Friday, January 3, 2014

A do të fitoj Ivanovi mandatin e dytë?



Hamdi Nuhiju

Në prill të këtij viti, nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mësuam se do të mbahen zgjedhjet presidenciale në Republikën e Maqedonisë. Zgjedhje këto të cilat do të nxjerrin në pah të vërtetat e qeverisjes së kësaj qeverie ose do të vazhdojnë që në heshtje të përmbysin popullatën e këtij vendi.

Në zgjedhjet e fundit presidenciale, nga radhët e VMRO-DPMNE-së u zgjodh presidenti i shtetit, Dr. Gjorgje Ivanov.  Ky akt ose kjo fitore e VMRO-DPMNE-së hapi epokën e fitoreve të saja ndaj LSDM-së kështu duke mbyllur në rrethin vicioz partinë më të fuqishme opozitare në vend.
Shqiptarët e Maqedonisë, në zgjedhjet e fundit presidenciale u paraqitën secili me kandidat në veti, duke mos gjetur gjuhën e përbashkët për një kandidat të përbashkët që bashkon shqiptarët e këtij vendi. Prej radhëve të kandidatëve shqiptar, Imer Selmani befasoi opinionin me qasjen e tij produktive dhe reprezentative drejt këtij kolltuku që është plot e përplot me përgjegjshmëri. Mirëpo, përçarja gjithmonë e ka të vulosur humbjen. Pamarre parasysh kualiteteve të gjithë kandidatëve shqiptarë në zgjedhjet e fundit presidenciale, përçarja midis tyre, tregoi edhe njëherë dobësinë e politikë bërjes shqiptare në Maqedoni.
Maqedonasit janë të ndarë në dy koalicione të mëdha. Në kuadrin e koalicionit të VRMO-DPMNE-së ishin të radhitura një numër i madh partish të vogla e të mesme maqedonase, po ashtu edhe tek koalicioni i udhëhequr nga LSDM e kishim të njëjtën gjendje. Dy koalicione të ndryshme matnin forcat e tyre në zgjedhjet e fundit presidenciale.
Kandidati më i dobët në zgjedhjet e fundit presidenciale fitoi. Ai ishte Dr.Gjorgje Ivanov, njeriu i përzgjedhur nga partia udhëheqëse në Maqedoni VMRO-DPMNE.
Deklaratat e presidentit të shtetit ishin të thurura dhe të nxjerra në shesh në mënyrë folklorike me ato të kryeministrit Nikolla Gruevski. Rreth çështjeve të ndryshme, presidenti Ivanov i bënte të qartë edhe vet gazetarëve se nuk mund të jap përgjigje pa u konsultuar me kryeministrin e vendit. Qasja e tyre rreth politikës së jashtme të Maqedonisë, problemi me Greqinë, vizioni rreth futjes së Maqedonisë në NATO e në BE, projekti kontrovers Shkupi-2014 janë disa elemente që e nxorën në shesh qasjen e Ivanovit në mënyrë të drejtë me qasjen e Nikolla Gruevskit.
Nga praktika me presidentin e fundit të Maqedonisë, Ivanov, nuk e di a ka kuptim më që qytetarët të votojnë për ndonjë kandidat të mundshëm për kryetar shteti. Më e mira e të mirës do të ishte që në zgjedhjet parlamentare të zgjidhet edhe kryetari i shtetit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana e kryeministrit, pasi që praktika po e tregon këtë. Nuk ka nevojë që dy herë të bëhen shpenzime në reklama marramendëse, por edhe në zgjedhje.
Nëse do të pyesnim për qasjen e presidentit të shtetit ndaj shqiptarëve të Maqedonisë, duhej gjetur qasjen e kryeministrit të shtetit ndaj shqiptarëve të këtij vendi. Këto dy sfera ose institucione nuk dallojnë aspak njëra prej tjetrës. Qasja e tyre negative ndoshta rrit vlerën tek një pjesë e votuesve maqedonas, po në mënyrë të sinqertë ulë vlerat demokratike të Republikës së Maqedonisë.
Nëse në botë “ Masoneria i vendos mbretërit. Dora e saj i lidh fatet e botëve”-Menli Hol, në Republikën e Maqedonisë, pozicionin e mbretit e të kryetarit e lidh ‘Nëna parti’.
Në fjalimin vjetor të Gjorgje Ivanovit, ne gjejmë atë frymën politike të VMRO-DPMNE-së për larjen e kokës më akull ndaj qytetarëve të këtij shteti. Presidenti Ivanov njeh vetëm suksese dhe bllokime. D.m.th rruga e tij dhe e partisë në pushtet është e ndërtuar mbi principet e politikës së vullnetit e vizionit dhe dështimet e kësaj politike mbulohen me bllokimet e të tjerëve ose rrolin e viktimizimit.
Gruevski e Ivanovi me logjikën e bllokimit prej të tjerëve dhe suksesit prej vullnetit të brendshëm do të nisen me siguri edhe në kërkim të mandatit të tyre për presidentin Gjorgje Ivanov. Ata shpresojnë se edhe kësaj here do ta gënjejnë të këtushmen dhe do të paraqiten si viktima para faktorëve të jashtëm.
Ndoshta kësaj here do të ishte e rrugës që shqiptarët e Maqedonisë të bojkotojnë tërësisht zgjedhjet presidenciale. Ata nuk duhet që të përdoren si lodra për të i ndihmuar partisë në pushtet kundër forcave tjera që as në të kaluarën e as sot nuk janë pro shqiptare. Shkau mbetet shka, qoftë në opozitë qoftë në pozitë.

No comments:

Невработеноста, гревот на жените со мали деца

Хамди Нухију   ВОВЕД   Дваесет и први век! Македонија, земја сред е  Европа којашто ги поврзува Западот со Истокот. Земја во која што се вле...