Thursday, March 26, 2020

Mocioni i turpit, pse në fatkeqësi zgërdhihet Ramush Haradinaj me shok?


Hamdi Nuhiju
25 marsi i vitit 2020 në historinë më të re të Republikës së Kosovës do të njihet si një datë turpi për skenën politike kosovare ku në mënyrë të paturpshme u votua për mosbesim ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti si dhe qeverisë së tij. Kërkesa për këtë mocion mosbesimi u bë nga LDK-ja, ndërsa u përkrah nga AAK e Ramush Haradinaj, PDK-ja e Kadri Veselit, Nisma e Fatmir Limaj dhe Lista Srpska.

Lista Srpska u bë një me Ramush Haradinajn dhe LDK-në për të rrëzuar Albin Kurtin nga pushteti në kohën kur krejt bota po përballet me një sfide pandemie si ajo e virusit Covid 19. Ky virus vdekjeprurës që po merr jetët e njerëzve po fut në kriza të thella ekonomike edhe shtetet më të fuqishme në botë, ndërsa aspekti politik në këto momente thuajse është harruar. Në shtete të ndryshme të botës, hasmëritë politike janë lënë anash me qëllim që popullata të jetë sa më unike në përballjen me virusin Covid 19. Vetëm në Republikën e Kosovës me një opozitë në krye me Ramush Haradinaj kërkohet votë mosbesimi dhe derdhet i tërë arsenali ndaj një qeverie e cila qysh me vendimet e saja të para u pa se po punon për interesa të qytetarëve të Kosovës.
Shkarkimi i bordeve të panevojshme, shkurtimi i pagave të ministrave dhe kryeministrit, është e kundërta e rritjes së pagës së kryeministrit që dikur pat bërë Ramush Haradinaj i cili ndaj këtij mocioni mosbesimi tërë kohës ka qëndruar i zgërdhirë.
Rregullimi dhe normalizimi i raporteve me Shqipërinë në nivel zyrtar është e kundërta e padive që bënte kryeministri shqiptar Edi Rama ndaj ish kryeministrit dhe rojtarit të diskotekave Ramush Haradinaj.
Zëvendësimi i tarifës ose taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake me një reciprocitet është e kundërta e vendosjes së taksës 100 % të Ramush Haradinaj pa një epilog dhe strategji përfundimtare se çfarë dëshirohet të arrihet me të.
Sakrifikimi i figurës së Glauk Konjufcës për hir të interesave më të mëdha shtetërore duke arritur një marrëveshje me LDK-në është e kundërta e shpërblimeve të panumërta që dikur AAK e Ramush Haradinaj bashkë me Nismën e Fatmir Limajt bënin për familjarët e tyre duke shtuar nepotizmin në institucionet shtetërore.
Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së Albin Kurtit dhe arsyeja që doli në opinion për këtë gjë është qartas dhe haptas një puc ndaj qeverisë dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kërkohet që taksa ose tarifa të hiqet menjëherë, të mos vendoset reciprocitet si dhe të pranohet marrëveshja përfundimtare me Serbinë ku si pasojë do të kishte shkëmbimin e territoreve dhe dëmtimin e Kosovës për interesa të Serbisë.
Prapa këtij puci që për momentin po mban vulën e LDK-së,fshihet Lista Srpska, Hashim Thaci, AAK, Fatmir Limaj dhe PAN-i i dikurshëm të cilët në bashkëpunim me presidentin serb Aleksandar Vucic duan që të copëtojnë Kosovën për interesa të Serbisë.
Megjithatë, data 25 mars 2020 ja bëri me dije qytetarëve të Kosovës se kush ja duan të mirën këtij vendi dhe kush është për ta ndarë dhe copëtuar këtë vend. Kjo datë do të mbahet mend më shumë se tre ditë. Do të mbahet mend deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kur Albin Kurti dhe LVV do t`i lënë me gishta në gojë të gjithë puçistët. Ata e kanë zgjedhur për aleat popullin e Kosovës dhe si të tillë do të kthehet shpejt në pushtet.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...