Tuesday, December 25, 2012

Puci opozitar ose opozita e pucit



Hamdi Nuhiju

Njëzet e katër dhjetori i këtij viti në Republikën e Maqedonisë ishte datë dhe ditë shumë e veçantë. Opozita maqedonase tentoi që të pengoj sjelljen e buxhetit për vitin 2013
. Përmes protestave të cilat janë histori më vete, opozitarët padrejtësisht ose drejtësisht iu drejtuan Parlamentit të Maqedonisë. Edhe përskaj cirkusit të organizuar nga ana e pushtetit të Maqedonisë, buxheti kaloi. Ai u votua nga ana e subjekteve politike të cilat participojnë në këtë qeveri.
Po protesta e opozitës, nxori në pah shumë gjëra të cilat kanë qenë ekzistente gjatë kësaj qeverie, po mjeshtërisht të fshehura.
Qasjen e kësaj bisede do ta orientoj në disa segmente ose sfera.
Segmenti i parë ishte e drejta e opozitës për të protestuar. Nëse opozita ka të drejtën e protestës dhe mospajtimit me qëndrime të qeverisë së R.M., atëherë nuk e di çfarë detyrimi ka qeveria e R.M. ose më saktësisht VMRO-DPMNE që të organizoj kundër protestë për të penguar protestën e opozitës? Argumentet e pozitës duhet që të sillen në mënyra tjera. Përskaj të gjitha mjeteve legjitime që posedon pozita në R.M., ajo keqpërdori edhe mjetin e thirrjes së masave në protesta kundër opozitës. Pas disa viteve, përkrahësit e protestës së pozitës do t`i duket shumë absurde dhe banale vepra e tyre. Kjo gjë është njëjtë si në kohën e Millosheviqit, kur opozita organizohej për protesta, menjëherë pozita kryente të njëjtin veprim.
Segmenti i dytë ka të bëjë me sigurinë në punë. Në këtë protestën e fundit të pozitës dhe opozitës u pa se siguri në punë nuk ka. Punëtori i administratës rrezikohet për çdo moment po qe se nuk i përgjigjet kërcënimeve të Qeverisë ose opozitës për të dal në protesta. Në mungesës të argumenteve ekziston dhuna, kërcënimi, forca. Pas kësaj proteste, nuk e di se çfarë kuptimi do të kishte vrapimi i të diplomuarve shqiptar pas administratës shtetërore. E dimë fort mirë se për këtë vend pune çfarë duhet bërë këto shqiptarë të ngratë të cilët me një mijë halle kanë arritur që të përfundojnë një fakultet. Absurdi është edhe më i madh në këtë sferë, kur për një vend pune në administratë ka konkurruar një person nga Kumanova, i cili i ka tre fakultete të kryera, dy master dhe tashmë së fundi edhe dy doktoratura. Ky person nuk është pranuar në këtë administratë shtetërore dhe është bërë mirë që nuk është pranuar, pasi që do të detyrohej nga njerëz të pushtetit të dal në protestë për të mbrojtur egon e Nikolla Gruevskit. Gjithmonë kur do të rrezikohej karrige-ja e Gruevskit do të rrezikohej edhe vendi i punës i këtyre njerëzve.  Nga qeveria e R.M., administrata shtetërore po përdoret si top për mish.
Segmenti i tretë ka të bëjë me sigurimin e rendit dhe qetësisë nga ana e organeve të shtetit. Në këtë protestë të opozitës, policia maqedonase në vend që të siguroj rendin dhe qetësinë gjatë protestës, ajo rrahu protestuesit e opozitës dhe iu vërsul të njëjtëve së bashku me protestuesit e pozitës. E njëjta polici, pengoi turmat e njerëzve të ardhur prej qyteteve të ndryshme të Maqedonisë e të cilët nuk janë të kënaqur me politikat qesharake të Nikolla Gruevskit. Ata u nisën për t`i thënë mjaft shtrenjtimeve të pandërprera të artikujve të ndryshëm ushqimor, mjaft papunësisë, korrupsionit, mjaft derdhjes së parave në buste të panevojshme, mjaft futjes së shtetit në borxh të panevojshëm etj. Protestuesit me orë të tëra kanë qëndruar në dalje nga qytetet e tyre për të ardhur në Shkup. Policia ka kërkuar kontroll teknik të autobusëve, ndërsa disa protestues të opozitës duke parë pozicionin e policisë, kanë vendosur flamuj të pushtetit për të ardhur në Shkup.
Segmenti i katërt ka të bëjë me sigurinë e deputetëve. Parlamenti i Maqedonisë jo rrallë herë është shndërruar edhe në skenë boksi. Po se në këtë skenë boksi do të vuajnë deputetet maqedonase, këtë gjë nuk e kam paramenduar ndonjëherë. Edhe kësaj here në skenë doli deputeti kontrovers rom Amdi Bajram, i cili tregoi gishtin e mesëm kah protestuesit e opozitës. Ky gisht i mesëm i Amdi Bajram është një mesazh i arrogancës së Nikolla Gruevskit e asesi i deputetit rom. Imazhi i qeverisë së R.M. dhe demokracisë në këtë vend edhe gishti i mesëm i deputetit rom. Ngjyra e zezë e duarve dhe gishti i mesëm i drejtuar kah opozita, ndërsa buzëqeshja, lajkat, shitja e nderit kah pozita.
Segmenti i pestë ka të bëjë me rrolin e medieve. Nga salla e parlamentit të Maqedonisë, u dëbuan gazetarët e mediumeve të ndryshme. Nuk iu është lejuar të njëjtëve futja në sallë. Ndërsa, mediumet në Maqedoni, në mënyrë të errët dhe totalisht të padrejtë me shumë i morën me opozitën sesa me pozitën. Në vend që të merren me kërkesat e opozitës, ato u morën me linçimin e të njëjtës dhe akuzimin për të gjitha të bërat dhe të pabërat nga ana e Nikolla Gruevskit në këtë shtet. Në vend që të vizitohen administratorët shtetëror dhe t`u dilet në krah të njëjtëve për mos prezencën në punë për shkak të kërcënimeve të pushtetit të R.M. ato vizituan komunat me të cilat udhëheq opozita.
Për në fund, pushteti i Nikolla Gruevskit u demaskua totalisht. Pa marrë parasysh se si interpretohet ajo që bëri opozita, si grusht shtet, ose si rrugë për ta rrëzuar nga pushteti Nikolla Gruevskin, ai me njëzet e katër dhjetor të këtij viti, për të parën herë i humbi zgjedhjet parlamentare, lokale dhe presidenciale në këtë shtet. U kuptua se ekzistojnë të gjitha tiparet e diktaturës në Maqedoni.
Moralisht kjo qeveri e udhëhequr nga VMRO-DPMNE e humbi betejën me popullin, të shpresojmë se edhe në zgjedhjet parlamentare kur do qofshin të njëjtat t`a humb përfundimisht,  dhe Maqedonia t`i kthehet normales.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...