Hamdi Nuhiju
Procesi i vaksinimit të popullsisë kundër sëmundjes
Kovid 19 në Maqedoninë e Veriut fillimisht ka nisur me grupet më të rrezikuara
të shoqërisë, si për shembull mjekët, pastaj kanë ardhur kategori të ndryshme të
shoqërisë e të cilat po ashtu kanë qenë më të rrezikuara se popullsia e thjeshtë.
Ky proces ka nisur herët dhe me vaksina donacion fillimisht nga Serbia, po edhe
nga shtetet tjera. E mbajmë mend se sa gëzim i madh shikoje në fytyrat e mjekëve
për pranimin e vaksinës ruse Spunik V.
Në anën tjetër, mediet e Kosovës sa me jo kompetencë
flisnin kundër vaksinës ruse dhe sa shumë ndikonin te një pjesë e shoqërisë
shqiptare në Maqedoninë e Veriut për të mos i besuar asaj vaksine.
Mediet e Maqedonisë së Veriut po edhe të
rajonin, të ndikuara nga propaganda e zezë e krijuar në mediet evropiane, një
periudhë të caktuar kohore hidhnin dyshimet e tyre kundër vaksinës britanike
Astra Zeneca, si një vaksinë e cila po shkakton probleme të mëdha shëndetësore
tek kategoritë e caktuara të qytetarëve pas vaksinimit.
Po ashtu, mediet në Shqipëri, Kosovë dhe në
Maqedoninë e Veriut u morën një kohë të caktuar edhe me moshën e të vaksinuarve
në Itali si dhe me skenarë të mundshme të sëmundjes Kovid 19 në këtë shtet prej
të cilit për çdo ditë na vinin lajme shqetësuese. Procesi i vaksinimit të
popullsisë ka nisur më vonë në krahasim me procesin e vaksinimit të grupeve të
rrezikuara të shoqërisë të cilat kanë qenë në vijën e parë të frontit kundër kësaj
sëmundjeje. Qytetarët duhej që të paraqiteshin në një faqe elektronike të
krijuar nga ministria e shëndetësisë, të regjistrohen për termin për t`u
vaksinuar. I gjithë ky proces bëhej në mënyrë vullnetare dhe pa imponimin e
institucioneve të shtetit.
Në të gjitha fazat ose periudhat e luftës kundër
pandemisë Kovid 19, nuk kanë munguar dyshimet, prapaskenat, idetë e konspiracionit
të cilat në vazhdimësi kanë ushqyer opinionin publik. Ato dyshime ishin të
llojeve të ndryshme, prej te mënyra e vaksinimit të personave të sëmurë me
kovid 19, e deri te dyshimet e pasojave të vdekjes të personave nga kovid 19. Por,
përderisa kovid 19 ka qenë një sëmundje e re që ka kapluar të gjitha skajet botës,
normal që njohuritë për të kanë qenë jo të mjaftueshme dhe si rezultat i kësaj dyshimet
ose paragjykimet për tretmanin e kësaj sëmundjeje ose ekzistencën e saj janë tejet
të mëdha.
Personat që u paraqitën vullnetarisht për t`u
vaksinuar, kanë pritur me muaj të tërë për të ardhur në radhë për ta marr
vaksinën e cila të ofrohet, pasi që oferta e vaksinave kundër kovid 19 në
Maqedoninë e Veriut është e limituar. Shto kësaj edhe listën e interesave dhe
grupeve të interesit të cilët kanë ndërhyrë për t`u futur pa radhë me qëllim që
të marrin vaksinën kundër sëmundjes kovid 19.
Figura të caktuara publike në Shqipëri, që
propagandonin haptas kundër vaksinimit dhe kundër sëmundjes kovid 19 duke
hedhur dyshime mbi të, kërkonin haptas mundësi dhe forma se si të vaksinohen pa
radhë, edhe atë në Serbi.
Në momentin kur procesi i vaksinimit u transformua
nga vaksinimi vullnetar dhe me termin, u bë vaksinim pa termin, në fazën e parë
interesimi i qytetarëve, sipas autoriteteve shtetërore nuk ishte i duhur. Por,
kur nisën luftën e hapur kundër lirive dhe të drejtave të njeriut dhe shndërrimit
të procesit të vaksinimit në proces obligativ, qytetarët me orë të tëra prisnin
para punkteve të vaksinimit për ta marr jabadabadu lumturinë e tyre kundër sëmundjes
kovid 19.
Qysh prej shfaqjes së sëmundjes kovid 19 e
deri më sot, në asnjë fazë nuk kam dyshuar në sëmundjen dhe në nevojën për të
marr barin e caktuar për t`u mbrojtur kundër kësaj sëmundjeje. Ajo e cila është
për t`u diskutuar janë mënyrat dhe format se si qeveritë dhe shtetet kanë
menaxhuar me pandeminë kovid 19 duke manipuluar edhe me liritë dhe të drejtat e
njeriut.
Masa më e re e qeverisë së Republikës së Maqedonisë
së Veriut, por siç duket edhe e qeverive të rajonit, po edhe të Evropës ka të bëjë
me personat e pa vaksinuar. Kjo masë e cila po synon t`i detyroj ato të pa vaksinuar,
haptas është diskriminuese dhe e padrejtë nga një pjese të konsiderueshme të shoqërisë.
Kjo formë e imponimit të kësaj mase, rrit numrin e personave që nuk dëshirojnë
të vaksinohen, ose edhe me keq, shton dyshimet edhe tek personat që veçse janë vaksinuar.
Njerëz të cilët nuk kanë asgjë, janë shëndosh
e mirë, parashtrojnë pyetjen publike, pse duhet unë të vaksinohem kur nuk kam asgjë?
Pyetja është e drejtë në kontestin individual dhe momental, por nuk është e
saktë në dobinë dhe të mirën e përgjithshme. Ndërmarrja e masave paraprake kundër
një sëmundjeje është po aq e rëndësishme sa trajtimi i sëmundjes e cila të vjen
në derë. Garanci nuk ka në këtë botë, themi ne besimtarët!
No comments:
Post a Comment