Saturday, April 20, 2013

Fillova t`i numëroj mëkatet e mia



Hamdi Nuhiju

E kemi pas njohur një mysliman që shkonte shpesh në xhami. Ai lexonte Kur`an, falte namaz pandërprerë, bile një kohë të gjatë pat filluar edhe t`i shkruaj sa reqate namaz nafile po fal. Me një fjalë, e zuri vendin e engjëjve të Allahut dhe filloi që të mirat vet t`i shkruaj.
Llogaria iu duk e madhe, i hyri vetja në qejf dhe fatkeqësisht sot nuk e di derën e xhamisë.
Sot mu duk vetja sikur ai djali që dikur e njihnim të xhamisë. Veçse dola në anën e kundërt dhe fillova që t`i numëroj një e nga një mëkatet e mia.
Unë nuk po e njoh më veten pas këtij numërimi. Skaji vështirë t`i duket, ndërsa shpirti po ngushtohet. Sikur të mos ekzistonte Mëshira e Allahut, sa robër të Zotit do të merrnin rrugën e vetëvrasjes?!
Paramendoni Allahu ta kishte mbyllur derën e Pendimit. Ose edhe më keq, fatet e njerëzve t`i kish lënë në duart e njerëzve...!!! A`thua pse është aq i vogël numri i njerëzve evlia, të dashur të Allahut?
Sa shumë mëkate brenda ditës e natës bëjmë, ndërsa mëshira dhe falja e Allahut nuk po ndryshon.
Thash me vete, nuk paska mëkatar më të madh në këtë botë se unë. Ky konstatim erdhi me numërimin e mëkateve vetëm të një dite. Po sikur t`i numëroja prej ditës së bylykut, çfarë konstatimi do të dilte?
Paramendoni sikur Allahu xh.sh. të kish shtuar numrin e evliave dhe në proporcion me mëkatarët evliat të dominonin...!!! Jeta do të zbehej, mëkatarët nuk do t`ia mësynin derës së Pendimit.
Zgjidhjen disa njerëz e shohin tek izolimi, mbyllja brenda katër mureve. Pikërisht qasja e këtillë ndaj probleme të jetës dhe kuptimit të fesë ka sjell kaq shumë mëkatarë në shesh. Diagnoza e Pejgamberit a.s. është përzierja me njerëzit dhe durimi i karaktereve të tyre. Izolimi nuk është  zgjidhje.  Izolimi sjell dembelizmin, mendjemadhësinë, vetëpëlqimin, përgojimin, shpifjet, thashethemet, vesveset. Ndërsa, njeriu i përzier me njerëz, ka mundësinë e vetëkritikës po edhe të përmirësimit. Si mund të jesh produktiv në shoqëri kur edhe pse i mbyllur në një dhomë plot e përplot me libra paragjykon për njerëz të ndryshëm? Paragjykimi vjen si rezultat i mosnjohjes.
Dr.Muhamed Ali el Hashimi thotë:” Myslimani obligohet të kujdeset për shpirtin e vet, kështu ai fillon ta pastrojë dhe ta përsose atë përmes adhurimit të vazhdueshëm dhe kujtimit të Allahut ditën e natën. Ai është syçelur ndaj mashtrimeve devijuese dhe pëshpëritjeve djallëzore, dhe nëse i vijnë mendime të këqija nga ai burim, ai e kujton Allahun dhe kthehet prapë në rrugën e drejtë.” ( Muslimani ideal, f.58)
Kjo është rruga që duhet ndjekur nga çdokush. Njerëzit janë gabimtarë, po më të mirë prej tyre janë ata që pendohen dhe nuk i kthehen gabimeve të mëparshme.
Lufta më e madhe për besimtarin mysliman është lufta me vetveten. Në atë moment që fitojmë luftën me vetveten, jemi të gjallë në këtë tokë për të kontribuar në të gjitha sferat e shoqërisë. Përderisa e humbim shpesh luftën me vetveten, jemi dështak në familje, dështak në punë, dështak në studime, dështak në jetën shoqërore. Si rezultat i kësaj lindin keqkuptimet, thashethemet, provokimet e ndryshme, lëndimet me fjalë, etj.
Sikur gjatë tërë kohës të ishim të vetëdijshëm për vetveten dhe veprat e këqija që jemi duke i bërë, me siguri se me vrap do të trokitnim në derën e Pendimit.
Shpesh herë ankohemi për mos vlerësimin prej shoqërisë, ndërsa harrojmë të përmendim mospërfilljen tonë ndaj urdhrave të Allahut. Më fjalën urdhra të Allahut, nuk nënkuptoj vetëm namazin, zekatin, agjërimin, haxhin, por edhe gjithçka jashtë tyre që ka të bëjë me jetën shoqërore.
Ka ardhur koha që secili prej nesh të fshij prej fjalorit të jetës ankesën, e t`i kthehet përmirësimit të vetvetes. O Allah, mi fal mëkatet e mia që zërën kupën e qiellit dhe thellësitë e tokës. Amin.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...