Sunday, December 23, 2012

Edukata-nëna e gjitha të mirave



Hamdi Nuhiju

Qasje fillestare

Njeriu si qenie shoqërore, ekonomike, materiale, shpirtërore, religjioze është gjithmonë në kërkim të së mirës. Shpirti i tij kërkues nuk ndalet deri në momentin e ndaljes së frymës së tij. Ai, pra njeriu, transferohet në botën e përtejme, ndërsa le gjurmë në këtë botë si një kërkues.

Kërkimi i të mirës dhe Njohjes , ringjall tek ai shpresën e mbjell nga fara e hedhur në trungun e tij familjar. Duket sikur kozmosi do ti nënshtrohej atij nga këndi i Jusufit a.s., apo do ti nënshtrohej krijesave ujore nga këndi i Junusit a.s. Ndoshta, do të rritet, uni i tij, në oborrin e ‘Faraonit’ të Musait a.s., apo do të kërkojë qetësinë në Shpellën Kehf të djemve  ‘kur`anor’. Papritmas, njeriut, i vjen një zë nga thellësia e botëve, rëndohet trupi i tij, dalin djersët, lind frika, xixëllon trupi, sikur qysh dalin xixat nga rënia mbi grurëzinjtë e mëdhenj. Rënia e parë, ishte për njeriun analfabetë, jetim, bari delesh, punëtor, po asnjëherë i pandershëm, i pa moralshëm, i pa edukatë. Lexo, erdhi një zë nga gjithësia.’ Unë nuk di të lexoj’, njeriu i frikësuar nga ky zë u përgjigj si para Mbretit. ‘ Lexo, me emrin e Zotit Tënd, i Cili krijoi çdo gjë...’
Kështu nisi rrëfimi i përmbledhur. I gjithë njerëzimi gjendet në këtë rrëfim. Qysh nga bariu i parë, e deri tek bariu i fundit. Të gjithë kishin diçka të përbashkët, qysh para ardhjes së misionit në supet e tyre-edukatën.
Edukata në Besim
Të gjithë e dimë, se feja islame i ka gjithsej 33 kushte. Dikush ndoshta edhe i ka harruar, po ato janë themele që fëmijët qysh në shkolla fillore i mësojnë.
Gjashtë prej tyre, janë kushte të Besimit. Dhe ato janë:1. Besimi në Allahun, 2. Besimi në melekët e Allahut, 3. Besimi në librat e Allahut, 4. Besimi në pejgamberet e Allahut, 5. Besimi në ringjalljen pas vdekjes dhe 6. Besimi në kadanë dhe kaderin ( vendimin dhe caktimin) e Allahut.[1]
Dijetarët islam kanë folur gjerë e gjatë rreth këtyre kushteve. Gati secili prej tyre ka thënë, se të mohosh vetëm njërin prej këtyre kushteve të besimit-imanit, ti ke mohuar fenë e Allahut dhe je bërë renegat. Shqiptimi i këtyre kushteve është aq i thjeshtë dhe  i lehtë. Praktikimi i tyre është i rëndë dhe i vështirë për njerëzit që ashtu i llogarisin.
Të besosh Allahun, vetëm me fjalë, pa zemër dhe pa vepër është një prej dukurive denigruese në mesin e besimtarëve mysliman. Është e lehtë të themi:’Unë e besoj Allahun’, ndërsa të gjitha veprat tona jetësore të janë në kundërshtim me Allahun. Ndonjëherë nga identiteti islam, na ngelet vetëm emri, Hasan, Hysejnë, Muhamed apo ndonjë emër tjetër që ia ndërrojmë tërësisht shqiptimin dhe kuptimin.
Thotë Allahu xh.sh. në Kur`an:” E ata qenë të urdhëruar të adhurojnë vetëm Allahun, me sinqeritet të plotë ndaj Tij, e të largohen prej çdo besimi të kotë, të falin namazin, të japin zekatin, se ajo është feja e drejtë.”[2] Ndërsa në ajetin tjetër, Allahu xh.sh. i përmbledh pjesën dërmuese të kushteve të besimit, ku thotë:” Devotshmëria e vërtetë nuk qëndron te kthimi i fytyrave tuaja nga lindja ose perëndimi, por te të besuarit tek Allahu, Dita e Gjykimit, engjëjt, Libri, pejgamberët, tek dhënia e pasurive të shtrenjta të afërmve, bonjakëve, të varfërve, atyre që mbeten në rrugë, lypësve dhe për lirimin e robërve, te falja e namazit, dhënia e zekatit, mbajtja e premtimit të dhënë, durimi në skamje, në sëmundje, dhe në flakën e luftës. Ata janë në të vërtetë të sinqertit dhe të devotshmit.”[3]
Ky ajet kur`anor fillon me devotshmërinë dhe përfundon me sinqeritetin dhe devotshmërinë.
Rreth këtij ajeti, mufesiri i famshëm  Ibën Kethiri, ndërmjet tjerash përmend ndërrimin e kibles ose orientimit të myslimanëve nga Bejtul Makdisi kah Qabeja, dhe thekson mesazhet e tij. Ai tha:” Pra, kjo është bamirësia, devotshmëria dhe besimi i përsosur, ndërkaq nuk është bamirësi e nënshtrim drejtimi nga ndonjë anë në lindje a perëndim, nëse ky nuk është urdhër dhe ligj i Allahut”[4]
Menjëherë pas besimit në Allahun, vjen besimi në engjëjt e Allahut si kusht i besimit. Engjëjt janë krijesa të padukshme të Allahut. Ato duhet besuar, dhe mosbesimi i tyre i nxjerr besimtarët mysliman jashtë fesë.
Besimtari duhet të jetë me edukatë dhe mirësjellje. Ai nuk guxon të flasë keq për Allahun, të përmend engjëjt e Allahut me përbuzje dhe me cilësi që nuk i takojnë, ashtu si i kanë përmendur të krishterët dhe jehudët. Ne, nuk guxojmë që në secilin vend të përmendim emrin e Allahut dhe të engjëjve vend e pa vend.
Besimi në librat e Allahut është i patjetërsueshëm. Si mund ne, të mohojmë ekzistimin e librave tjerë jashtë Kur`anit, ndërsa kusht të besimit e kemi njohjen e tyre? Tevrati, Inxhili, Zeburi e Kur`ani janë libra të Zotit dhe ato duhet të besohen pa fije lëkundje. Librat tjerë, përveç Kur`anit janë të ndërruara gjatë historisë, po kjo nuk duhet që ta ulë ose zhvleftësojë besimin tonë. Nuk është pjesë e edukatës së besimtarit që të flasë keq dhe pa fakte për librat e Allahut. Realiteti i shoqërisë sonë, fatkeqësisht, është i hidhur. Ata e mohojnë dhe e shajnë edhe Kur`anin, e të mos flasim për librat tjerë që janë të ndryshuar gjatë historisë. Kjo mungesë mos respekti dhe besimi në të, e sjell shoqërinë tonë në një gjendje ashtu qysh jemi.
Sipas dijetarit islam AbdulMexhid Ez Zindani ekzistojnë disa fusha të besimit.
Në fushën e besimit tek Pejgamberët e Allahut xh.sh. Njohja e të drejtave që u takojnë, cilësitë e tyre si sinqeriteti dhe besueshmëria; gjërat që nuk lejohen t`u përshkruhen, si gënjeshtra dhe tradhtia. Gjithashtu njohja e mrekullive dhe e argumenteve të pejgamberisë së Muhammedit alejhi selam.[5]

