Hamdi Nuhiju
Maqedonia po thellon hendekun e saj politikë. Në pellgjet e saj po
lundrojnë anije të djathta e të majta të dirigjuara nga Lumi i Vdekur. Njerëzit
të hutuar po presin ndryshimin e ardhmërisë së tyre, ndërsa politika po përdor
kurthet e saj të fundit.
Kampanja parazgjedhore për zgjedhjet lokale në
Maqedoni veçse filloi. Mos të hutohemi, pushteti është edhe opozita e
pushtetit. Disa mendojnë se opozita luan rrolin konstruktiv në përmirësimin e
pushtetit dhe gjendjes politike në vend, po harrojnë se kjo opozitë nuk po
ndryshon asgjë për të mirën e përgjithshme të popullatës dhe të demokracisë.
Herë në mediume televizive e herë në mediumet e shkruara politikanët tanë
po betonojnë lojën e tyre për mos lëshimin e karrigeve. Ndoshta edhe me të
drejtë do të thonin se po të ishim ne në vendin e tyre, as ne nuk do t`i
lëshonim të njëjtat.
Pushteti është sikur puna e drogës. Po e kërkove njëherë, gjithmonë do të
vraposh pas tij, madje edhe nëse ky vrapim është në dëm tëndin, të familjes tënde, të rrethit ku jeton po edhe
të shoqërisë në tërësi.
Pushteti autoritativ i detyron masat që të merren me ide globale dhe të
harrojnë problemet reale e lokale. Kështu për shembull, kohët e fundit janë
shtuar shumë aksione për ndihmë në vende të ndryshme të botës që normal duhet
ndihmuar nga pikëpamja humanitare, po nuk duhet harruar idealet e zgjidhjes së
problemeve të brendshme.
Do të ishte shumë më e dobishme po qe se shoqëria civile do të detyronte
masat politike që të ndryshonin qasjen e tyre ndaj Burmali Xhamisë, ndaj
xhamive të shumta të përdhosura në qytetet maqedonase, ndaj përdhosjes së
nderit të shqiptareve, ndaj ruajtjes së dinjitetit të riut shqiptar, ndaj
zvogëlimit të ndikimit të ‘ Republikës së EVN’ që po thith djersën dhe gjakun e
shqiptarëve, sesa gjithë energjinë ta derdhte në aksione humanitare për vendet
e ndryshme nëpër botë. Të mos keqkuptohemi, nuk jam kundër aksioneve të
këtilla, po jam dhe do të jam kundër që gjithë kjo energji të fokusohet në këto
aksione dhe të bëhet kinse nuk po i vëren problemet e brendshme dhe aktuale që
janë po aq të rëndësishme sa drama njerëzore që po përjetohet në ato shtete ku
po dërgohet ndihmë.
Në lidhje me zgjedhjet e fundit lokale në Maqedoni, në emisionin ‘ Në Qendër’
të Vasko Eftov u përmenden disa variante për qytetin e Kumanovës.
Katër reflektimet e mundshme ose skenarët që mund të ndodhnin në Kumanovë
janë:
1) Opozita maqedonase të vazhdoj bojkotimin e zgjedhjeve dhe të marr pjesë
me kandidatin e saj si të pavarur. Ky skenar i parë do të ishte në dëm të
VMRO-DPMNE dhe në dobi të opozitës. Po qe se do të veprohej në këtë variant,
LSDM do të shpëtonte nga kurthi në të cilin ka rënë pa vetëdije ose me
vetëdije. Bagazhi i udhëheqjes me pushtetin lokal në Kumanovë nga LSDM i jep
asaj luksin që edhe me kandidat të pavarur ta fitoj këtë Komunë. Shqiptarëve të
Komunës së Kumanovës më shumë do t`i përshtatej një kryetar nga radhët e LSDM
sesa një kryetar komune nga VMRO-DPMNE që për të parën herë do të mund ta
merrte Komunën e Kumanovës dhe do të tentonte që të bënte gërdi në Kumanovë. Si
rezultat i larjes së hesapeve midis VMRO-DPMNE dhe LSDM, si kurban do të ishin
shqiptarët që do të dëmtoheshin shumë më shumë sesa që janë të dëmtuar tani.
Mendoj që loja e LSDM nuk do të dihet deri në momentin e fundit. Ajo mund të
vendos që të dale në zgjedhje lokale në Kumanovë me një kandidat të pavarur dhe
deri në afatin e fundit ta mbaj të fshehur këtë variant. Ky variant qëllimisht
mbahet i fshehur që të hip çmimi i kandidatit të tyre dhe që me lehtësi prapë
ta marrin pushtetin në Kumanovë.
