Sunday, November 17, 2013

Intervistë me Hamdi Nuhiju



Intervistën për Revistën Paqja e realizoi Dr. Avni Avdiu


Unë jam Hamdi Nuhiju. I lindur me 25 dhjetor të vitit 1986. Shkollën e mesme ekonomike e kam përfunduar në Kumanovë, ku edhe zgjidhem si nxënësi më i dalluar i kësaj shkolle. Kam përfunduar Fakultetin Ekonomik në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Momentalisht punoj si administrator dhe kontabilist në Qendrën e Solidaritetit dhe Avancimit në Kumanovë, ndërsa deri në zgjedhjen e kryetarit të kësaj qendre ushtroj edhe detyrën e ushtruesit të detyrës në këtë qendër.

  • Prej kur keni filluar të shkruani?

Viti i dytë në shkollë të mesme ka rëndësi jetike për mua, për dy arsye: atë vit kam filluar që të praktikoj faljen e pesë kohëve të namazit, por edhe kam filluar që të shkruaj. Fillimisht kam provuar që të shkruaj poezi dhe ese, ndërsa me kalimin e kohës jam futur edhe në zhanre tjera të shkrimit. Poezitë e para më janë botuar në revistën ‘Vepra’, ku më vonë janë përmbledhur në një përmbledhje me poezi të botuar nën titullin ‘ Mendoj se hasa në gjurmët’.
Pa përkrahjen e lexuesve, besoj se do të isha dëshpëruar dhe atë rrugëtim që pata nisur do ta ndërprisja shumë shpejtë. Po ajo përkrahje ka bërë që të vazhdoj ende më tutje në këtë sferë.


  • Çka shkruani kryesisht?

Të gjitha nga pak. Fillimisht kam shkruar poezi, pastaj kam kaluar në ese, prozë, artikuj, analiza dhe ka dashur Allahu xh.sh. që deri në këtë moment të kam të botuar pesë libra. Shkrimet publicistike janë pjesë identifikuese e veprimtarisë time. Jam vrojtues i rregullt i ngjarjeve të ndryshme shoqërore të cilat ndodhin në rrethin ku jetojmë.

  • Lexuesit sigurisht ju njohin nga disa shkrime proislame, prej kur keni filluar të shkruani tema të tilla? 

Shoqëria jonë në rrethin e ngushtë, po edhe ajo në rrethin më të gjerë është e ndërtuar nëpërmjet sfidave dhe padrejtësive të ndryshme. Ende ekziston ligji i më të fortit ose mendësia e Darvinit. Grupe të caktuara religjioze dëmtohen padrejtësisht prej kësaj qasjeje të kësaj shoqërie. Si tek ne në Maqedoni, po edhe jashtë saj, grupet religjioze, e sidomos myslimanët janë përballur me sfida dhe padrejtësi të njëpasnjëshme. Kjo gjë më ka lodhur shpirtërisht dhe pamundësia për të ndryshuar këtë gjendje, më ka shtyrë që të reflektoj mbi fenomenet që ndodhin ndaj myslimanëve shqiptar. Në shekullin XXI ende ka vajza të mbuluara të cilave i pengohet e drejta e shkollimit për shkak të mbulesës së tyre. Me gojën plot themi se jemi shoqëri demokratike, ndërsa kur vjen puna tek e drejta elementare e besimit, të gjithë ndryshojnë qasjen. Si rezultat i këtyre padrejtësive, jam munduar që në shkrimet e mia të shpreh atë mllefin dhe dëshirën për të ndryshuar këtë qasje.


  • Çfarë u ka motivuar t’i rrekeni këtyre shkrimeve?

