Hamdi Nuhiju
Slogani “Mos ngacmo o mut” është slogani më ngacmues dhe kreativ që nxjerr
në shesh të bërat e të pathënat e një pjese dërmuese të meshkujve që gjithmonë nëpër
labirinte kërkojnë botën e ngacmimit. Këtë slogan patëm rastin ta shohim në
protestën e feministëve në Mitrovicë. Ndërsa këtë realitet, ngacmim, nuk e
shohim vetëm në Mitrovicën tonë të ndarë e të përvuajtur, por edhe në Kumanovën
heroike, në shkolla të mesme e fillore si dhe në çdo cep të shqiptarisë. Më thoni
një moment shkollor në të cilin nuk jeni përball me një problem të këtillë? Mjafton
ta lexojmë kronikën e zezë të çdo vendi në Ballkan dhe do ta kuptojmë këtë
realitet.
Kjo gjetje kreative e feministëve të Mitrovicës kategorinë e këtillë të
meshkujve, por edhe femrave, pasi që edhe nga femrat ka ngacmues, e bën që të
struken prapa tastierës, të skuqen, të zgërdhihen, ndoshta edhe të shajnë e ofendojnë.
Ajo që më ra në sy në protestën e feministëve të Mitrovicës ishte pjesëmarrja e
politikanëve dhe politikaneve si dhe rrëfimet e panumërta për ngacmime seksuale
në politikë.
Si shoqëri duhet ta themi hapur dhe pa doreza këtë problem i cili është në
rritje e sipër. Kemi dëgjuar dhe dimë për profesor dhe arsimtar shqiptar
ngacmues seksual. Edhe pse një gjë e këtillë është e njohur dhe e ditur thuajse
nga të gjithë, ata profesor dhe arsimtar përsëri vazhdojnë të japin mësim si
dhe t`i “edukojnë” gjeneratat e ardhshme duke kërkuar momentin e përshtatshëm
toksik për të vazhduar me ngacmimet e tyre seksuale.
Vlimi i këtillë seksual dhe pandëshkueshmëria e këtij vlimi seksual nëpër
shkolla dhe institucione publike, i bënë shoqëritë tona të varura nga vullneti
i më të fortit si dhe i le derën hapur devijimeve të cilat kanë pasoja të mëdha
për të ardhmen.
Në medie lexuam edhe për ngacmime seksuale nga një fallxhor që është
paraqitur si hoxhë. Po në rrethet e brendshme, dimë plot raste të cilat nuk
denoncohen e që kanë të bëjnë me këtë problematik.
Duhet hapur të denoncohen të gjithë, të mos kihet mëshirë për ngacmuesit
seksual qofshin në institucionet shkollore, politike ose fetare. Në këtë pikë asnjë
institucion nuk është imun!
Nëse flet hapur dhe denoncon rastet e këtilla, nuk nënkupton shtimin e
pasigurisë në shoqëri, porse i mundëson organeve të rendit dhe hetuesisë për të
kryer detyrat e tyre. Edhe nëse nuk beson në organet e rendit dhe hetuesisë, së
paku prindërit i përgatit me informacione dhe zgjon tek to sistemin mbrojtës familjar.
‘Mos ngacmo o mut’, sepse edhe ti në familjen tënde ke gjininë më të bukur
të cilën nuk dëshiron që askush ta ngacmojë. Mos provoko gjëra për të cilat nuk
ke dëshirë të provokohesh dhe mos privo njerëzit nga e drejta për të qenë të
lirë në ambientet publike, pa pasur nevojë për frikë. Paramendoji momentet kur
ti në kohën kur ishe i fuqishëm nuk ke lënë vajzë ose grua rrugës pa ngacmuar
dhe në momente të caktuara e kupton se vajza e gruaja jote ngacmohet nga të
tjerët?
Përveç ngritjes së zërit dhe vetëdijes përmes protestave të këtilla të
cilat në mënyrë të plotë kanë përkrahjen time, ne si shoqëri kemi nevojë që në
shkollat tona t`i fusim dy lëndë edukative e që i mësojnë të rinjtë dhe të
rejat të janë të kujdesshëm.
Është bërë e domosdoshme futja e lëndës së edukatës fetare, por edhe edukatës
seksuale në të gjitha shkollat tona. Nuk mund që të frenojmë këtë fenomen pa
marr masat e duhura institucionale.
No comments:
Post a Comment