Thursday, November 21, 2013

Nota e 7 e Milazim Krasniqit



Hamdi Nuhiju

Shtëpia botuese Logos-A nga Shkupi, në vitin 2012 bëri botimin e veprave të Dr.Milazim Krasniqi, shkrimtarit nga Kosova, vepra këto të botuara në shtatë vëllime. Dr. Zekerija Ibrahimi, me të drejtë këtyre librave i thotë shtatë ‘notat muzikore’ të Milazim Krasniqit.

Unë pata fat që edhe këtë përmbledhje librash ta kam në bibliotekën time dhe javën që kaloi me kënaqësi u mora me vëllimin e shtatë. D.m.th. nisa prej mbrapa.
Vëllimi në fjalë është 711 faqe dhe në vete përmban 3 libra: 1. Kosova pas 22 janarit 1998, 2. Në çfarë Kosove do të jetojmë dhe 3. Ankthi i vjetër në shekullin e ri.
Mjeshtërisht është përshkruar gjendja e mjerueshme e popullit shqiptar të Kosovës, prej librit të parë e deri tek i treti në kuadrin e këtij vëllimi. Rrugëtimi i pavarësisë së Kosovës, qysh prej themelimit të UCK, lëvizjeve ideologjike-nacionale për mbrojtjen e popullit të Kosovës nga shfarosja serbe, Kosovën nën administrimin e huaj dhe pavarësimin e saj, e shohim përtej ose nën themelet e këtij libri.
Gjenocidet serbe në Kosovë dhe verbërimi i medieve ndërkombëtare përballë këtyre gjenocideve ishte emblema e parë e reflektimit. Apoteoza gjeostrategjike e politikanëve tanë, renditja nën një vijë nacionale dhe rezistenca janë fryte të vullnetit për vetëvendosje të popullit të Kosovës. Kosovarët nuk mund më të jetojnë të varur e nën presionin serb. Ata e duan lirinë si të gjithë popujt e botës dhe e meritojnë lirinë më shumë se popujt tjerë të botës. Figurat tragjike njerëzore ose vrasjet makabre serbe mbi popullatën shqiptare në Kosovë, demontojnë konceptin e terroristit në mesin e shqiptarëve. Si mund të duket një Ballkan pa një Kosovë të pavarur dhe me një Serbi me apetite jashtë shtëpiake?!!! Evropianët panë me sy, ndoshta edhe vet krijuan disa aksidente që ndodhën në rrethana ballkanike. Kosova pas 22 janarit të vitit 1998 ishte Kosovë me aksidente të vazhdueshme dhe me vrasje e gjenocide. Po ndryshimi rrënjësor i fatit të popullit të Kosovës u bë pas asaj date.
Shqiptarët e Kosovës për lirinë e tyre dhanë më të shtrenjtën që kishin, jetën e tyre. Ata edhe nuk kishin diçka më të shtrenjtë e më të vyeshme sesa jetën. Çdo cep i tokës së Kosovës është i ndërtuar me gjakun dhe djersën e këtyre njerëzve. Të shpërngulurit e Kosovës ishin fryte të nacionalizmit serb e turpit evropian që lejoi të zbrazet një vend i tërë ballkanas për apetite të një shteti të caktuar.
Pas 22 janarit të vitit 1998 ndodhën shumë gjëra, si në aspektin pozitiv, po ashtu edhe në atë negativ. Me ndryshimin e kaheve të Kosovës, ndryshoj edhe rrjedha publicistike e shumë publicistëve e analistëve tanë. Ata ndryshuan konceptin e problematikave që trajnonin në temat e tyre.
Si rezultat i këtyre ndryshimeve, edhe autori, Milazim Krasniqi, shkroi librin e tij tjetër, ose përmbledhjen tjetër publicistike të titulluar’ Në çfarë Kosove do të jetojmë?’