Tuesday, January 29, 2013

Një gotë çaj



Hamdi Nuhiju

Dimri di të tregoj dhëmbët. Sidomos në këtë periudhë të vitit, kur njerëzit herë sprovohen materialisht e herë në shëndetin e tyre. Çuditërisht, tek ne, nuk po duken  dhëmbët e dimrit. Mëshira vjen prej kah nuk e kuptojmë.

Realiteti social në Maqedoni është i tmerrshëm. Fëmijë të skuqur e të varfër që sheh rrugëve duke lypur, gra të veja që nuk kanë kujdesin e shoqërisë, të rinj  të hutuar dhe pa perspektivë harxhojnë kohën e tyre nëpër kafene, pleq që nuk kanë pensione të sigurta për të blerë ilaçet e tyre. Ky mishmash mbulohet nga mëshira e fshehjes së dhëmbëve  të dimrit. Paramendoni sikur dimri të tregonte fytyrën e tij të vërtet dhe niveli i optimizmit dhe solidaritetit të njerëzve të ishte i këtillë? Njerëzit do të detyroheshin të bënin çmos për të zgjidhur hallet e tyre.
Një plak matuf merr si model, shembullin e Xharijes e cila i jep vrap këmbëve dhe belit për të zgjidhur problemet sociale, ekonomike e ekzistuese. Ajo mënyrë e zgjidhjes së problemeve sociale, nuk zgjidh por krijon probleme sociale. Dikë epshi e detyron të mendoj atë zgjidhje, ndërsa të tjerët arsyetohen me epshet e rrethit ku jetojnë.
Jemi duke jetuar në një kohë të gabuar ku nuk vlerësohet gati se asgjë. Për një vend të thjeshtë pune, duhet që të bësh njëqind mijë tradhti.
Trendët e këtilla sociale nxjerrin në pah fytyra të pavërteta, varfanjak të maskuar, ideolog të rrejshëm, fëmijë të jashtëligjshëm, politikan të maskuar. E dimë të gjithë se ku qëndron problemi dhe ilaçi i zgjidhjes së problemit, po askush nuk ndërmerr masa për zgjidhjen e të njëjtës.
Faktografia e popujve të vegjël dhe të mëdhenj na mëson për tre trendë të çuditshme. Mund të përmendim tre shembuj të suksesshëm po edhe të realët të zgjidhjes dhe mos zgjidhjes së problemeve sociale.
I ndjeri Alija Izetbegoviq, në librin e tij autobiografik ‘ Kujtime ‘ është tejet i sinqertë. Ai flet për pamundësinë e kontrollimit të partisë së tij dhe të funksionarëve të tij. Është e pamundur që të kontrollohen të gjithë funksionarët e tij se a do të punojnë për llogari të shtetit, apo më shumë për llogari të xhepave të tyre, duke keqpërdorur pozitën dhe paratë publike. Tentoi shumë për ta ndryshuar këtë gjendje, po nuk kishte sukses. Ndoshta arsyet historike, politike dhe shoqërore, e detyruan të njëjtin që në mënyrë të sinqertë të pranoj se ky realitet nuk mund të vihet nën kontroll. Pasojat e tij sot janë shumë të rënda dhe të padiskutueshme për popullatën boshnjake. Niveli i varfërisë është shumë i lartë, ndërsa shteti jo funksional. Varësia prej donacioneve të huaja është jetik, ndërsa rritja e çmimeve të produkteve bazë ushqimore është në rritje e sipër. Si rezultat i gjithë kësaj, Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës është nën kërcënim të vazhdueshëm për shpërbërje.
Ish i burgosuri politik Rexhep Tajip Erdoan, dikur kryetar i Komunës së Stambollit, gjeti modelin më të përshtatshëm për të zgjidhur problemet sociale në komunën e tij. Ai ishte i pamëshirshëm ndaj çdo funksionari nën udhëheqjen e tij, që keqpërdorte pozitën dhe paranë publike. Si rezultat i kësaj politike efektive, Stambolli për një periudhë rekord, nga një birucë e Orientit u shndërrua në kryeqendër e Botës Islame ku gërshetohen kulturat nga të katër anët e botës.
Përvojat e tij si kryetar i Stambollit i barti edhe në postin e tij të ri si kryeministër i Republikës së Turqisë. Politika e pavarësisë financiare dhe ekonomike nga FMN-ja u paraqit si një model efektiv i rritjes së shpejtë ekonomike të Republikës së Turqisë. Si rezultat i sukseseve të njëpasnjëshme të kësaj natyre, FMN-ja në Turqi më shumë është në rrolin e vëzhguesit sesa të kontrolluesit të cikleve ekonomike të këtij shteti.
Është për t`u habitur për të mirë edhe pozicioni i kryetarit të komunës së Hanit të Elezit, z.Rufki Suma. Edhe pse doli si kandidat i pavarur në zgjedhjet e fundit lokale, ai arriti që të fitoj këtë komunë. Hyrja e sinqertë në garë, gjeneron edhe sukses pas garës. Beteja më e madhe nuk bëhet gjatë garës për kryetar komune, po pas marrjes së postit dhe përballjes direkt me hallet dhe problemet e qytetarëve. Sipas hulumtimeve të shumta të bëra për punën e komunave në Kosovë, kryetari i Hanit të Elezit z.Rufki Suma është njeriu i vetëm që nuk ka përdor mjetet buxhetore për darka e dreka, siç është zakon i pashkruar në Kosovë. Edhe përkundër buxhetit minimal që posedon komuna e Hanit të Elezit, kryetari i saj bën çmos që të përmirësoj jetën e qytetarëve duke kërkuar dhe gjetur burime alternative financimi. Qytetarët janë të kënaqur dhe besoj se problemet sociale në komunën e Hanit të Elezit mund të zgjidhen ma me lehtësi sesa te të gjitha komunat shqiptare në Ballkan bashkërisht.
Tre modelet në fjalë, janë shembuj se si mund të krijohet infrastruktura politike për zgjidhjen e problemeve sociale. Sektori jo qeveritar është aktiv në të gjitha komunat ku jetojnë shqiptarët, po ato nuk mund të punojnë për zgjidhjen e problemeve sociale, pasi që hasin në pengesa të shumta administrative që qëllimisht krijohen nga pushteti lokal dhe qendror.
Zgjedhjet lokale po afrohen në Maqedoni. I kisha preferuar të gjithë politikanëve shqiptarë që garojnë dhe shpresojnë se do të fitojnë në këto zgjedhje, që të gjejnë gjuhën dhe mënyrën e problemeve sociale të qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë. Përderisa ka organizata jo qeveritare që tashme kanë filluar të bëjnë edhe shpërndarjen e drurëve për ngrohje, për personat me probleme sociale, d.m.th gjendja nuk është e lakmueshme. Ky tregues nuk guxon që të fshihet pas kakofonisë nacionaliste e politike. Hallet sociale të njerëzve nuk njohin gjuhë, fe e komb. Ata duhet zgjidhur nga njerëzit që kanë marr atë përgjegjësi mbi supe.
Një gotë çaj në këtë mot ftohti për hallexhiun është më e dashur, sesa t`i flasësh tre orë për nacionalizmin e katër orë për fenë. Zorrët e barkut nuk mund të qëndrojnë në mitingjet partiake në këmbë e të duartrokasin pas çdo fjalimi të ndonjë politikani shqiptar.



No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...