Besimi në Pejgamberët e Allahut pa përjashtim prej tek i pari deri tek i fundit, njeriut mysliman ia qëndisë vlerat njerëzore. Të krishterët nuk njohën Muhammedin alejhi selam, e shajnë atë, e fyejnë, dhe i mësojnë fëmijët e tyre nëpër shkolla se armiku i tyre është Muhammedi alejhi selam. Jehudët, nuk njohin as Isain a.s., e as Muhammedin a.s. Ata po bëjnë luftë të vazhdueshme në emër të epitetit që ia zgjodhën vetvetes si ‘popull i zgjedhur’ dhe në këtë mënyrë mundohem që ti robërojnë dhe privojnë nga e drejta të gjithë të tjerët. I vetmi popull në botë, që pjesë të besimit, e ka besimin në të gjithë pejgamberët, duke përfshirë edhe Isain a.s., e Musain a.s., janë myslimanët. Ata po qe se nuk i përmbahen këtij rregulli, dalin jashtë fesë.
Për çdo person që përqafon besimin Islam dhe e bën atë model të jetës së tij, besimi në Botën Tjetër është një e vërtetë e pamohueshme që është skalitur thellë në zemër dhe në mendje. Pa të besuarin në Botën tjetër njeriu nuk mund të radhitet në radhën e myslimanëve dhe as në radhët e pasuesve dhe ndjekësve të mbarë librave të tjerë qiellor.[6]
Kader do të thotë “ mundësi, përcaktim i vëllimit dhe formës të një gjëje, trajtësim i një sendi, krahasimi i një gjëje me një tjetër”, etj. Si term, kaderi ose takdiri është planifikimi i paraqenë i gjithësisë dhe i të gjitha gjërave e ndodhive të përfshira në të nga ana e Allahut. Kurse kadaja, kuptimi leksikor i të cilës është ‘pendim, urdhërim, zbatim’, është ekzekutimi dhe zbatimi i gjërave dhe ndodhive sipas planifikimit të tyre të paraqenë.[7]
Nuk ka dyshim se vetëm njeriu i pa edukatë mohon besimin në botën tjetër, kadanë e kaderin. Edukata në kushtet e besimit është domosdoshmëri e mbajtjes së lidhjes së besimtarit mysliman me Allahun xh.sh.


