Sunday, December 8, 2013

Refleksione nga Mesnevi (1)



Hamdi Nuhiju

“ O bir, këputi lidhjet me ar e argjend e shpëto,
Gjer kur do të mbetesh rob nën to?”

Kush mbajti lidhjet me ar e argjend, qe i humbur. Ari dhe argjendi si pasuri të kësaj bote, dinë ta errësojnë mendjen dhe zemrën. Ata të largojnë nga rruga Hyjnore. Presin në secilën dalje, dhe në çdo derë, për të penguar zhvillimin tënd shpirtëror dhe intelektual. Simboli i tyre është shumë i thellë. Më i thellë se mendimi i Mevlana Xhelaludin Rumit të shprehur në Mesnevi. A mund që të mbash tokën, qiejt e hënën në zemër, duke mohuar dhe injoruar Krijuesin e tyre? Njerëzit kanë lindur të lirë. Edhe zemrat njashtu. Si mund që ta robërojmë veten për diçka të pavlefshme, të kësaj bote, të shkurtër, kur e dimë se jemi krijesa të Zotit?
Pejgamberi Muhammed alejhi selam është lutur shpesh kundër varfërisë. Sepse, varfëria të çon në kufër ( mos besim). Të bën rob të dinarit e dërhemit. Në vend që ti ta robërosh dinarin dhe dërhemin, e të jesh pronar i tyre. A ka lajthitje më të madhe, sesa robëria nën sundimin e dinarit? Këtë gjendje e kupton çdo njeri. E di! Asnjëri, asnjëherë fatkeqësisht nuk e pranon. Nëse duam të ndryshojmë, e kemi patjetër ta pranojmë gjendjen. Askush, nuk guxon që të jetë kundër ndryshimit. Ai është i preferuar dhe urdhëruar. Po qe se duam, që të ngelim në të njëjtën gjendje, madje edhe të zhytemi në të, nuk do të mund të kuptonim asnjë fatkeqësi që do të na vinte në këtë botë. Realisht, nëna e të gjitha fatkeqësive të njeriut në këtë botë është robëria nën dinar e dirhem. Dikush mund ti numëroj, prostitucionin, alkoolin, urrejtjen, mos kryerjen e urdhrave të Zotit, shpifjen, thashethemet. Në esencë, të gjitha këto janë probleme të mëdha. Pika kyçe, kulminante që sjell të gjitha këto problemet dhe edhe probleme tjera është vënia në shërbim të përhershëm të dinarit të përkohshëm.
“O bir i Ademit! Sikur të më vish aq sa është toka me gjynahe, por kur më vjen, më vjen pa ma shoqëruar në adhurim askënd do të të vijë aq sa është toka me falje”- Hadith Kudsij.
Reflekto mbi këtë hadith kudsij, fjalë të Allahut. A nuk është shoqërim në adhurim, robëria nën dinar dhe dërhem? Apo, ndoshta nuk e adhuron dinarin dhe dërhemin?
Gjendja shpirtërore e secilit njeri duhet të jetë e pastër. Nuk duhet që të krekosemi, e as që të molisemi karshi fantazmave të ndryshme që i krijojmë vet. Prioritare është kjo gjendje, përderisa, ne jemi fillimisht shpirt pastaj edhe trup. E çfarë kuptimi do të kishte shpirti pa trup?
Përgjigja e Bilall Habeshiut, është e mjaftueshme për secilin njeri:” Ti mund ta posedosh trupin tim, por shpirtin tim jo. Ai është i robëruar, por jo ndaj teje. Shpirti im është rob i Allahut”.
“Po u desh të derdhet deti në një qase;
Sa do nxërë? Kësmetin e një dite!”
Ende më kuptimplote është pyetja hipotetike e Mevlana Xhelaludin Rumit. Në njërën anë e kemi detin, dhe në anën tjetër qasen. Njeriu i pangopur as me pak, e as më shumë, tenton që detin ta derdh në qasen e tij. Fjala e tij, nuk është në gjendje ta qetësoj gruan e tij, ndërsa ai tenton që ta zotëroj detin. Si mund të jesh bindës ndaj fëmijëve tu, për ti pranuar këshillat e tua, kur linde, jetove, e do të vdesësh me idenë e derdhjes së detit në qase?
Njeriu është një krijesë fisnike. Allahu e bëri mëkëmbës në tokë. Për hir të tij, Ai, e nënshtroi botën. Njashtu, njeriu është edhe krijesë shoqërore. Sikur të donte Allahu, do ta krijonte vet, atë, pa konkurrencë, pa njerëz tjerë. Nuk do t`ia mundësonte shtimin, pasi që në këtë mënyrë do të krijohej konkurrencë për të. Mirësitë e kësaj bote i takojnë njeriut. Ai, duhet që të sillet me drejtësi në menaxhimin e tyre.