Edhe pse shqiptarët njihen si popull tolerantë me tri fe tolerante, prapë në mesin tonë ka njerëz të një grupi të caktuar religjioz të cilët sulmojnë Islamin dhe myslimanët shqiptarë. Këtij sulmi iu janë bashkangjitur shumë media si tek ne, ashtu edhe në Kosovë dhe në Shqipëri. Në mënyrë sistematike myslimanët prej këtyre medieve paraqiten si jo tolerues, ekstremist, të prapambetur, njerëz të cilët duan ta prishin imazhin e shqiptarëve të Ballkanit. Ndërsa, aspak nuk e logjikojnë se përmes sulmeve të tilla që ia bëjnë Islamit dhe myslimanëve, ata në këtë mënyrë ndotin vet imazhin e shqiptarëve të Ballkanit, duke dhënë shembuj të jo tolerancës. Bashkësitë islame në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri kanë qenë në shënjestër të sulmeve të vazhdueshme të këtyre mediumeve dhe grupeve të interesit. Publiku njeh emra të tillë si Kastriot Myftaraj, i cili shpallte luftë haptas kundër myslimanëve shqiptarë, Fahri Xharra, Veton Surroi, Pirro Misha e i ndjeri Arbër Xhaferi që kërkonin me ngulm katolicizmin e shqiptarëve. Shkrimtari i periudhës komuniste Ismail Kadare, ka ndërtuar një karrierë brilante me librat e tij të njohura për anti myslimanizëm. Deputeti i PS, Ben Blushi, kohët te fundit po hedhet në tregun intolerues ndaj shqiptarëve mysliman. Romani i tij’ Të jetosh në ishull’ nxori në pah mllefin që ka ndaj myslimanëve shqiptar.
Ky trend i reklamimit të vazhdueshëm të ‘ Natës së Seksit’ në Kosovë, homoseksualizmit, mjeteve të ndryshme kontraceptive, pengesave të ndryshme administrative dhe shoqërore ndaj myslimanëve, shpalljen e tyre si terrorist, burgosjen, ka nxjerr në pah vetvetiu të rinj si rasti im, ku detyrimisht do të shkruash për fenomene të tilla.


  • Për hoxhallarët dhe ata që merren me problematikën religjioze, puna juaj mund të shihet ndoshta edhe me sy kritik, keni pasur reagime dhe të çfarë natyre kanë qenë?

Unë kam pasur dhe vazhdoj të kam përkrahjen e një numri të madh hoxhallarësh. Koha në të cilën po jetojmë, fatmirësisht ose fatkeqësisht ka thyer mitin e hoxhallarëve ku vetëm ata kanë ditur për fe dhe kanë pasur të drejtën që të shprehen në tema të ndryshme islame. Tash ka ardhur një kohë e re, ku edhe institucioni i hoxhës është vështirësuar për arsye të shtimit të literaturës islame në gjuhën shqipe dhe përgatitjen e xhematit me njohuri islame.
Ka pasur edhe hoxhallarë të tillë të cilët më kanë shikuar me sy kritik dhe madje disa edhe më kanë akuzuar me fjalë të ndryshme. Po reagimet e tilla në të shumtën e rasteve kanë qenë emocionale dhe me kalimin e kohës edhe qasja e atyre hoxhallarëve ndaj meje, po edhe e imja ndaj atyre hoxhallarëve ka ndryshuar për të mirë.


  • Jeni mjaft aktiv edhe në portale e rrjete sociale, si e vlerësoni punën tuaj nga ky kënd?

Rrjetet sociale dhe interneti në tërësi e ka ndryshuar fizionominë e jetës së secilit njeri. Këto rrjete mund të përdorën në dobi ose në të mirën e përgjithshme dhe individuale, ose në dëm. Mbyllja e gazetave dhe mediumeve tjera me shkruesit, analizuesit e vrojtuesit dhe mundësia e lirë e rrjeteve sociale për t`u shprehur, ka rritur trendin pozitiv në nxjerrjen në pah dhe të reflektimit të shumë vlerave, po edhe anti-vlerave në të njëjtën kohë. Nëse në tregti dëmi dhe dobia janë vëllezër, edhe në rrjetet sociale, dëmi dhe dobia janë binjak.
Lexuesi më lehtë mund të arrij të komunikoj dhe të komentoj një mendim në rrjetet sociale sesa në mediume tjera. Prandaj edhe ndodhin shumë përplasje, mos përputhje, kritika, kokëçarje, madje disa herë edhe akuza të ndryshme. E gjithë kjo është e mbuluar edhe me persona anonim të cilët kanë për detyrë provokimin e situatave të ndryshme me qëllim përfitimi të caktuar individual ose grupor.
Personalisht kam publikuar shumë shkrime në rrjetet sociale, po edhe në blogun tim, dhe e kam liruar veten prej paragjykimeve për tjetrin, paragjykime këto që çojnë kah pagabueshmëria ime. Është normale që bota nuk është e njëjtë dhe njerëzit në të nuk janë të njëjtë. Disa të shajnë, e të tjerët të lëvdojnë, po me rëndësi është misioni dhe qëllimi i shkrimeve e publikimeve të ndryshme.


  • Interneti e ka bërë jetën intelektuale edhe më dinamike, cili është roli i ri i intelektualit në këtë mes?

