Monday, March 9, 2020

“ Korona virusi “ që po nxjerr në pah kalbjen e sistemit të vlerave në Maqedoni


Hamdi Nuhiju
Sot në mediet e Maqedonisë së Veriut lajm i ditës që tronditi opinionin e këtushëm ishte ai i drejtoreshës së Klinikës së Dermatologjisë, Nina Caca Biljanovska, e cila gjatë qëndrimit të saj në Itali është infektuar me Korona Virus.
Pas kthimit të saj nga Italia, Nina Caca Biljanovska është kthyer në vendin e punës si drejtoresh dhe si mjeke në misionin e saj për të shëruar njerëz. Ajo është paraqitur si një rrezik potencial i tyre. Mediet raportuan paraprakisht për këtë skandal, ndërsa sot zyrtarisht reagoi edhe ministri i shëndetësisë,Venko Filipce i cili deklaroi se Biljanovska do të suspendohet nga puna.
Ky qëndrim i ministrit Venko Filipce sa duket i drejt në vetvete është i padrejtë edhe për arsyen e thjeshtë se si mundet që një veprim i këtillë skandaloz të përmbyllet dhe rrumbullakohet vetëm me një suspendim nga puna? Drejtoresha në fjalë, duke i pasur parasysh të gjitha implikimet dhe pasojat e sëmundjes përveç suspendimit nga puna, duhej që t`i bëhej një ndalesë për tërë jetën për ushtrim të profesionit të mjekut si dhe dënim me burg për shkak të c`rrënjosjes së besimit në sistemin shëndetësor në Maqedoni dhe rrënimin e sistemit të vlerave që demokracia në Maqedoni nga viti 1991 ndërtohet dhe funksionon mbi to.
Por skandali me mos funksionimin ose përdhosjen e vlerave demokratike në Maqedoni është bërë ende më i thellë dhe më i dukshëm edhe në sistemin arsimor. Para disa ditësh, dy shkollave në Çair të Shkupit iu ndërruan dy emra, lajm që u pasua me pompozitet të madh nga mediet dhe BDI-ja. Por në opinion dolën disa fotografi nga shkollat shqipe në Çair ku pushteti i BDI-së nuk ka vënë as dorën as këmbën. Ndoshta ka vënë dorë vetëm në rrënimin e vlerave duke ndërhyrë në sistemin arsimor në momentin e zgjedhjeve, duke i detyruar punëtorët arsimor të marrin pjesë në tubime partiake.
E kundërta e Korona Virusit është pastërtia, ndërsa në shkollat në Çair të cilat u panë përmes fotografive të postuara në rrjetet sociale u pa haptas se aty as kafshët nuk do të kishin mundësi të ndiqnin mësimet e të mos flasim për fëmijët shqiptar. Jo më larg se para një viti në Shkup u promovua një shkollë fillore ku janë shpenzuar miliona euro, ndërsa aty mësojnë vetëm nxënësit maqedonas. Ndërsa me ministrinë e arsimit me dekada udhëheqin kuadro të paafta të BDI-së të cilët të vetmin kontribut që kanë bërë në sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut ka qenë ai i partizimit të skajshëm dhe rrënjosjes të sistemit të meritokracisë.
Medreseja është institucion arsimor ende i pa akredituar ku një numri të madh të kuadrove i merret e drejta që të trajtohen në mënyrë të barabartë  nga ligji dhe institucionet e shtetit. Përveç kësaj, kuadrot e BDI-së që kanë udhëhequr me ministrinë e arsimit kanë kontribuar mjaftueshëm edhe në diskriminimin dhe përjashtimin e vajzave me shami nga shkolla, si dhe mësimin në gjuhën maqedonase të nxënësve shqiptar në Prilep dhe Veles. Për këtë gjë, Ali Ahmeti dhe BDI as që mërziten, e sidomos nuk mërzitet ministri i arsimit, Arbër Ademi i cili ka përshëndetur aktivistët e BDI-së me këngën e Dafina Zeqirit-Hajde ma knej.
Para disa ditësh u publikua lajmi se në shkollat e Tetovës me rrethinë mungojnë sapunë për larjen e duarve. Në këtë mënyrë, ministri i arsimit, Arbër Ademi, duke e pasur parasysh Korona Virusin, po vë në rrezik jetën e nxënësve shqiptar të Tetovës, ndërsa ai ka kohë të mos mërzitet dhe të argëtohet nën tingujt e këngës së Dafina Zeqirit.
Në gjithë këtë zallamahi,e vetmja shpresë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, e sidomos për shqiptarët është ardhja e 12 prillit dhe mundësia për të ndëshkuar politika të gabuara nga politikanët shqiptarë. Ata e kanë në dorë fatin e tyre për të vendosur nëse duan shkolla që do t`i mungojnë sapun në momente të epidemive, apo do të përcaktohen për ndërtimin e shkollave njëjtë si në ambientet ku jetojnë maqedonasit, po ashtu edhe shqiptarët.




No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...