për anëtarësimin e vendit në NATO dhe në këtë
mënyrë zyrtarisht vendi të ishte anëtar i 30 i NATO-s. Nëse nisemi nga supozimi
se Zoran Zaev mund që t`i humbas zgjedhjet e 12 prillit të vitit 2020, dhe ato
t`i fitoj VMRO-DPMNE në krye me Hristijan Mickovskin që kanë paralajmëruar se nëse
i fitojnë zgjedhjet ato do ta prishin Marrëveshjen e Prespës, çka do të ndodh
me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO?
Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, e kundërshtoi
hapur argumentin e kryeministrit Zoran Zaev për ratifikimin e protokollit për
anëtarësimin e vendit në NATO para se vendi të shkoje në zgjedhje të
parakohshme parlamentare. Sipas Talat Xhaferit vendi mund që të shkoje në
zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe pse parlamenti nuk e ka votuar
protokollin e anëtarësimit në NATO.
Edhe pse ndoshta argumentet e kryeparlamentarit Talat Xhaferi mund që të qëndrojnë
në aspektin teknik, por në aspektin gjeostrategjik, kur dihet se kjo temë nuk është
vetëm e Maqedonisë, por është edhe interes i Bashkimit Evropian, bien poshtë.
Është me rëndësi që të dihet se cilët deputet në Parlamentin e Maqedonisë së
Veriut do ta votojnë protokollin e anëtarësimit të vendit në NATO, dhe cilët do
të janë kundër këtij protokolli dhe të përmbajtur.
Nëse e shohim në aspektin partiak, veprimi i Talat Xhaferit mund që të
interpretohet si një luajtje në dy karta, edhe me VMRO-DPMNE-në edhe me LSDM-në.
Momenti është shkuarje në zgjedhje, dhe tashmë shpërndahen sinjalet gjithandej.
https://www.youtube.com/watch?v=KNAvthwdnOM
https://www.youtube.com/watch?v=KNAvthwdnOM
No comments:
Post a Comment