Wednesday, December 12, 2012

Shuplakat e Fule-s



Hamdi Nuhiju

Maqedonia ose siç kanë qejf ta quajnë nacionalistët ekstrem shqiptar FYROM, edhe njëherë nuk mori përgjigje pozitive ose ftese për t`u anëtarësuar në instancat ndërkombëtare. Pragu i artë edhe pse duhet të jetë prag i skëterrës që mund të bien të gjitha subjektet politike, po edhe qeveritë, përsëri kësaj here kaloi në heshtje totale ose në shfajësim dhe ngjyrim të skajshëm me nacionalizëm.
Ndoshta qeveria aktuale u mundua që këtë prag të skëterrës ta shndërroj në shllag pak para zgjedhjeve lokale, ose edhe pse jo, para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që nuk është çudi se mund të ndodhin në Maqedoni.
Për t`u shndërruar në bombë atomike, e jo në shlag që do të keqpërdoret nga politikanët, pozita e jashtme e Maqedonisë, duhet që vetëdija politike e shqiptarëve dhe maqedonasve të këtij territori të ndryshojë. Pikëpamja e djathtë dhe e majtë jo që duhet zhdukur në aksionin politik, por duhet marr parasysh vlera e njeriut në këtë copë toke si qytetar i këtij shteti, e jo thjesht si shqiptar, si maqedonas, si rom, si turk, ose vlera religjioze si mysliman, ortodoks, bektashi e katolik. Pikëpamja qytetare i bashkon të gjitha identitetet tjera të cilat përbëjnë një kolorit pasurish dhe një standard për të vepruar me vizion.
Megjithë tentimin për të ndryshuar qasjen e mentalitetit politik në Maqedoni, vet politikanët e huaj po i fryjnë këtij mentaliteti dhe si duket në mënyrë të orkestruar po nxjerrin afishet e tyre për të hedhur në erë të gjithë pozicionet e ngrira të partive politike në vend. Njeriu edhe pa syze mund të kuptoj ikjen e Gruevskit, ashtu aksidentalisht në SHBA, me rastin e festës së njëqindvjetorit të shtetit shqiptar në Shkup. Po ashtu, nuk duhen syze për të kuptuar rrahjet e shqiptarëve në mes të Shkupit, pleq e të rinj, plaka e fëmijë, nga ana e huliganëve maqedonas. Kjo kartë, sa për të turbulluar situatën hodhi hapin tek etniteti turk në Maqedoni, kur para do kohësh u rrahën dy student turq në Shkup.
Në vend që të shuhej zjarri ndëretnik në vend, Shtefan Fule në rrjetin social, vendimin për Maqedoninë e shkruan si vendim për Shkupin, duke e ditur haptas se po bën lojën e ndonjë partie politike në vend. Në vend të provokimit, duhej përdorur diplomacia e zgjidhjes së problemeve midis dy etniteteve më të mëdha në Republikën e Maqedonisë.
Përndryshe, folklori politik maqedonas, tash ka një armik të ri dhe të hapur, R. e Bullgarisë. Mediat maqedonase  folën gjerë e gjatë për rrolin e ri të Bullgarisë në Ballkan të cilin rrol e mori me bekimin e presidentit të ri zgjedhur të SHBA-ve, Barak Obama. Si duket kësaj here, Greqia nuk i ka bërë shumë probleme Maqedonisë, po ato probleme janë iniciuar nga ana e Bullgarisë. Ndërsa, Maqedonia, nuk po gjen zgjidhje për nënshtetësitë bullgare të cilat merren me lehtësi nga ana e qytetarëve maqedonas dhe pretendimet territoriale të Bullgarisë që mund të ketë ndaj Maqedonisë pas dhënies së një numri të konsiderueshëm nënshtetësisë.