Edukata në Namaz
Namazi është një prej pesë kushteve të Islamit, që Pejgamberi Muhammed alejhi selam, i mësoi ai dhe shokët e tij përmes hadithit të Xhibrilit alejhi selam. Ashtu qysh e dimë të gjithë, për të gjitha kushtet tjera në islam, ekzistojnë tolerime në rrethana të caktuara, ndërsa namazi duhet falur deri në vdekje dhe në secilën gjendje. Njeriu nuk i ikë obligimit të namazit as kur është i sëmurë, e as kur është i shëndosh. Ai nuk mund të ndërroj vlefshmërinë e faljes së namazit, as kur është i varfër e as kur është i pasur. Namazi është njëra prej shtyllave, ndaj të cilës rrotullohen shumë begati e mirësi.
Nuk ka dyshim, se e ka thënë të vërtetën Pejgamberi alejhi selam kur tha:” Besimtarin nga jo besimtari e dallon namazi”, dhe këtë gjë praktikisht shumë besimtar e dinë.
Kur`ani na njofton se Isai a.s. qysh në djepin e tij fletë dhe thotë:” Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz( falje) e zekat për sa të jem gjallë!”[8]
Llukmani i urtë, ndërmjet tjerash porositë djalin e tij:” O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira, e ndalo nga të këqijat, përballo me durim çdo gjë që të godet, vërtet këto janë nga çështjet më të preferuara”[9]
Po qe se hulumtojmë në literaturën islame rreth këtij kushti të islamit, do të gjenim me qindra-mijëra perla të përshkruara e sqaruara detajisht që flasin për secilën sferë të namazit.
Shejh Jusuf el Kardavi thotë:” Namazi që kërkon Islami, nuk është vetëm disa fjalë, që i thotë goja dhe disa lëvizje, që kryhen nga gjymtyrët, pa meditim dhe pa prezencën e mendjes dhe përuljen e zemrës. Namazi që kërkon Islami nuk i ngjan çukitjes së gjelit, as rrëmbimit të sorrës, dhe as lëvizjeve të dhelprës, që kthen kokën sa majtas e sa djathtas. Namazi i pranuar është ai, që merr pjesën e duhur të meditimit, përuljes dhe ndjesisë së madhështisë së Allahut të Madhërishëm, të Cilit po i lutemi.”[10]
Mjaftohemi me këto fjalë të shkurtra dhe të bukura të dijetarit tonë të nderuar Jusuf el Kardavi për të përmbledhur rëndësinë e përqendrimit dhe edukatës në namaz. Nuk ka dyshim, se namazi nuk do të jetë i pranuar asnjëherë, pa edukatën në të.

