Hamdi Nuhiju
Qysh prej shpërthimit të pandemisë Covid 19 e këndej, në Maqedoninë e
Veriut kanë ndodhur disa veprime jo serioze nga ana e institucioneve shtetërore,
ndërsa është kërkuar faj dhe fajtori te populli i shkret.
Ndaj popullit të
shkret është vendosur ora policore dhe ndaj popullatës krishtere dhe myslimane nuk
po i lejohet që të përjetojnë festat e tyre fetare dhe të jetësojnë si duhet mësimet
e Jezu Krishtit (Isait a.s.) dhe Pejgamberit Muhammed. Dëshmi për këtë është
vazhdimi i orës policore pikërisht në Festën e Pashkëve, dhe vendosja e
prioriteteve për hapjen e bastoreve sportive e mos hapjen e xhamive pikërisht në
muajin e shenjtë të Ramazanit. Vendimi i BFI për hapjen e xhamive u kritikua
nga të gjitha institucionet shtetërore dhe krerët më të rëndësishëm politik. Në
qarqet gazetareske qarkullon informacioni për devijimin nga rruga të vendimit të
qeverisë për heqjen e orës policore, pikërisht për shkak të inateve që kanë
institucionet shtetërore dhe politikanët me kreun e BFI-së.
Në vijim do të numërojmë disa faje të institucioneve shtetërore dhe
politikanëve për përhapjen e Covid 19 dhe vënien në faj të popullatës së
shkret.
1. Në medie u raportua se ish drejtoresha e Klinikës së Dermatologjisë në
Shkup, Nina Caca Biljanovska për një javë ka fshehur se ka simptoma të Covid
19, ndërsa ajo ka vazhduar të shkoj në punë. Në këtë mënyrë, drejtoresha Nina
Caca Biljanovska ka infektuar 200 persona tjerë, dhe si rezultat e vetmja masë
nga qeveria ndaj saj ka qenë shkarkimi i saj dhe zëvendësimi me Suzana
Nikollovska.
2. Po ashtu në medie u raportua se drejtoresha e Spitalit të Kumanovës,
Snezhana Zaharieva, nuk ka furnizuar në kohë me mjetet e nevojshme mbrojtëse mjekët
e spitalit dhe si rezultat i kësaj pandemia Covid 19 ka shpërthyer me të madhe
në mesin e mjekëve, infermierëve dhe punëtorëve teknik duke e shndërruar Kumanovën
në një qendër me rrezik të lartë. Snezhana Zaharieva ende është drejtoresh e
spitalit dhe nuk është ndërmarr asnjë masë ndëshkuese ndaj saj.
3. Në medie u raportua për pres konferencën e Këshillit të përgjithshëm të
Krizave në Kumanovë, ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Kumanovës Maksim
Dimitrievski. Pas përfundimit të pres konferencës, Dimitrievski rezultoi
pozitiv me Covid 19 duke u shndërruar në këtë mënyrë në rrezik potencial e të
gjithë pjesëmarrësve në atë takim. Si rezultat pjesëmarrësit në takim u futën në
karantinë 14 ditore, ndërsa Dimitrievski ende sot e kësaj dite vazhdon që të
kryej punën e tij, pa u ndërmarr ndaj tij asnjë përgjegjësi politike, penale e
morale. Edhe pse pati zëra të ndryshëm në opinion, akuza dhe ndër akuza midis
pushtetit dhe Maksim Dimitrievskit, sidoqoftë, ky i fundit po vazhdon që t`i
kryej të gjitha detyrat e tij si kryetar i Komunës së Kumanovës.
4. Në raportimin e përditshëm të ministrisë së shëndetësisë u bë e njohur për dy vdekje në Kumanovë, që
njëherë në testimin e parë rezultuan negativ ndaj Covid 19, ndërsa pas vdekjes dolën
pozitiv. Familjarët e këtyre rasteve denoncuan në medie se viktimat kanë vdekur
krejtësisht nga sëmundje tjera dhe jo nga Covid 19.
5. Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, thuajse për çdo ditë njofton
për raste të reja të infektimit me Covid 19, ndërsa në raportimet zyrtare të
ministrisë së shëndetësisë, edhe rastet e Komunës së Likovës i përshkruheshin Komunës
së Kumanovës.
6. Vatër e re e valës me Covid 19 tashmë po bëhet qyteti i Tetovës, ndërsa nga
Aleanca për Shqiptarët u bë publike informacioni se ka zyrtar mjekësor që janë pozitiv
me Covid 19, nuk e kanë bërë publike këtë informacion dhe vazhdojnë t`i kryejnë
detyrat e tyre të punës duke i marr në qaf pacientët dhe qytetarët e Komunës së
Tetovës me rrethinë.
7. Në Strugë u mbajt një aktivitet fetar publik ortodoks për të cilin
aktivitet nga zyrtarët thuhet se kanë marr leje prej ministrisë së punëve të
brendshme që momentalisht drejtohet nga kuadri i VMRO-DPMNE-së. Edhe pse ai
tubim madhështor ishte një rrezik potencial i shpërndarjes së kësaj sëmundjeje dhe
aty nuk u respektua asnjë rekomandim i autoriteteve shtetërore, megjithatë deri
më tani nuk është ndërmarr asnjë masë ndëshkuese ndaj atyre që kanë marr një
vendim të këtillë.
8. Në fshatin Hasanbeg të Shkupit banorët protestuan ndaj arrestimit të dy
fshatarëve të tyre për shkak se e kanë shkelur orën policore. Në këtë protestë
u arrestua edhe kryeredaktori i Gazetës Lajm, Isen Saliu edhe pse ka pasur leje
për lëvizje edhe në orë policore. Nga burime gazetareske, arrestimi i Saliut
nuk ka të bëje me protestën e përgjithshme, por është marr në pyetje krejtësisht
për gjëra tjera. Si rezultat i kësaj proteste, qeveria u egërsua, ndërsa Prokuroria
Themelore Publike e cila u bë shurdhmemece sa i përket ngjarjeve në Strugë, e
kapi defterin dhe filloi të shpërndaj me të madhe dënime marramendëse për pjesëmarrësit.
Në të gjitha këto raste, si dhe në rastet të cilat nuk u përmendën këtu,
fajtor kryesor për përhapjen e Covid 19 nuk janë qytetarët e thjeshtë, por
autoritetet politike, institucionale dhe shëndetësore. Qytetarët e thjeshtë në
këtë periudhë kanë vetëm një pyetje që po u sillet në kokë për t`ia adresuar
autoriteteve shtetërore: A u bë mjaft me orën policore?
No comments:
Post a Comment