Paramendoni kur dikujt i besohet diçka, do të kujdeset për të, ose do ta neglizhoje? Njeriut, iu është besuar toka. Duhet kujdesur për të, më mirë sesa për gjërat që i posedon. Nuk bën për asnjë moment të vrapojë tek pjesa tjetër e kulaçit. E as të pretendojë zotërimin e të pa zotëruarës.
Mesazhi i Mevlanas në këtë pjesë është i disa anshëm. Kësmeti i një dite, është përcaktim për robin. Qysh me krijimin tënd, Allahu ta ka përcaktuar kësmetin. Sa do të hash, sa do të kesh, sa do të jetosh. Në këtë rreth mund të parashtrohet një pyetje hipotetike: Pse duhet të punojë njeriu, kur iu është përcaktuar kësmeti? Për të logjikshmin vihet shpejtë tek përgjigja: A zbresin para nga qielli? Po, ushqime? Ato që duhet ti hamë, a vijnë direkt në gojën tonë dhe vet absorbohen, apo duhet bërë hapin, duke i marr ato, pastruar, përgatitur, pastaj, aq sa e kemi rrësk, kësmet, të hamë? Ndonjëherë marrim shumë gjëra për të ngrënë, po nuk kemi mundësi të gjithat ti hamë. Herëve tjera marrim pak gjëra, prapë ngelemi të uritur. I njëjti ushqim që kemi ngrënë dikur shumë, sot nuk po mundemi ta hamë as në masë të vogël. Pse? Njëra prej përgjigjeve të mundshme është: aq sa e kemi kësmet të hamë nga ushqimet, do të hamë.
Të dalësh nga shtëpia, për të kërkuar rrizkun e Allahut është gjë e urdhëruar. Do të punosh shumë, do të mundohesh. Bile do të përballesh edhe me gjëra të padëshirueshme, natyrore, psikologjike, shoqërore, ndër njerëzore. Në fund, rezultati vjen nga Allahu. More aq sa të dha Ai, përmes mundit tënd, të shumtë ose të paktë.
Situatën mund ta vështrojmë edhe më ndryshe. Bota, ka pronar dhe punëtor. Punëtorët shpesh herë punojnë shumë fish më shumë sesa pronarët e tyre. Përfundimi i muajit tregon rezultatin ndryshe. Të ardhurat e pronarit, logjikshëm janë më të mëdha, sesa të ardhurat e punëtorit. Kjo gjë, është përcaktim i Krijuesit, në bazë të mundit të dhënë të njerëzve, duke i shfrytëzuar të mirat e Zotit, por edhe aftësitë. Do të donim që detin ta fusnim në qase, por me vete do të marrim vetëm kësmetin e një dite. Mesazhi është edhe me i thellë. Në asnjë shkronjë të poezisë, nuk mund të gjejmë vend për të papunin.
“Syri i lakmitarit kurrë s`ngopet dot.
Vetëm midhja e mbyllur mbushet me perla plot.”
Bota është e mbushur me lakmitar. Edhe rrethi jonë njashtu. Ndoshta, hera herës edhe vet kemi rënë në grackat e lakmisë. Sikur të mendonim pak më ndryshe do të kuptonim se kjo gjendje është shumë e vështirë. Esenca e saj është zjarr. Si duket as fillimi e as fundi. Flakërues për sytë dhe trupin. Paramendoni sikur të hidheshit në zjarr. Në momente të tilla do t`u përkujtohej urdhri i Allahut për zjarrin, ndaj Ibrahimit a.s.
Momentet e vështira e kthejnë njeriun në vetvete. Ti përkujton ajetin kur`anor, madje përmbledh edhe shumë hadithe të Resulullahut alejhi selam në kokën tënde. Por, prapësitë nuk je në gjendje ti lësh. Je lëshuar pas tyre sikur ujku pas gjahut. Kryhet një hulumtim i thellësishëm i gjahut, e pastaj vjen përgjigja konkrete e ujkut. Po ashtu ti nuk gjen përgjigje për pyetjet që të drejtohen.
Nëse dikush është i shpëtuar prej lakmisë, le të mi tregoj pretendimet e veta të modestisë në jetë? Njeriut, iu janë bërë të dashura të mirat e kësaj bote. Ai, nuk duhet që të hutohet pas tyre për t`i harruar të mirat e përjetshme që i presin në Xhennet. Zhduket e mira me lakminë për të mirën. Ajo humbet, shkrihet, përtypet, e bëhet pluhur. Sikur të mos ekzistonte fare. Pse njeriu e dogji mirësinë që bëri, duke lakmuar në mirësinë që si është afruar? Po edhe lakmimi për mirësinë që të është ofruar është gjë e urryer. Atëherë kalohet prej fazës së lakmimit në fazën e vetëpëlqimit. Fillon që të rrjedh pa ndalim pyetja hipotetike me dy pjesë të saj: a e di kush jam unë?