Edukata në Agjërim
Transmetohet nga Ebu Hurerje r.a. se Muhammedi alejhi selam ka thënë:” Agjërimi mbron nga morali i keq sepse ai që agjëron nuk flet gjëra të turpshme dhe nuk bërtet. Nëse ( eventualisht) e shanë ndokush ose e sulmon, le të thotë:’ Unë agjëroj, unë agjëroj”.[11]
Transmetohet nga Ebu Hurerje r.a. se Muhammedi alejhi selam ka thënë:” Zoti nuk ka nevojë për njeriun që e braktisë ushqimin e pijen e nuk e braktisë fjalën e keqe dhe veprën e ligë.”[12]
Transmetohet nga Ebu Hurerje r.a. se Muhammedi aleji selam ka thënë:” Agjërimi nuk donë të thotë të largohesh nga haja e pija por të largohesh nga fjala e keqe dhe vepra e shëmtuar. Nëse ndokush të provokon apo sillet si i marrë ndaj teje, atëherë thuaj:’ Unë agjëroj, unë agjëroj’”[13]
Këto hadithe të Pejgamberit alejhi selam, na bëjnë të qartë edukatën e agjërimit.
Ka thënë Ibën Kajjimi ( r.a.):” Pasi që qëllimi i vet agjërimit është mbyllja e nefsit nga epshet dhe nga ëndjet dhe abstenimi nga gjërat e përditshme, kështu ai ta mbizotërojë potencialin epshor për tu përgatitur për kërkesën që ka për qëllim lumturinë dhe kënaqësinë si dhe pranimin e pastrimit që bëhet nëpërmjet tij për jetën e përhershme, ai e mund urinë dhe etjen kur e arrijnë edhe kulminacionin e tyre dhe njëkohësisht e përkujton gjendjen e të uriturve dhe të mjerëve.”[14]

Edukata në Zekat

Në dhënien e zekatit patjetër që të ekzistojë qëllimi. Njeriu nuk shpërblehet në bazë të punës që bën, por në bazë të qëllimit të kryerjes së asaj pune.
Përveç që është nënvleftësuar dhe harruar gati tërësisht ky kusht i Islamit, ai edhe nuk jepet me qëllime të pastra. Filozofia e zekatit është në pastrimin e pasurisë, ndërsa ne e ndotim veten me mendjemadhësi para të varfërve në momentin e dhënies. Ndihemi, sikur tërë pasuria na është harxhuar dhe tashmë jemi shndërruar nga njerëz të pasur në njerëz të varfër. Një prej cilësive të zekatit është edhe shtimi i pasurisë, po eja e bindi besimtarët mysliman për këtë gjë.
Zekati është një institucion islam mjaftë efikas kundër varfërisë.
Shejh Jusuf el Kardavi thotë në librin e tij:” Islami nuk ka rival në ndonjë religjion të mëparshëm për sa i përket vëmendjes ndaj shërimit të varfërisë si dhe mbikëqyrjes së varfanjakëve, të ngratëve dhe të dobëtëve, pa marrë parasysh a i referohet segmentit të edukimit, atij juridik dhe organizativ apo zbatimit dhe aplikimit.”[15] Ndërsa në ajetin që cituam në pjesën e parë të këtij artikulli thotë Allahu xh.sh. : ” Devotshmëria e vërtetë nuk qëndron te kthimi i fytyrave tuaja nga lindja ose perëndimi, por te të besuarit tek Allahu, Dita e Gjykimit, engjëjt, Libri, pejgamberët, tek dhënia e pasurive të shtrenjta të afërmve, bonjakëve, të varfërve, atyre që mbeten në rrugë, lypësve dhe për lirimin e robërve, te falja e namazit, dhënia e zekatit, mbajtja e premtimit të dhënë, durimi në skamje, në sëmundje, dhe në flakën e luftës. Ata janë në të vërtetë të sinqertit dhe të devotshmit.”[16]