Intelektuali i ri duhet që të selektoj gjërat që merr dhe jep në internet. Gjithçka që afrohet në internet nuk është në interes të jetës së tij intelektuale, po ashtu edhe gjithçka nuk duhet publikuar në internet, me qëllim të ruajtës nga etiketimet, po edhe minimizimin e pasojave që mund të dalim prej mënyrës së lirë të shprehjes.
Hulumtimi në internet merr një kohë të madhe, prandaj edhe njeriu duhet që atë kohë ta përdor në mënyrë produktive. Edhe pse gjenden me qindra, mijëra e ndoshta miliona mundësi për të absorbuar dituri të dobishme prej internetit, kjo e fundit e ka dobësinë më të madhe, e cila e ka shndërruar intelektualin e ri në egoist. Njeri i cili jeton për vete, dashurohet në vetveten dhe humb kontaktin fizik me botën e jashtme.
Ka ardhur koha që të shërohemi prej sëmundjes së egoizmit dhe ndoshta edhe t`i kthehemi metodave të vjetra të tubimeve të dijes, pak të mundimshme, po shumë më shpirtërore dhe efektive se këto të fundit. Më këtë nuk nënkuptojmë se duhet larguar prej teknologjisë dhe dobive që ka ajo, por nuk guxojmë ta humbim as shpirtëroren e cila është e lidhur ngushtë me jetën shoqërore të secilit njeri.


  • Përskaj moshës keni botuar edhe mjaft libra, mund të thoni shkurtimisht cilat janë këto botime dhe shkurtimisht përmbajtja e tyre?

Në vitin 2008 ,me ndihmën financiare të drejtorit të Furkan Ism, Muhamed Murtezi, kam botuar përmbledhjen time të parë me poezi të titulluar’ Mendoj se hasa në gjurmët’. Përmbledhja në fjalë numëron diku 115 poezi të botuara në mënyrë të vazhdueshme në revistën Vepra.
Në vitin 2011, me ndihmën financiare të një vëllai mysliman nga Tetova, nxora nga shtypi dy libra: ‘ Gjuetia e zemrave’ dhe ‘ Frymëzim besimi’. Në librin ‘ Gjuetia e zemrave’ kam përmbledhur artikuj të cilët më janë botuar kryesisht në revistën Dituria Islame, po edhe në revistën Familja, artikuj si ‘ Karvani i fjalës së mirë’,’ Pikëpamje mbi rininë’,’ Shtëpia e shpirtit’, ‘ Shoqëria dhe ne’,’ Pse njeriu’,’ Të duam e të duhemi’, etj. Ndërsa në librin ‘ Frymëzim besimi’ kam përmbledhur ese dhe tregime të cilat në mënyrë sistematike i kam botuar edhe në faqe të ndryshme të internetit, po edhe në gazeta e revista të ndryshme. Me disa prej këtyre eseve e tregimeve kam fituar edhe disa çmime në disa konkurse letrare, si për shembull me esetë:’ Hixhri një rrugë e gdhendur nëpër shpirtra’,’ Dallimet janë pasuri’,’ Kur`ani vetëdija e njerëzimit’ etj.

Në vitin 2013, nxora nga shtypi librin tim të katërt, ‘ Kalorësit e mirësisë’, libër ky i financuar nga xhemati i Xhamisë së Bardh në Zvicër. Në këtë libër kam përfshirë disa frymëzime rreth Kur`anit si për shembull:’ Në poetikën e Kur`anit’,’ Në shkronjëtoren e Kur`anit’,’ Në qiejt e Kur`anit’,’ Në portat e Kur`anit’, etj.
Po në vitin 2013, nxora nga shtypi librin tim të pestë të titulluar ‘ Kjo fe’. Ky libër është i mbështetur financiarisht prej rrjetit të Qendrës së Solidaritetit dhe Avancimit në Zvicër e Gjermani. Në të janë të përfshira disa punime fetare të cilat kanë qenë të botuara në revistat:’ Vepra’,’ Hëna e re’,’ Alb Drejtësia’,’ Dituria Islame’,’ Edukata Islame’,’ Familja’,’ Gazeta Elif’ etj.
Në këtë kohë jam duke punuar edhe në librin tim të gjashtë për ta dërguar në shtyp.


  • Nga e gjeni gjithë këtë frymëzim-elan, si ia arrini që të jeni kaq produktiv?

Allahu xh.sh. thotë në Kur`an:” Dhe thuaj: Veproni, Allahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i dërguari i Tij e besimtarët, e më vonë do të ktheheni te njohësi i të fshehtës dhe të dukshmes, e do t`ju njoftojë për atë që vepruat”.( Et-Teube:105)
Po ashtu, Allahu xh.sh. betohet në penën duke thënë:” Nun. Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë.” ( El-Kalem:1)
Këto ajete kur`anore janë dy arsyet kryesore të frymëzimit tim për të shkruar dhe për të mos u ndalur kurrë dashtë Allahu xh.sh.


