Thursday, November 7, 2013

Muhabete nëntori



Hamdi Nuhiju

Sipas fjalorit Shqip-Turqisht/ Turqisht-Shqip të autorit Myxhahid Korça me fjalën muhabet nënkuptojmë:1. Dashuri, 2. Bisedim miqësor.

Me lexuesit do t`i ndërlidhim të dy elementet. Po mesazhi mundet me qenë i vrazhdë. Në çdo nëntor, në vendin tonë ndodhin ngjarje ose incidente ndëretnike. E patë me vend apeli i një gazete të përditshme shqiptare në Maqedoni, për t`i ruajtur fëmijët prej rrugëve ose gjatë vajtje-ardhje prej shkolle sidomos në këtë kohë. Apeli ishte i mbështetur në faktet e të kaluarës, e jo në ndonjë parashikim për të ardhmen. Politika e kësaj qeverie po lexohet e rilexohet nga qytetarët e thjeshtë qindra e miliona herë.
Si zakonisht në muajin nëntor, kur janë festat nacionale të shqiptarëve, ndodh ndonjë vizitë e ndonjë burrështetasi të Shqipërisë ose Kosovës, ose ndoshta edhe ndonjë skandal diplomatik midis këtyre vendeve ( Shqipërisë me Maqedoninë, Kosovës me Maqedoninë).
Pastaj si hap i dytë, ndodh ndonjë rrahje e ndonjë fëmije shqiptarë nëpër autobusët e Shkupit, ose të ndonjë qyteti tjetër. Djegia e flamujve kombëtar, grafitit anti-shqiptare dhe anti-muslimane në pjesën maqedonase të Maqedonisë janë pjesë e këtij skenari i cili përsëritet me vite.
Muhabetet e nëntorit në Maqedoni janë shndërruar në ideologji shtetërore e pushtetit të këtushëm. Për të mos ngel pa sqaruar edhe termin ideologji, do të japim një version sqarues të shkurtër.
Në librin ‘Sociologjia’ të autorëve Ante Mirushiç dhe Mirko Martiç, botim  i vitit 1965 në Zagreb, në faqen 119 me ideologjinë nënkuptojmë:” Njohuri mbi idenë. Këtë fjalë i pari e ka përdorur mendimtari francez Destutt de Tracy ( 1754-1836), duke e quajtur filozofinë e tij ideologji, ndërsa veten ideolog. Në vullnetin për të theksuar dallime midis metafizikës dhe ideologjisë të cilat në mënyrë radikale janë të kundërta, Destutt de Tracy dhe disa mendimtar tjerë francez e kanë refuzuar termin metafizikë dhe e kanë zëvendësuar të njëjtin me termin ideologji.”
Kësaj herë si pjesë e ideologjisë së nëntorit doli edhe spektri i pendesës së Taulant Capës për hedhjen e vezëve ndaj veturës së kryeministrit Nikolla Gruevski. Kërkimi falje i Capës dhe takimi i tij me Nikolla Gruevskin, u interpretua në mënyra të ndryshme prej mediumeve dhe qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi.
Disa mediume dhe gazetarë në to, gjestin e Capës e llogaritën si tradhti kombëtare, turpërim të qenies shqiptare, pasi që ai publikisht po i kërkon falje një kryeministri i cili ka merituar jo vetëm hedhjen e vezëve po edhe diç më shumë.
Të tjerët, interpretimin e tyre e lidhën me gazetarin irakian i cili hodhi këpucën e tij mbi presidentin e dikurshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në shenjë revolte për okupimin e  Irakut nga ushtria amerikane.
Kësaj ngjarje, pra kërkimit falje publike Nikolla Gruevskit për vezët e hedhura, vaj i dhanë ende më shumë mediumet të cilat realisht janë larguar prej problemeve aktuale që po përjetojnë shqiptarët e këtij vendi.