Edukata në Haxh
Besimtari mysliman, njëherë gjatë tërë jetës së tij obligohet që ta kryej këtë kusht të Islamit. Po ky kusht ka shumë nën kushte tjera që më shumë bien në sferën shoqërore-edukative sesa në atë kuptimore. Për shembull, pasuria që duhet shpenzuar për të vajtur në Haxh, nuk duhet të jetë e fituar në mënyra jo të lejuara. Pastaj, po qe se besimtari mysliman ka borxhe dhe nuk i ka shlyer ende ato, ai nuk guxon që të ikë në Haxh pa i kryer borxhet ndaj njerëzve. Familja nuk bën të ngelet në skajet e varfërisë, ndërsa besimtari të fitoj titullin e shenjtë të Haxhit.
Allahu i Madhëruar në Kur`anin Famëlartë thotë:” Dhe vizita ( për haxh) e kësaj Faltoreje( Qabesë) e cila është detyrë për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.”[17]
Edukata në Xhihad
Në aspektin gjuhësor ‘xhihad’ d.m.th përpjekja në rrugën e Allahut. Ekzistojnë shumë keqinterpretime të këtij rregulli islam. Mediat botërore kanë hedhur shumë baltë mbi të, duke e barazuar xhihadin me terrorizmin dhe duke e zhveshur atë nga realiteti i saj.
Mendoj se përmes një ngjarje nga historia islame, do të përshkruaj tërë fizolofinë e kësaj pjese të këtij artikulli.
Në periudhën e kalifit Umer në vitin 14 hixhri ( 635) u mor qyteti Humus. Por vitin tjetër kur arriti lajmi se Herakliu kishte bërë gati një ushtri prej 200.00 ushtarësh për të sulmuar qytetin, myslimanët vendosën të evakuojnë banorët e tij. Kur ishin duke u larguar nga qyteti myslimanët ua rikthyen taksën për frymë që ua kishin marrë banorëve të Humusit duke u thënë:” Kur ne ju morëm taksën, jua garantuam jetën. Por tani, ne nuk jemi në gjendje t`ju mbrojmë. Ju tani duhet të kujdeseni për veten tuaj”.
Populli i Humusit, kristianët dhe hebrenjtë të cilët e dinin se çdo të thotë të ishe nën thundrën bizantine nuk ishin të kënaqur me këtë situatë; përkundrazi ata ishin të dëshpëruar. Pleqtë kristianë thanë:” Drejtësia dhe ligjet tuaja janë më të favorshme për ne sesa shtypja dhe padrejtësitë në të cilat kemi përjetuar papara mbërritjes suaj. Ne do të bashkojmë forcat me udhëheqjen tuaj, që të mbrojmë qytetin tonë nga ushtria e Herakliut.” Hebrenjtë thanë:” Betohemi në Teurat se ushtria e Herakliut nuk do të mund të hyjë në Humus pa kaluar më parë mbi trupat tanë”. Dhe kështu popullsia lokale mbylli dyert dhe mbrojti qytetin. Kur ushtria e Herakliut u mund dhe u tërhoq, populli i priti myslimanët krahëhapur.[18]
Ky shembull në historinë islame është vetëm njëri prej shembujve të shumtë të drejtësisë dhe edukatës së xhihadit nga ana e myslimanëve. Ndërsa, në anën tjetër, kemi shembullin e urinimit mbi kufomat e ushtarëve mysliman në Afganistan nga ana e ushtarëve të ‘Perandorisë’ Amerikane. Për këtë gjë, janë dëshmitar të gjithë, edhe fëmijët në djep, kanë dëgjuar për turpin e Perëndimit në truallin e nxehtë të lindjes.

Edukata në dituri
Kërkimi i diturisë është obligim për secilin mysliman. Ne, nuk jemi të kompletuar me besim, po qe se nuk jemi të pajisur me dituri. Por, nuk mund të pajisemi me dituri, pa qenë të qëndisur me edukatë.
Ibën Kajjim el Xhevzi ka thënë:” Dijetarët në tokë janë porsi yjet në qiell, ata orientojnë të humburit në errësirë.”
Hasan el Basriu ka thënë:” E gjithë dynjaja është errësirë përveç kuvendet e dijetarëve.”
Ebu Derda ka thënë:” Mësimi i një çyshtje është më i dashur për mua sesa të falem gjithë natën.”
Enes ibën Malik ka thënë:” Kush e kërkon dijen për hir të Allahut është porsi ai që agjëron ditën dhe falet natën, dhe nëse dikush mëson një kapitull të dijes është më e mirë për të sesa të ndajë sadaka një mal me flori.”[19]
Po qe se fillojmë e i rendisim të gjitha perlat e dijetarëve islam të thëna për dijen, këtë artikull do ta shndërronim në libër. Thënia e fundit e përzgjedhur, e Enes ibën Malikut përfshinë esencën e bisedës sonë. Qëllimi i kërkimit të diturisë është arritja e kënaqësisë së Allahut, as më shumë as më pak. Ky qëllim, është tërë bukuria e edukatës së kërkimit të diturisë.