Përndryshe gjendja politike, ekonomike dhe sociale në Maqedoni, për çdo dit vetëm se po përkeqësohet. Greva gati një mujore e mjekëve, krijoi një konfuzion dhe kaos të madh nëpër spitalet e Maqedonisë. Mjafton që të kishe pasur punë këto ditë dhe do të vëreje  në kurriz tëndin çdo pakënaqësi të mjekëve ndaj ministrit Todorov. Personalisht kam mundur të bëjë dallimin praktikisht para grevës dhe pas grevës të mjekëve. Njeriu mund të vdes nga moskujdesi i mjekëve ndërsa ata të bartin prej njërit repart e në repartin tjetër për një dokument të thjeshtë. Për një problem të caktuar janë dashur tre ditë të harxhohen vajtje ardhje, lart e poshtë nëpër reparte për dokumente të imta, të panevojshme që kanë mund të kryhen brenda pesë minutave nga ana e autoriteteve mjekësore, ndërsa personi i sëmurë pas tre ditëve është marr në shqyrtim.
Gjendja e mjerueshme nuk mbretëron vetëm në mjekësi, por edhe në sektorët tjerë. Paramendoni Tetovën, një qytet të madh i cili vazhdimisht është në rritje e sipër, me grevën e punëtorëve të higjienës. Po të mos binte borë këto ditë, do të reflektonit të gjithë në fotografinë e kantave të bërllokut.
Paralajmërime për grevë të punëtorëve gjenden edhe në ndërmarrjen e hekurudhave, ku disa punëtorëve me dhunë iu ndërrohet vendi i punës nga profesioni që duhet të kryejnë, në punë nënçmuese dhe të pa pranueshme për logjikën e njeriut.
Gjithë këto probleme po dalin në shesh si rezultat i menaxhimit të keq me resurset e ndryshme në shtet nga ana e partisë VMRO-DPMNE. Investimet e panevojshme në kuaj e përmendore janë një mur pa zë, i cili sa herë që hap zërin për të qarë e vajtuar, i mbyllet goja me fasadë të re të stilit më të ri në kicin dhe shundin në arkitekturë.
Ky shtet, ka marr pamjen e një nuseje të keqe, e cila duke e ditur situatën aktuale në familjen e saj, se fëmijët nuk kanë të hanë bukë, ti blejnë mjetet shkollore, veshje, etj, kërkon që të harxhoj para nga buxheti i familjes në grimin e saj. Në shtëpi mungon vaji, mielli, sheqeri, ndërsa nusja vrapon pas teshave me stil, duke mos bërë llogari fare për anëtarët tjerë të familjes.
Në këtë stinë të ftohtë të dimrit, veçse ka filluar gara e sjelljes së hënës në tokë. Do të kemi rastin të dëgjojmë lloj-lloj fjalësh nga politikanët tanë të pozitës e opozitës. E kam bërë këtë, e kam bërë atë. Ata të pozitës fajet do t`ia lënë opozitës për të gjitha problemet ekonomike, sociale e politike në vend, siç e akuzoi Sali Berisha, Edi Ramën në Shqipëri për mos marrjen e ftesës së Shqipërisë për t`u futur në BE. Këta të opozitës nuk kanë të drejtë ta ngritin zërin për të kundërshtuar e kritikuar pozitën, pasi që janë pajisur me sindromën ‘ T`i i ke fajet’, siç e artikulojnë shumë bukur këtë fenomen kreatorët e emisionit ’Ednooki’ në raportin Gruevski-Branko.
Pak para krishtlindjeve u zbulua edhe emri i ri për Maqedoninë. Shtefan Fule, dha emrin më të përshtatshëm për zgjidhjen e problemit të emrit midis Maqedonisë me Greqinë, duke e quajtur Maqedoninë thjeshtë Shkupi. Duhet t`ia përkujtojmë Fule-s se ky emër nuk do të jetë i përshtatshëm për Republikën e Shqipërisë, pasi që Republika e Shqipërisë e ka një tokë të saj me emrin Shkupi. Kështu që ngadalë ngadalë do të dalim në pikën ku të gjithë bashkohemi kur jemi duke fjetur dhe ëndërruar.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...