Tuesday, November 12, 2013

Në shërbim të Kishës



Hamdi Nuhiju

Shteti i Maqedonisë po e dëshmon veten si një shërbëtor lojal i Kishës Ortodokse Maqedonase. E gjithë garnitura politike, fryma e këtij vendi është orientuar tek Kisha, Kryqet, dhe religjioni ortodoks i cili religjion nuk është as për t`u mbivlerësuar e as për t`u nënçmuar.

Religjioni ortodoks në vetvete është i dobishëm për besimtarët e tij, përderisa nuk politizohet dhe traumatizon hapësirën politike shqiptare në vend.
Po i vështruam mediumet maqedonase, po edhe disa shqiptare, gjejmë shumë informacione për hapa konkret ose investim të qeverisë së Maqedonisë, në kryqe e kisha të ndryshme të cilat dëshmojnë edhe njëherë botëkuptimin e njëanshëm të maqedonasve të Maqedonisë.
Festat fetare ortodokse, kryqet e kishat, janë kolorit i popullit maqedonas, po jo edhe masë politike për të imponuar dhunë psikologjike tek popullata shqiptare në veçanti dhe popullsitë myslimane në përgjithësi.
Para disa kohësh, ishim dëshmitar të një ‘mrekullie’ që ndodhi në një kishë ortodokse në Shkup, ku me rastin e një feste fetare ortodokse, ikonografia e asaj kishe kishte filluar që të shndërrim me një ndërhyrje jo njerëzore, sipas priftërinjve, prandaj edhe nga mediumet në fjalë u quajt e mbi quajt si ‘mrekulli’.
Problemi i kishës në fshatin Oktis të Strugës është politizimi i radhës i qeverisë së Nikolla Gruevskit dhe hapërimi drejt një imponimi fetar e nxjerrjes në shesh të planit për ndezjen e konflikteve fetare.
Në njërin prej emisioneve të fundit të programit ‘ Kod’ të autores së saj Snezhana Lupevska u analizua detajisht vendimi i Kishës Ortodokse Maqedonase për ndalimin e përdorimit të rrjetit social ‘facebook’ nga ana e priftërinjve. Ky vendim i çuditshëm u analizua në të gjitha sferat ku u intervistuan njerëz të cilët ishin të kyçur direkt në sjelljen e atij vendimi. Disa prej priftërinjve treguan haptas se janë kundër atij vendimi, ndërsa një pjesë tjetër tregoi arsyet pse ky vendim duhet që të vlej për priftërinjtë.
Në mediumet maqedonase ishte një top lajm, ndërtimi i një kishe ortodokse maqedonase në Greqi. Kjo kishë, ishte e ndërtuar me kontributin e diasporës maqedonase dhe sipas protagonistëve është një arritje e madhe.
Në Matkë po kërkohet ‘ E diela e shenjtë’. Ky është një aktivitet i ri i arkeologjisë maqedonase. Ndërsa, para disa kohësh u ndërpre edhe ndërtimi i një kishe ortodokse në Kalanë e Shkupit.
Në Komunën Aerodrom u miratua vendimi për ndërtimin e Kryqit të Dytë Gjigant në Shkup. Ky kryq do të jetë i gjatë 33 metra dhe është iniciativë e Kongresit Botëror të Maqedonasve.
 “Kryqi nuk është një simbol anti-islamik, por pjesë e kulturës së Maqedonisë. Vendi jonë është djep i krishterimit në Evropë dhe ka të drejtë të vendosë kryqe”, ka thënë Todor Petrov, kryetar i organizatës KBM-së.  ( Zhurnal, 11.11.2013)
Sipas mitologjisë krishtere, prej kryqit më së shumti frikësohen demonët. Ndërsa, në ikonografinë krishtere në dy shekujt e parë të Krishterimit, sipas këtyre interpretimeve, kryqi ka qenë prezent shumë rrallë.
Sipas krishterimit, vija vertikale e kryqit simbolizon hyjnoren, ndërsa ajo horizontale njerëzimin. ( Wikipedia).
Todor Petrov në fjalën e tij për vendimin për ndërtimin e kryqit, nuk duheshe që ta përmend pjesën e parë, se kryqi nuk është simbol anti islam. Qysh në fjalën fillestare ai po tregon provokimin e radhës ndaj myslimanëve shqiptarë të Maqedonisë. Qëllimi i tij nuk është që të tregoj vlerat e Krishterimit dhe Kryqin në fjalë ta ndërtoj për nevojat e të krishterëve ortodoks të Maqedonisë. Po kryekëput ky kryq do të nisë funksionimin e tij me sloganin ‘ kryqi nuk është simbol anti-islamik’.
Pasi që shqiptarët mysliman janë mësuar të provokohen në mënyra të ndryshme prej ortodoksëve, provokimeve nuk duhet përgjigjur me provokim dhe gjaknxehtësi.
Shqiptarëve të këtushëm nuk i pengojnë kryqet e kishat ortodokse. Ato le t`i ndërtojnë nëse duan edhe më të larta se kaq, por të mos pengojnë rrjedhën normale të jetës së këtyre të fundit.
Paramendoni, fshatin Tabanoc me xhaminë më të vjetër në rajonin e Ballkanit, e cila është e shndërruar në gërmadhë. Për riparimin e asaj xhamie deri më tani nuk është marr asnjë masë konkrete prej qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Ndërsa, si ortodoksët si shqiptarët mysliman janë njëjtë taksapagues të këtij shteti.
Po ashtu edhe xhamia e Bitolës, e Prilepit është në gjendje të mjerueshme. Edhe pse ka pasur tentime të ndryshme prej Bashkësisë Fetare Islame të R.M., për të riparuar këto xhami, por pengesat politike i kanë ndërprerë punët.
Në vend të Xhamisë Burmali në Shkup, sot po ndërtohet një hotel i një biznesmeni grek.
Të shurdhër për xhamitë dhe pasuritë e myslimanëve, në heshtje për ndërtimin e kryqeve dhe kishave të ndryshme, kjo i interpretohet si në shërbim të Kishës. Të tillë, fatkeqësisht kemi plot edhe nga shqiptarët mysliman që në emër të bashkim-vëllazërimit e ulin kokën dhe vazhdojnë jetën e tyre normale në dobi të Kishës e Kryqit.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...