Edukata në punë
Puna është obligim për secilin mysliman. Ne nuk guxojmë që të qëndrojmë përtac dhe të presim prej qiellit të mirat e Allahut, pas vrapuar dhe u munduar. Allahu xh.sh. dhe Pejgamberi alejhi selam nuk e duan të papunin, dembelin.
Në urtinë popullore të Drenicës gjejmë këtë tregim të shkruar në gegnisht, por ne do të mundohemi ta standardizojmë me qëllim që ta kuptojmë ma lehtë mesazhin e tij:” Kish pas qenë një njeri që lypte shumë nëpër miq e shok. Kur vinte në shtëpi ishte tepër i lodhur. Njëherë i tha gruas së tij:’ Eh moj grua, nuk ka mbet, më me dal askund.’ Gruaja ia ktheu:’ Eh mor burrë, ti nuk ke mbet as për në shtëpi.’”[20]
Ky njeri, me gjitha të mirat e Zotit, në vend që të vrapojë pas punës, deshi që të jetoj si lyps dhe ashtu derë më derë ti mërzis miqtë e shokët e tij. Gruaja ia bëri me dije, se nuk ka mbet as për në shtëpi, se të papunin nuk e do askush.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë:” Kur e bën njeriu një shpenzim për mbajtjen e familjes së tij, duke synuar shpërblimin e Allahut, ajo do të jetë për të sadaka”.[21]

Edukata në bashkëshortësi
Myslimani duhet që të jetë i kujdesshëm ndaj gruas së tij dhe ajo duhet të jetë e kujdesshme ndaj burrit të saj. Pejgamberi alejhi selam na porositë që të sillemi mirë me gratë, dhe na qorton po qe se ne nuk e ndjekim urdhrin e tij në këtë aspekt. Ai ishte vet model sjelljeje dhe edukate, dhe gratë e tij, nënat tona, ishin pa dyshim, yje morali dhe sjelljeje ndaj Pejgamberit alejhi selam.
Baza e një shoqërie është familja, prandaj edhe duhet pasur shumë kujdes se si e zhvillojmë dhe e kultivojmë atë bazë. Po qe se atë bazë e zhvillojmë dhe kultivojmë duke u mbështetur në padrejtësi, ne nuk do të kemi familje, por as shoqëri të pastër islame. Po qe se, ne atë bazë do ta zhvillojmë dhe orientojmë kah e mira, duke e furnizuar me hallall dhe duke e ndaluar nga gjërat e ndaluara, ne do të kemi një familje të shëndosh dhe në këtë mënyrë edhe një shoqëri të shëndosh.
Familja në shoqëritë tona është larguar nga bërthama e vërtet. Ajo në vend që të jetë katalizator i zhvillimit të shoqërisë, po bëhet katalizator dhe prodhues i shkatërrimit dhe humbjes së kësaj bote dhe të botës tjetër.

Edukata në shoqëri

Enes Ibën Maliku r.a. tregon se e ka pyetur Pejgamberin alejhi selam:” O i dërguari i Allahut, më e dashur tek ti është që unë të fal njëqind regate vullnetare apo të jap sadaka një fetë bukë? Ai u përgjigj: Të ndash sadaka një fetë bukë është më e dashur tek unë sesa dyqind regate.
O i dërguari i Allahut, zgjidhja e një halli të një myslimani është më e dashur tek ty apo falja e dyqind rekateve? Ai u përgjigj: Zgjidhja e hallit të një myslimani është më e dashur tek unë sesa falja e një mijë rekateve vullnetare.
I thashë: Më mirë të largohem nga një llokëm haram, apo të fal një mijë regate? U përgjigj: Të largohesh nga një llokëm haram është më e dashur për mua sesa falja e dy mijë rekateve vullnetare.
O i dërguari i Allahut, më e dashur tek ty është largimi prej thashethemeve apo falja e dy mijë rekateve vullnetare? Ai u përgjigj: Lënia e përgojimit është më e dashur tek unë sesa falja e dhjetë mijë rekateve vullnetare.
O i dërguari i Allahut, më e dashur për ty është ndihma e grave të veja apo falja e dhjetë mijë rekateve vullnetare? Ai u përgjigj: Ndihma e grave të veja është më e dashur tek unë sesa tridhjetë mijë regate vullnetare.
O i dërguari i Allahut, qëndrimi me familjen është më i dashur tek ty apo qëndrimi në xhami në kohë të lirë? Ai u përgjigj: Qëndrimi një orë tek familja është më e mirë sesa Itikafi në xhaminë time.
O i dërguari i Allahut: Shpenzimi ndaj familjes është më e dashur për ty apo shpenzimi në rrugën e Allahut? Ai u përgjigj: Shpenzimi i një dërhemi për familjen është më e dashur tek unë sesa shpenzimi i një mijë dinarëve në rrugën e Allahut.
O i dërguari i Allahut, respektimi dhe shërbimi i prindërve është më e dashur për ty apo ibadeti një mijë vite? Ai u përgjigj: O Enes, e vërteta erdhi dhe u zhduk e kota, me të vërtetë e kota gjithmonë ka qenë e zhdukur, dije se respektimi i prindërve është më i dashur tek unë se ibadeti i dyqind mijë viteve”.[22]