Ndonjëherë njeriu nuk e njeh vetveten. Ka nevojë shpirti, mendja e trupi i tij për pyetjen: kush jam unë? Por jo, në kontekstin e vetëpëlqimit. Thjeshtë në kuptimin e ndërgjegjësimit duhet kryer vetëkontroll. Kur e dimë se kush jemi ne, për çka jemi krijuar në këtë botë, dhe ku do të shkojmë, lakmia nuk do të kishte kuptim.
Duhet përcaktuar se jemi krijesa shoqërore dhe jo individuale. Individualja humbet përskaj shoqërisë dhe kujdesit për të. Paramendoni sikur të vetëflijoheshim për idealin më të madh. Ky akt do të kishte peshë vetëm në saje të ekzistimit të konceptit krijesë shoqërore. Po, edhe lakmia fillon që të përtypet e tendoset tek njeriu që jeton së bashku me tjetrin. Liria ime përkufizohet deri aty, sa nuk cenohet liria jote. A është i drejtë ky mendim?
E drejta e posedimit të pronës në formë të kulaçit më të madh, më të vogël, ose të super kulaçit, a nuk jepet nga Krijuesi i botëve? Përderisa këtë fakt nuk ke mundësi ta mohosh as ti, atëherë si mund ta lakmosh atë që nuk të është dhënë?
Njeriu duhet që të jetë i bindur, se Allahu nuk e lë askënd pa kulaç. Dikush merr më shumë, dikush më pak, por asnjërit nuk i bëhet padrejtësi. Disa punuan më shumë për tu pasuruar materialisht, të tjerët punuan më shumë për tu pasuruar në dituri, të tretët, i përdorën dy anët, të katërtët nuk e kanë asnjërën anë, por edhe ato jetojnë, frymojnë. Çfarë kuptimi do të kishte amaneti i Zotit për përkujdesje mbi tokë, po qe se të mos ekzistonte kategori e njerëzve që do të kanë nevojë nga pasuria e njerëzve tjerë? Kjo nuk është sprovë për grupin e njerëzve të varfër, po për të pasurit.
Prandaj, njeriu që logjikshëm jeton në këtë botë, merr thundrat e lakmisë dhe i hedh në oqean.
“Rrobagrisuri nga ashku në dashuri
Pastrohet nga lakmia e të tjera dobësi.”
Këtu gjendet pika kulmore e vargjeve të Rumit ( në këtë pjesë të perceptimit tonë). Rruga e dashurisë fillon me njeriun dhe përfundon në njeriun. Dashuri e cila dridh zemrat, mendjet dhe shpirtrat. Venat e trupit lëkunden, e nyjet fillojnë që të vallëzojnë. Bota përreth çoroditet, e shpirti absorbon. Pyetjet rrjedhin pa ndalim! Përgjigje për to nuk ekzistojnë. Po të mos ekzistonte dashuria, çfarë kuptimi do të kishte pasuria, varfëria, mundimi, perceptimi? Disa shkuan edhe më larg, thanë se nuk ka kuptim as njeriu pa dashuri. Jeta, vdekja, bota, njerëzit, krijesat tjera, të gjitha janë krijuar në saje të dashurisë.
Nuk nis asnjë proces në këtë botë, në saje të urrejtjes. Urrejtja, hakmarrja, kërkimi i drejtësisë janë sinonime të luftës, ndërsa lufta është tradhti sipas Pejgamberit Muhammed alejhi selam. Nëse në paqe, nuk lejohen që të kryhen shumë gjëra, atëherë në luftë mund të kryhen ato.
Harfet e dëshirës së dashurisë janë të lyer me ngjyrën e pranverës. Sikur bota të rrokullisej nëpër venat e gjakut të njeriut. Është e qartë se çdo dashuri  rikthen njeriun në esencën e tij, në kozmosin e mendimeve dhe në mentalitetin e bashkëjetesës. Paramendoni, ekzistencën e fesë islame pa perceptimin e dashurisë. Në Islam, qenia njerëzore nuk humb nga individualiteti i tij, sa i përket përgjegjësisë dhe dhënies së llogarisë. Secili njeri jep llogari për veprat e tij dhe të askujt tjetër. Por, muslimanët, sipas Islamit janë bashkësi unike, vëllezër. Si mund ta perceptojmë jetën në bashkësi pa konceptin e dashurisë?
