Hamdi Nuhiju
Para disa ditësh u promovua publikisht faza e parë e ndërtimit të autostradës
të shumëfolur në Bllacë që lidh Republikën e Maqedonisë Veriore me Republikën e
Kosovës. Kjo autostradë dhe autostrada Kërcovë-Ohër tregon fytyrën e vërtet të
qeverive në Maqedoninë e Veriut në raport me shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.
Në mënyrë të shpejtë është ndërtuar autostrada që lidh Maqedoninë e Veriut me
Serbinë, si dhe janë ndërtuar dhe modernizuar edhe rrugët që këtë shtet e
lidhin me Bullgarinë dhe Greqinë fqinje. Por, kur jemi te Kosova dhe Shqipëria,
qeveria e Maqedonisë gjithnjë ka qenë shurdhmemece dhe ka ditur që të punoj me
ritmin e breshkës.
Në medie u raportua për zgjedhjen e firmës e cila do të merret me ndërtimin
e autostradës në Bllacë si dhe për procedurat tjera, por asnjëri prej medieve
nuk raportoi saktë datën se kur nis dhe kur përfundon kjo autostradë.
“Faza e parë do të fillojë nga kufiri Bllacë – Hani i Elezit dhe do të jetë
e gjatë 2 kilometra. Punimet në terren për këtë fazë do të zgjatin 18 muaj.
Faza e dytë – do të fillojë nga Bllaca deri në Shkup, do të jetë e gjatë 10.5
kilometra. Kjo autostradë do t`i ketë 4 tunele në gjatësi prej 4 kilometra, 8
ura dhe objekte të tjera. Do të jetë në dy drejtime, me nga dy korsi me gjatësi
prej 3 metra, dhe një korsi për ndalesë me gjerësi prej 2.5 metra. Punimet për
këtë fazë do të zgjatin 36 muaj.
Gjatësia e tërë autostradës do të jetë 12.5 kilometra, do të kushtojë 110
milionë euro, do të ketë 4 tunele, 8 ura, ndërkaq pritet të përfundojë për 54
muaj – 4.5 vjet. U paralajmërua edhe vendosja pikëpagesave rrugore.”, u
raportua në Gazetën Koha.
Për nisjen dhe përfundimin e dy kilometrave rrugë në këtë autostradë, sipas
paralajmërimeve të qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut do të
nevojiten tre vite, ndërsa paralajmërimin për këto dy kilometra tash para
zgjedhjeve të parakohshme parlamentare e bëri Bujar Osmani, njëri prej eksponentëve
kryesor në BDI. Në medie disa herë u spekulua edhe për hapjen e kufirit
Bellanoc-Stancic, por fatkeqësisht edhe pse u paralajmërua që kjo gjë të ndodh
me 28 nëntor të vitit të kaluar, kufiri nuk u hap. Fajin për mos hapjen e
kufirit, Bujar Osmani ia la mungesës së internetit në palën kosovare. Kaluan dy
muaj nga ajo datë, “interneti” ende nuk është zgjidhur, kufiri ka ngel i
mbyllur.
Para disa ditësh në medie u spekulua me informacionin se në fund të muajit
janar të këtij viti do të bëhet hapja solemne e këtij kufiri. Nëse ky
informacion del i saktë, atëherë BDI-ja në krye me Bujar Osmanin qëllimisht atë
kufi e ka lënë të mbyllur që shqiptarët të mos lëvizin që këtë gjë ta shes si të
arritur në një kampanjë të ashpër zgjedhore. D.m.th. sakrifikohet lëvizja e lirë
e qytetarëve të Komunës së Likovës, Gjilanit dhe Kumanovës me të vetmin qëllim
që BDI-ja përmes kësaj hapje solemne të mashtroj përsëri një grup votuesish dhe
të nxjerr deputet në zgjedhjet e 12 prillit.
Në anën tjetër dukuritë e habitshme që po ndodhin në Maqedoni aspak nuk janë
duke i shqetësuar subjektet politike shqiptare.
Edhe pse me ligj është paraparë që programi shtetëror MTV 2 dhe Radio
Maqedonia 3, programe në gjuhën shqipe, të transmetohen në 24 orë, këtë gjë
qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është duke e penguar.
Në planin financiar të MRT për vitin 2020, shkruan se buxheti i ndarë për
Radiodifuzionin e Maqedonisë është 0.9 % që i bie diku 700.000 euro më pak nga
se e kanë parashikuar. Këto mjete prej 700.000 euro, do të ishin të mjaftueshme
për të mundësuar transmetimin 24 orësh të programeve në gjuhën shqipe si dhe
krijimin e vendeve të reja të punës ku parashikohej që do të punësoheshin diku
95 gazetar shqiptar.
“Në vend që ta kufizojë numrin e bastoreve dhe kazinove, shteti me para të
popullit do të blejë 1500 aparate të reja për bixhoz”.
Kështu thonë nga Lëvizja Anti-bixhoz, pas votimit të djeshëm në Kuvend ku u
ndanë 6.5 milionë euro për mjete dhe objekte ku organizohen lojëra të fatit,
përcjell Telegrafi Maqedoni.
Për shtetin e Maqedonisë dhe për BDI-në më të rëndësishëm janë 1500 aparate
bixhozi që do të kushtojnë 6.5 milion euro, sesa të jepet program 24 orësh në
gjuhën shqipe, të punësohen 95 shqiptar që sadopak do të pengonte shpërnguljen e
shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut.
Por, BDI-ja në vend të fokusimit të saj në krijimin e mirëqenies ekonomike
të shqiptarëve, i interesojnë 2 km autostradë që do të ndërtohen për 3 vite si
dhe zhvillimi i lojërave të fatit.
Me 2 km autostradë në Bllacë nuk e di se sa deputet BDI-ja do t`i fitoje në
njësinë zgjedhore numër dy, vetëm e di një gjë sigurt se në këtë mënyrë as
BDI-ja as subjektet politike tjera shqiptare nuk do të munden ta ndalin shpërnguljen
masive të shqiptarëve.
No comments:
Post a Comment