Qasje përfundimtare

Imam Theurij ka thënë:” Edukata e mirë e shuan zemërimin e Allahut të Lartmadhëruar”.
Malik Ibën Enes r.a. i ka thënë një djaloshi:” O Vëllai im, mëso edukatën përpara se të mësosh dijen”.[23]
Përmes disa sqarimeve të shkurtra dhe referimeve në ajetet kur`anore, hadithet e Pejgamberit alejhi selam, thëniet të dijetarëve dhe urtësisë popullore u munduam që ta përafrojmë deri tek lexuesi të kundërtën e nënës së gjitha të këqijave, pra edukatën.
Njëra prej anomalive të shumta në shoqërinë ku jetojmë është edhe mungesa e edukatës. Ne sillemi keq me prindërit tanë, dhe në atë mënyrë mundohemi që ti thërrasim në Islam. Nuk respektojmë më të moshuarin, ndërsa për më të riun, nuk vjen parasysh respektimi dhe përkëdhelja jonë. Nuk ia japim hakun punës, por as nuk ia paguajmë hakun punëtorit.
Të gjitha këto anomali, kanë lind si rezultat i mungesës së edukatës. Pajisja me të, d.m.th me edukatën, do të ishte një përfitim i madh për botën tonë të këtushme dhe të përtejme. Ashtu u bëftë.


[1]  Drita e zemrës, Jasini, lutjet dhe suret e shkurtra, Tetovë, 2007, f.3
[2]  El- Bejjine:5
[3] El-Bekare:177
[4]  Shih më gjërësisht: Tefsiri I Ibën Kethirit vol.1, Zurih, gusht 2007, f.426
[5]  Shkenca e besimit, Abdul Mexhid ez Zendani, Shkup, 2011, f.10
[6] Faktet e besimit dhe mrekullitë e tij, Abdul Mexhid ez Zendani, Shkup, 2010, f.57
[7]  Bazat e besimit në Islam, Prof.Dr.Bekir Topaloglu, Prof.Dr.Yusuf Sevki Yavuz, Doc.Dr.Ilyas Celebi, Prishtinë, 2002, f.111
[8] Merjem:31
[9] Llukman:17
[10] Adhurimi në Islam, Dr.Jusuf el Kardavi, Shkup, 2011, f.240
[11]  Transmeton Buhariu dhe Muslimi
[12] Transmeton Buhariu
[13]  Ibën Huzejme dhe Ibën Hibbani
[14]  Agjërimi i Pejgamberit alejhi selam, Ibën Kajjim el Xhevzi, Shkup, 2006, f.50
[15] Fikhu Zekat 1, Dr.Jusuf el Kardavi, Shkup 2005, f.55
[16] El-Bekare:177
[17] Ali Imran: 97
[18] Një vështrim islam mbi terrorizmin dhe sulmet vetëvrasjëse, kompilues: Ergyn Capan, Prizmi, 2004, f.21
[19] Shih më gjërësisht: Melhemet e zemrës-2, Saimir Bulku, Tiranë, 2007, f.22-23
[20] Proza popullore nga Drenica, Anton Ceta, Prishtinë, 1979, f.83
[21] Transmeton Buhari dhe Muslimi
[22] Muslim, Musned Imam Ahmed
[23] Shih më gjërësisht: Melhemet e zemrës-2, Saimir Bulku, Tiranë, 2007, f.9

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...