  • Krahas këtyre punëve, ju nuk jeni ndalur edhe në rrafshin praktik, jeni drejtpërsëdrejti i angazhuar në vepra humane dhe solidare si drejtues i një qendre në Maqedoni…në të vërtetë për çfarë bëhet fjalë?

Në Qendrën e Solidaritetit dhe Avancimit në Kumanovë jam i punësuar si administrator dhe kontabilist i saj. Edhe përskaj kësaj, unë momentalisht ushtroj edhe detyrën e ushtruesit të detyrës deri në gjetjen e kryetarit të ri i cili do të marr mbi vete të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë që mbart kjo qendër.
Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit në Kumanovë është shoqatë humanitare e themeluar me 10.06.2012. Kjo shoqatë është pjesë e rrjetit të QSA-së e cila funksionon në Gjermani, në Zvicër, në Belgjik, në Preshevë dhe shpresojmë që e njëjta shumë shpejt të hapet edhe në Drenas-Kosovë.
Qendra në Kumanovë, qysh prej themelimit të saj është marr me disa aktivitete të sferave të ndryshme. Puna e saj fillimisht ka nisur me përkujdesën për pesë familje më të varfra në Komunën e Likovës e të Kumanovës, ky përkujdes humanitar i kryer përmes programit’ Bukë e shpresë’. Programi në fjalë familjet e përzgjedhura i ndihmon çdo dy muaj me produktet bazë ushqimore deri në përmirësimin e gjendjes së tyre të rënduar financiare. Përmes partnerit tonë strategjik, organizatës ‘ Muslime Helfen’, ne gjatë muajit të Ramazanit dhe dy muaj pas, ketë program e kemi zgjeruar edhe me pesëmbëdhjetë familje tjera të cilat janë kyçur në një projekt tjetër të quajtur ‘ Solidarizimi në Ramazan dhe pas Ramazani’. Përmes QSA-së në Zvicër janë gjetur donator edhe për pesë familje shtesë dhe shpresojmë se prej muajit dhjetor, programi’ Bukë e shpresë’ në Kumanovë do të përkujdeset tashmë për dhjetë familje skamnore.
Qendra e Solidaritetit dhe Avancimit në Kumanovë, vitin e parë të ekzistimit të saj me rastin e festës së Kurban Bajramit-2012, bëri therjen e 33 kurbaneve, ndërsa vitin tjetër, pra 2013, ne bëmë therjen e 85 kurbaneve. Në kuadrin e qendrës tonë ekzistojnë edhe dy kurse, ai i gjuhës frënge dhe angleze të cilat kanë edhe atë karakterin social, ku për rastet sociale kursi në fjalë është falas. Për shkak të ndryshimit të objektit, kurset në fjalë momentalisht janë në pushim të përkohshëm. Por këto kurse do të riaktivizohen në momentin e gjetjes së një objekti të përshtatshëm.
Nga ‘ Muslime Helfen’ na u ka miratuar një projekt i dimrit, me të cilin projekt, në përfundim të këtij muaji do të bëjmë shpërndarjen e 340 kubikëve dru për ngrohje për pesëdhjetë e shtatë familje më të varfra në Komunën e Likovës dhe të Kumanovës. Në kuadrin e projektit’ Rreze drite’ ne si qendër kemi shpërndarë 17 karroca për invalid në Komunën e Likovës e të Kumanovës, po në këtë sferë Komunës së Hanit të Elezit i kemi dhuruar si donacion disa karroca për invalid. Me rastin e vitit të ri hixhri, QSA, në mënyrë të suksesshme bënë shpërndarjen e disa dhuratave modeste për nxënës të shkollave fillore dhe është në plan që në vitin e ardhshëm të organizohet edhe një turnir në futboll të vogël me shkollat e mesme të Komunës së Kumanovës dhe të Likovës.
Me ndihmën e QSA-Belgjikë, shumë shpejtë do të startojë edhe projekti tjetër’ Kabina e bukës’ e cila do të jetë në shërbim të të varfërve të Komunës së Kumanovës dhe të Likovës. Përmes një aksioni fillestar, ne kemi tubuar një numër të madh rrobash të vjetra, por të ruajtura të cilat shumë shpejtë do t`i shpërndajmë tek familjet skamnore.

  • Keni diçka të shtoni çfarë nuk kemi përfshirë në pyetjet tona?...

Nuk kam çka të shtoj përveç të ju falënderoj për intervistën.



No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...