Hamdi Nuhiju
Mistikët përmes një rruge të
panjohur u nisën në dallgët e dashurisë. Ata u stërpikën me pika eliksiri të
mbjella në frymëzime dhe filluan që të rrokullisin idetë e mendimet të varura
nga ndjenjat. Dashuria e tyre është melhem për t`u lexuar e blasfemi për tu
praktikuar. Nuk mund që qenia të shkrihet në qenien, ose krijesa të shkrihet në
Krijuesin.
Edhe pse gjuha e dashurisë është gjuhë universale, e pakuptueshme për
masat, e rangut më të lartë, prapë se prapë, ajo nuk mund që të denigroj
integritetin e njeriut.
Metafizika e dashurisë josh
vrushkullin e zemrave që presin rend për të pirë ujë në ujëvarat e saj. Sikur kërkuesit
e etshëm të Vërtetës, edhe dashnorët pas Dashurisë, sakrifikojnë të pa
sakrifikuarën. Lexuesi duhet të kuptoj, se në temat për dashurinë, e
logjikshmja humb nga pesha dhe bie në ekstazën e të palogjikshmes. Nyjat e
suksesit janë të varura në rrugën një kahesh të dashurisë. E po qe se e lyejmë me
pak kuptim dashurinë, bëhemi njerëzit më qesharak në rruzullin tokësor.
Epsharak në fazën e mendimit, ndërsa
sufinj në fazën e praktikës, ky është definicioni i botës globale të kuptuar me
syzet e një rrethi të mbyllur katërdhomësh. Dashuria në gjah kundër epshit ose
epshi në gjah ndaj dashurisë, ky është thelbi. Beteja nuk mund të humbet tek
kontrolli i epshit. Por, qysh në fillim është tentim i kot rruga drejtë shkatërrimit
të tij. Ke dalë jashtë natyrës njerëzore, kjo e krijuar për mrekulli nga ana e
Krijuesit të botëve. Dëshiron që të ndjekësh rrugën djallëzore në kahen e kundërt
me natyrën e pastër të njeriut si mikrokozmos në univers. Kthim kundër universit,
ose universi i kthyer kundër njeriut.
“ Unë pashë se dita e këtij universi
që shtrihet në drejtime të tjera, prej të cilave drita ndriçon pallatin dhe
kasollen, e siguronte ekzistencën e saj nga rrotullimi i një planeti dhe
zgjaste vetëm për aq kohë sa të thuash se ajo ishte atje, ajo u nis. Oh! Kjo është
një ditë e mbarë që nuk i përket kohës, mëngjesi i së cilës s`ka as drekë, as mbrëmje;
një ditë drita e të cilës e ndriçon shpirtin, e në sajë të cilës mund të shihet
tingulli ashtu siç shihet ngjyra!”- Muhamed Ikball.
Ky vegim katërcipëshi në këtë ditë
të këtij universi, loton në dhimbjen e dashnorit dhe zgjohet në pluhurin e tokës
ku shkel këmba e Lejlasë. Ndoshta shpirti me shpejtësi shndërrohet në Mexhnun
dhe kërkon si një shtazë ekzistencën e një rrotullimi në mendjen e një njeriu.
Pritjet tua janë të mëdha. Përderisa
nuk përballesh me realitetin e të qenurit i varur pas kësaj dite madhështore. Ditë
që ta drejton shpirtin kah kasollja e zemrës së ndërtuar prej pulsit e gjakut. Ndoshta
të kujtohet ajo copa e mishit e përmendur nga Miku i Madh i shpirtrave dhe
mendjeve. Në trupin e njeriut, gjendet një copë mishi....Oh Zot, sa shpesh është
përmendur e diskutuar kjo copë mishi nga verbalistët duke sulmuar thelbin e esencën
e dashurisë.
Përballë këtij uragani akuzash,
do ta ulësh kokën si një fëmijë me faj, për lëndimin e dorës së shokut të
lagjes. Nuk mund të pajtohesh me fatin se ti lëndove dorën e tjetrit pa pasur qëllim
lëndimi, ndërsa more ndëshkimin e dyfishtë në këtë botë. Shpesh herë ndëshkimi vjen
si rezultat i të keqkuptuarit të ekstazës së dashurisë.
No comments:
Post a Comment