Taulant Capa, nga disa i quajtur tradhtar i kombit, e hodhi në hije me të drejtë ose pa të drejtë vizitën e kryeministrit të Shqipërisë z.Edi Rama, i cili në planin e politikës së jashtme e vodhi idenë e kryeideatorit të politikës së jashtme turke z. Ahmet Davutoglu për ‘ Zero armiqësi me fqinjët’.
z.Edi Rama i mblodhi në një tavolinë kryetarët e dy partive më të mëdha të shqiptarëve të Maqedonisë. Pas sa kohësh kjo gjë mund të jetë një ngjarje e shënuar. Nuk e mbaj mend se kur për herë të fundit z. Ali Ahmeti dhe z. Menduh Thaçi në publik janë ulur bashkë për t`i diskutuar problemet e shqiptarëve të Maqedonisë.
Mediumet në vend se të interesohen për përmbajtjen e atij takimi, për vendimet që janë mundur të merren, për mënyrën e koordinimit në të ardhmen të subjekteve politike shqiptare dhe kryeministrit të Shqipërisë, ato u interesuan për koston e darkës dhe kush e pagoi atë.
Njësitet speciale të policisë së Maqedonisë këto ditë vërshuan Likovën, Studeniçanin dhe shumë fshatra tjera me popullsi shqiptare.  Bizneset shqiptare po vazhdojnë që të çalojnë prej dënimeve marramendëse të inspektorëve financiar të cilët nuk po i lënë të marrin frymë.
Shqiptarët e Maqedonisë kanë probleme të natyrave të ndryshme. Ato duhet që të mobilizohen edhe njëherë, por jo në platformën e vitit 2001, po në një sferë tjetër e cila do të mund të gjente zgjidhje për këto probleme. Siguria, ekzistenca, shkollimi, e drejta nacionale, e drejta e besimit, janë çështje kyçe të cilat po rrezikohen për çdo ditë e më shumë.
Për shqiptarin e Prilepit nuk ka shumë dallim Maqedonia e vitit 2001 me Maqedoninë e vitit 2013, pasi që ai shqiptar njëjtë është i rrezikuar në aspektin fizik.
Vezët e Capës të cilat e detyruan të kërkoj falje publike kryeministrit të Maqedonisë, duhet shndërruar në strategji ose planifikim afatgjatë në të gjitha sferat për shqiptarët e këtushëm. Kur në mënyrë ekipore dhe të koordinuar shqiptarçe, e jo pozite-opozite, ne nuk do të detyrohemi të kërkojmë falje për aksionet që mund të ndërmerren në të ardhmen.
Nëse vetëm një element favorizues i shqiptarëve shfrytëzohet në dobi të shqiptarëve, maqedonasit do të detyrohen që të lëshojnë pozicionet e tyre. Elementi i mërgatës shqiptare e cila ekonomikisht e mban të varur Maqedoninë.
Elementi i dytë i cili është po aq i rëndësishëm sa edhe i pari është elementi i rritjes së shpejtë të popullsisë shqiptare në Maqedonisë dhe trendi i kundërt që ekziston tek popullata maqedonase.
Këto elemente nuk mund të shfrytëzohen individualisht. Popujt e ndryshëm në botë të cilët kanë qenë në pozita më të vështira se tonat, kanë ndërtuar strategji afatgjate si popull, duke lënë një kohë të caktuar për t`i realizuar qëllimet e tyre. Dhe të gjitha partitë opozitare e në pozitë që kanë ardhur në ato vende, prej vijave të këtyre strategjive nuk kanë lëvizur as krahun.
Përderisa tek malazezët është ringjallur ideja për ringjalljen e Jugosllavisë, tek shqiptarët e Maqedonisë duhet në planin teorik dhe praktik të ringjallet ideja e mëvetësisë financiare, ekonomike, politike, arsimore, kulturore në këtë shtet të përbashkët.
Shqiptarët e këtushëm edhe me dashtë me u bo pesimist, nuk kanë kohë dhe kushte për këtë gjë.



No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...