. Pyetja e këtillë në vetvete përmban shumë mistere të cilat zbulohen përmes qasjes së ndryshimit të mentalitetit kosovar. Tashmë kosovarët gjenden në një realitet të ri të Kosovës, atë nën ingerencat e ndërkombëtareve dhe përfundimisht edhe në një Kosovë të pavarur. Po, me krijimin e rrethanave të reja politike ,ekonomike e ndërkombëtare, tashmë dalin në shesh edhe shumë probleme ose dobësi të shtetësisë së Kosovës. Kosovën nuk mund ta kuptojmë si një tokë e dhënë nga Zoti, e pa punuar, që punohet me duart e huaja dhe ushqen popullin e saj duke fjetur. Kosova tashmë kërkon djersën, mundin, punën, vullnetin e shtet ndërtimit. Koha e armëve ka kaluar. Problemet ekonomike janë sfida e radhës e këtij populli. Po ashtu edhe shtimi i kafeneve me prostituta prej Moldavie e Ukraine tregon anën e tjetër të medaljes së ndërkombëtarëve.
Ndoshta pyetja e Milazim Krasniqit se në çfarë Kosove do të jetojmë, duhet parashtruar edhe sot e kësaj dite. Elitat politike të Kosovës, janë të papjekura me udhëheqjen e një shteti. Ato hap pas hapi duhet të mësojnë dhe në të njëjtën kohë edhe të mos tolerohet që të ndodhin gabime të cilat kanë pasoja fatale për popullin e Kosovës. Realiteti i ri juridik e politik i këtij vendi i tremb popujt tjerë të Ballkanit, në ndërkohë duhet t`i gëzoj, pasi që një Kosovë e pavarur dhe stabile, d.m.th. një Ballkan i pavarur dhe stabil. Ndoshta Kosova u bë shkak që Serbisë t`i vendohen prangat, e të mos ketë mundësi për të shikuar në oborre të huaja.
Tashmë jeta politike në Kosovë nuk është luks. Faji për mangësitë dhe dështimet politike nuk i lihet serbëve e Serbisë, e as që ka mundësi të riparohet duke marr armët për të vetëdijesuar ndërkombëtarët. Elitat politike kosovare së bashku me ndërkombëtare kanë përgjegjësi për ndërtimin dhe themelimin e institucioneve të Kosovës. Çdo ndryshim i politikave të këtyre elitave, reflekton direkt edhe në popullin e Kosovës si dhe në marrëdhëniet e Kosovës me botën e jashtme. Problemi i papunësisë së popullit të Kosovës që kap përqindjen enorme prej 50 përqind, është një problem esencial me të cilin elitat politike duhet që të merren. Ata nuk guxojnë të flenë, pasi që në këtë mënyrë do të flenë edhe problemet e popullit të Kosovës.
Libri i tretë ( në vëllimin e shtatë) i Milazim Krasniqit i titulluar ‘ Ankthi i vjetër në shekullin e ri’ është një përmbledhje analizash e kumtesash të autorit që reflektojnë mbi qasjen e Serbisë ndaj Kosovës, pas pavarësisë së Kosovës, si dhe qasjen që duhet të ketë Kosova ndaj Serbisë, në këtë realitet të ri politik. Katër jugosllavit ishin katër dështimet e sllavizmit të Ballkanit. Të njëjtat ishin të iniciuara dhe mbështetura edhe ndërkombëtarisht, po forca e vullneti i popujve të Ballkanit është i ndryshëm me dëshirat e apetitet e ndërkombëtarëve. Ankthi i vjetër ende vazhdon, ndoshta është shumë i vjetur për t`u larguar prej kujtesës historike të popullit të Kosovës. E mira e kujtimeve të këtilla është që kanë ngelur vetëm kujtime, ndërsa përfitimi prej tyre është moskthimi në të kaluarën për të gjurmuar e stresuar përsëri një popull.
Sakrificat e popullit të Kosovës më në fund u shpërblyen. Tashmë interesimi i intelektualit të ri e të vjetër nuk është se si ta bëjmë Kosovën të pavarur. Interesimi i tij është rreth ruajtjes e kultivimit të asaj pavarësie në krahasim me popujt e gjithë botës. Edhe ne jemi pjesë e botës, me kulturë, histori, traditë, gjuhë e shtet tonin. Këtë gjë duhet t`ia themi për çdo ditë vetvetes dhe gjithë të tjerëve që interesohen për destabilizimin e Kosovës.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...