2) Opozita maqedonase të mos marr pjesë në zgjedhjet lokale që do të
mbaheshin këtë vit as si parti e as me kandidat të pavarur. Ky opsion do të
nxirrte prej lloçit VMRO-DPMNE jo vetëm për zgjedhjet lokale, po do t`i jepte
edhe një fitore të sigurt për zgjedhjet parlamentare kurdoherë që do të
mbaheshin. Katër vite janë një kohë e mjaftueshme që të humben gjurmët e LSDM në
Kumanovë dhe e njëjta të shndërrohej në histori. Mendoj se bastioni i fundit i
LSDM është Kumanova. Po u humb ky qytet nga kjo parti, ekzistenca e saj edhe në
nivel republikan do të vihej në pikëpyetje. Ndërsa shqiptarët pushtetin e
VMRO-DPMNE po e shijojnë në nivel republikan në kurrizin e tyre. Mendoj se në
asnjë periudhë historike shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë qenë më të nënçmuar
dhe përbuzur sesa në periudhën e pushtetit të sotëm nga VMRO-DPMNE.
Po u instalua pushteti i VRMO-DPMNE edhe në Kumanovë, atëherë prite edhe
zbrazjen e qytetit të Kumanovës nga shqiptarët dhe shpërnguljen e tyre me ‘buzëqeshje’
për në Belgjikë, Zvicër, Gjermani, Austri, Suedi etj. Modele të shpërnguljes së
dhunshme kemi në Kumanovë me fshatrat që e lidhin Komunën e Kumanovës me
Shkupin dhe me Komunën e Likovës. Fshatra tërësisht shqiptarësh që nuk kanë
asnjë gjurmë shqiptarësh përveç toponimeve të sllavizuara.
Mos pjesëmarrja e opozitës maqedonase në këto zgjedhje lokale as me
kandidat të pavarur as si parti, do të krijonte shumë fraksione brenda tyre. Këto
fraksione do të luftonin njëra kundër tjetrës dhe detyrimisht do të ndikonin
edhe në nivel republikan. Masat e pakënaqura nga kjo parti do të bënin çmos që
të ruanin vendin e tyre të punës dhe mllefi i tyre me shumë lehtësi dhe mençuri
mund të përdoret nga VMRO-DPMNE fillimisht kundër vet LSDM po pastaj edhe
kundër shqiptarëve të Komunës së Kumanovës.
3) Në këto zgjedhje lokale VMRO-DPMNE të bënte një koalicion me ndonjë
parti shqiptare. Ky version do t`i jepte fitore të sigurt VMRO-DPMNE edhe po qe
se LSDM do të merrte pjesë në zgjedhjet lokale. Po qe se arriti që të bind një
parti politike shqiptare të marr pjesë në koalicion me të, romët pastaj binden
shumë lehtë në këtë karvan zgjedhjesh. Nuk është hera e parë e përdorimit të
matematikave të ndryshme kundër shqiptarëve të Komunës së Kumanovës.
Tri lagjet më të mëdha shqiptare, lagja rome dhe një pjesë e simpatizantëve
të VMRO-DPMNE-së do ta betononin fitoren e tyre në Kumanovë. LSDM do të ishte e
pafuqishme karshi tyre kur është e konsoliduar e të mos flasim kur është e pa
konsoliduar si tani.
Nëse do të ndodhte një skenar i këtillë, shqiptarët do të duhej që ta
përdornin maksimum me garancinë dhe kushte. Ata duhej që të ishin të përgatitur
për çdo version dhe garancionet e tyre t`i mbështetnin jo në fjalët e
VMRO-DPMNE po në ndërhyrjen e ndonjë fuqie të huaj ndërkombëtare që do të nënshkruante
ndonjë dokument të caktuar garancioni. Përndryshe, pa kushte, pa garancion nga
ndonjë fuqi e madhe politike dhe ekonomike, çdo kalkulim në këtë sferë do të
ishte i dëmshëm.
4) Krijimi i një fronti të përbashkët të gjitha subjekteve politike shqiptare
në Kumanovë. Fronti i këtillë pa prezencën e LSDM në zgjedhjet lokale do ta
mundte pa problem partinë e Nikolla Gruevskit. Dhe për herë të parë pas shumë
viteve drejtësia do të vinte në vend. Kumanovën ashtu siç e kanë udhëheq me
shekuj shqiptarët prapë do t`i afrohej mundësia e njëjtë.
Një front i këtillë edhe pse i dëshirueshëm nga të gjithë, në terren është
i pamundshëm për shumë arsye të njohura dhe të panjohura. Pakënaqësitë më të mëdha
në aspektin politik të shqiptarëve gjithmonë kanë lindur në Kumanovë. Shkaku
dhe arsyeja janë të njohura. Mospërfillja totale e partive politike shqiptare
ndaj shqiptarëve të Kumanovës i ka bërë kumanovarët që të janë të pakënaqur nga
to.
Shqiptarët e Kumanovës nuk kanë zgjidhje tjetër përveç renditjes në një front
të përbashkët politik pa marrë parasysh çmimit për këtë gjë.
Dhe një gjë është e sigurt: po u rregullua Kumanova në aspektin kombëtar shqiptar,
në aspektin ekonomik, politik, kulturor etj, u rregullua e gjithë çështja
shqiptare në Maqedoni. Pozita e saj gjeografike determinon ndikimin e saj edhe jashtë
Kumanovës në nivel republikan.
No comments:
Post a Comment