Dashuria zëvendëson lakminë, sipas Mevlanas. Po, lakmia kjo dobësi, kjo cilësi në njeriun, çfarë është?
Sipas fjalorit elektronik shpjegues me lakmi nënkuptojmë:” Dëshirë e madhe dhe e pangopur për ta pasur vetë diçka a dikë, etje e pashuar për diçka; synim i padrejtë për të pasur diçka me çdo mënyrë”, ndërsa në bazë të po të njëjtit fjalor elektronik shpjegues me termin dashuri nënkuptojmë:” Ndjenjë e fuqishme, e thellë që të lidh ngushtë me dikë a me diçka dhe që të bën ta duash me gjithë zemër e të mos kursesh asgjë për të; miqësi e thellë dhe e çiltër; ndjenjë pëlqimi, dashamirësie të përzemërt e adhurimi për dikë a për diçka.”
Dashuria dhe lakmia dy të kundërta me aq ngjashmëri. Shpesh here keqinterpretohet nga njerëzit, qëllimisht ose pa qëllim. Të dyja janë të lidhura edhe me pasurinë. Ndërsa maja e dashurisë, në kundërshtim me lakminë, dhe me kthetrat e mirëqenies është lumturia.
Rrobagrisuri nga ashku në dashuri, lirohet nga lakmia e çdo dobësi. Dashuria, sipas Mevlanas është katalizator që e çliron njeriun prej lakmisë e të tjerave dobësi. Ti nuk mund të jetosh në ekstrem. Pa gjetur mesin, askush askund nuk mund të jap mesazhin e mirëkuptimit, vëllazërisë, mirëqenies.
“Duaj dhe urrej me masë. Sepse mund të ndodh që armiku që dikur e patë armik, të të shndërrohet në mik, dhe miku me të cilin ndave shumëçka të të bëhet armik”-Pejgamberi Muhammed alejhi selam.
“I lumtur qofsh, o i lumi i dashurisë sonë,
O mjeku i të gjitha sëmundjeve tona!”
Në këtë pjesë të perceptimit, përmenden termet, i lumtur, lumi, dashuria, mjeku, sëmundjet, të gjithat. Me të vërtet meriton bekimin nga ne, lumi i dashurisë sonë. Fraza është shumë e thellë dhe dy kahesh. Lidhet me lumin si rrjedh, po ashtu edhe si përmbajtje e nxjerr nga termi lumturi. I lumi, i lumturi, janë dy gjëra gati të njëjta. Sidoqoftë, i lumtur është ai njeri që është i dashuruar. Fatkeq është njeriu që nuk jetoi në suazat e dashurisë.
Dashuria është mjekim i të gjitha sëmundjeve. Në asnjë moment e në asnjë kohë, njeriu nuk mund të gjendet i qetë, ose edhe nuk mund ti lehtësohen dhimbjet, po qe se, tek ai mungon rrjedha e dashurisë.
Ideali i njeriut është lumturia. Ai jeton në këtë botë, duke shpresuar se do të ketë një jetë të qetë, të lehtë, e pa shumë brenga. Njashtu shpreson se në botën e përtejme do të shpërblehet, dhe kjo gjë tek ai krijon ndjenjën e lumturisë.
Fytyrat e buzëqeshura të njerëzve në çdo gjendje, të pasur, ose në gjendje të varfër, japin kuptimin e lumturisë. Jetuan shumë njerëz në këtë botë, pa gjërat elementare të mbijetesës, por asnjëherë në fytyrat e tyre nuk u panë shenja të mërzisë, ose të merakosje-s për këtë botë. Në asnjë moment nuk u mbyll asnjë portë e tyre e mikpritjes, buzëqeshjes, harmonisë.
Në anën tjetër, dikush nuk di se si ti koordinoj parat që i ka, dhe për asnjë moment të jetës së tij nuk ndjehet i kënaqur. Pejgamberi alejhi selam, i dha një ilaç të varfërve, se si të ndjehen të kënaqur dhe të lumtur. Ata, u ankuan se të pasurit ia shkuan të varfërve, përmes dhënies së pasurisë sadaka e zekat. Ndërsa Pejgamberi alejhi selam ia mësoi dhikrin, si formë dhe si mënyrë të barazimit me të pasurit në bërjen e veprave të mira.
Me pak, por i kënaqur me përcaktimin e Allahut. Ky është njëri prej definicioneve të lumturisë. Shenjat e dashurisë mund të hetohen këtu, dhe jo tek definicioni tjetër: Me shumë, i pakënaqur, dhe gjithmonë duke u ankuar.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...