Hamdi Nuhiju
Pazarllëku i zgjedhjeve lokale në Maqedoni, mbrëmë në mesnatë u mbyll. U
shitën produktet e caktuara, ndërsa disa ‘pazarxhi’ nuk morën pjesë në këto
llogari.
Maqedonia si duket po kalon në një fazë të çuditshme të ekzistencës së saj.
Edhe pse shumë është përfolur termi diktaturë, Maqedonia, po i jep shtysë të njëjtës.
Para më pak kohësh parlamenti i Maqedonisë me në krye VMRO-DPMNE-në nuk e
pranoi kërkesën e ‘ Aman ‘ për kthimin e tarifës së lirë të energjisë elektrike.
Si duket ky hap është dukshëm në dëm të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.
Ky aktivitet politik i VMRO-së në dëm të qytetarëve të saj, mund t`i
kthehet si bumerang të njëjtës në zgjedhjet lokale.
Po befasia e këtyre zgjedhjeve lokale është mospjesëmarrja e opozitës
maqedonase në to. Është ditur edhe paraprakisht se marrëveshjen e opozitës do
ta prish kryetari i komunës së Karposhit, Stevce Jakimovski.
Ndërsa, Kumanova ka terrenin e saj të lirë të lëvrimit të zgjedhjeve
lokale. Në këto zgjedhje u paraqitën gjashtë kandidat, prej tyre tre maqedonas
dhe tre shqiptarë. Mendoj se kjo matematikë është e dëmshme për shqiptarët e
Komunës së Kumanovës.
Edhe pse jam deklaruar se në këto zgjedhje lokale do ta mbështes Zenun
Ismailin si bartës të listës për këshilltarë komunal prapë se prapë nuk kam
mendim pozitiv për periudhën në fjalë të mbajtjes së zgjedhjeve lokale pa
opozitën.
Paramendoni të mbahen zgjedhje lokale pa prezencën e opozitës. As me ligje
të brendshme të Republikës së Maqedonisë, po as me ligjet ndërkombëtare nuk do
të ishin valide. Nëse qëllimi dhe filozofia e pjesëmarrjes në zgjedhje lokale është
vetëm fitorja dhe arritja deri tek kulaçi politik, e aspak respektimi i ligjeve
dhe rendit kushtetues juridik, atëherë njerëzit do të bënin çmos për të arritur
ato qëllime.
Pasojat e kësaj rruge do t`i vuanin qytetarët e thjeshtë, e në mesin e tyre
kërbaçin do ta hanin qytetarët shqiptarë. Jeta politike në vend vazhdon edhe pa
opozitën maqedonase. Në fund të fundit, ne jemi mësuar edhe pa opozitë. Jugosllavia
nuk është një shtet shumë i largët nga kujtesa jonë. Dikush mund të marr model
suksesin e Kinës për të arsyetuar sistemin një partiak.
Po mirë, si do të peshohej vlera e garuesit në këto zgjedhje lokale në
mungesë të opozitës?
Nëse në Gostivar, Tetovë, Kërçovë, Strugë, partitë politike shqiptare bëjnë
llogaritë e tyre për zgjedhjet lokale, çfarë llogarish do të bënin partitë
politike shqiptare në Kumanovë? A thua është hap i mençur dalja në këto
zgjedhje lokale secili në veti pa bërë një koalicion të përbashkët?
Pse partitë politike shqiptarë arritën që të bien në ujdi për Kërçovën e
nuk arritën që të merren vesh për Kumanovën?
Në një shkrim tjetër pata thënë se Kumanova pa prezencën e LSDM-së në
zgjedhjet lokale dhe me një front të përbashkët të partive politike shqiptare
do të rikthehej në duart e shqiptarëve. Dyshimet që pata shpreh në atë
reflektim dolën të vërteta dhe në këto zgjedhje lokale partitë politike
shqiptare dolën veçmas me kandidat të tyre secila në këto zgjedhje. Veprimi
është i njëjtë si në kohën kur merrte pjesë në zgjedhje LSDM-ja, e kur gjasat
për kandidatët shqiptarë ishin zero si tani kur gjasat për kandidatin shqiptarë
nuk janë zero.
Renditja në krah të BDI, e partisë së Fiat Canovski edhe të DR, është një
veprim i logjikshëm për t`i ruajtur dy komunat kyçe në Maqedoni: Haracinën dhe
Strugën.
PDSH tërë kapacitetin e saj politik e ka të koncentruar në ruajtjen e
Tetovës, ndërsa është e bashkuar nën hije me BDI-në në luftën kundër Rufi
Osmanit në Gostivar.
Politika në Maqedoni vetëm se po ndërlikohet për çdo ditë e më shumë. Ka
ardhur një kohë e marrjes së dhenve dhe daljes në mal, për t`u ruajtur nga
grabitqarët politikë. Po edhe në situata të këtilla, ekzistojnë personalitete
shqiptare të respektueshme tek të gjitha partitë politike shqiptare. Në mesin e
tyre është edhe i riu Zenun Ismaili i cili merr pjesë në këto zgjedhje lokale
si bartës i listës së partisë së tij. Për shkak të kapaciteteve të tij
intelektuale, njerëzore, morale, kombëtare e fetare, ky personalitet do ta ketë
mbështetjen time të fuqishme në këto zgjedhje.
Personalitete të këtilla mund të gjenden nëpër të gjitha partitë politike
shqiptare në Maqedoni, po fatkeqësisht disa janë nën hije,e disa të tjerëve nuk
u jepet hapësirë sa duhet për të treguar aftësitë e profesionalizmin e tyre.
No comments:
Post a Comment